1 dhjetor… i dashur Babagjysh, kam vetëm një lutje këtë fundvit

Life style

1 dhjetor… i dashur Babagjysh, kam vetëm një lutje këtë fundvit

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 06:33
Ilustrim

Aq shumë sa e kam adhuruar nëntorin, aq edhe jam e lumtur që u largua dhe uroj që ky muaj të jetë një muaj feste deri në ditët e tij të fundit

Çdo dhjetor, fëmijët anembanë globit ulen për t’i shkruar në një copë letër dëshirat e tyre për vitin që vjen. Letra mendohet që shkon pa nevojën e ndonjë vule të veçantë drejt Polit të Veriut, aty ku mjafton të shkruash për Babagjyshin dhe postierët e gjejnë vetë plakushin me mjekër të bardhë, i cili me të marrë letrat, fillon punën për të përmbushur dëshirat. Thesi i tij mbushet shpejt e shpejt me gjithë objektet që fëmijët e mbarë kanë kërkuar për dhuratë dhe pasi të jetë mbushur, Babagjyshi i hipën slitës së drerëve dhe nis udhëtimin nëpër botë duke hedhur dhuratat nga oxhakët. Megjithatë, edhe kur nuk ka oxhakë, ai e gjen vendin për t’i hedhur këto pako që përfundojnë poshtë pemës së Vitit të Ri. Vetëm që, kohët e fundit, dëshirat nuk mund të plotësohen vetëm nëpërmjet objekteve të thesit. Shumë prej tyre nuk janë të prekshme, apo të mbështjellshme me letrën kërcitëse, zhurmëmadhe që të mbush kënaqësinë… Shumë prej tyre, më të rëndësishmet në fakt, janë ato që nuk çmohen me asgjë, por ta mbushin zemrën plot.

Janë dëshira për t’u zgjuar çdo ditë pranë të dashurve, për të qenë gjithmonë të lumtur, për të parë fëmijë të qeshur, për të zgjuar shpresën dhe për t’u kapur fort pas jetës…

Këtë dua edhe unë sonte….

I dashur Babagjysh,

Nëse je ai që kam njohur që nga fëmijëria, ai për të cilin më kanë folur prindërit aq shumë, ai që sjell me vete një thes me lodra të bukura, ai që plotëson dëshirat e të gjithë fëmijëve, më lër edhe mua sonte t’i harroj të 35-at… Vetëm pak, sa të shkruaj këtë letër, dua të jem fëmijë, që të të kërkoj të më plotësosh një dëshirë të vetme.

Kaq dua sonte, më bën dot fëmijë?

Nuk e mbaj mend sa e vogël kam qenë kur më kanë folur për ty, por mbaj mend që të kam parë gjithandej nëpër filma, duke zbritur nga malet me borë, duke ndarë dhurata nga thesi yt i dëshirave në çdo kënd i botës. Ti e di, ky vit për ne nuk ishte më i mirë se ai i një fundviti më parë. Makthet e tërmetit, në fundin e vitit të kaluar, ndoshta nuk ishin aq të tmerrshme sa ky makth i mad hi kësaj pandemie që n aka ngrirë çdo qelizë. Edhe sa do të vazhdojë? Edhe sa duhet të presim për të jetuar normalitetin?

A mundesh në këtë muaj të fundit të vitit të ma plotësosh një dëshirë të parë? T’ua largosh njerëzve këtë ndjesi të trishtë që i ka kapluar? A mundesh të shëtitësh me slitën tënde, mundësisht që sot, të gjesh fëmijët dhe t’u kthesh buzëqeshjet? A mundesh që t’u japësh shpresë prindërve të tyre, të besojnë se jeta, edhe kur e gjithë bota ngrin nga një pandemi, sërish të sjell një dritë tek e cila duhet të besosh për të shkuar përpara?

Më fal Babagjysh, nëse nuk e mbaj mend kur kam besuar për herë të fundit tek ti, ose më mirë, më fal që nuk kam besuar tek ty gjatë gjithë viteve të tjera të mia të rritjes. E di, të kam quajtur një gënjeshtër të madhe, më fal, por sot po kthehem pas dhe po të lutem për diçka që e dua më shumë….

Të lutem Babagjysh, më fal shumë nëse nuk e mbaj mend kur besova tek ty për herë të fundit. Nuk e di sa vite kanë kaluar që atëherë, por më lejo sonte të të lutem edhe një herë.

Është 1 dhjetor, është ajo koha më e bukur e vitit (it's the most wonderful time of the year) dhe unë po të lutem Babagjysh, të më plotësosh vetëm një dëshirë….

Larg këtij makthi dhe këtij viti të trishtë që kaluam, larg egos së natyrshme njerëzore, jashtë çdo dëshire tjetër të fëmijëve në botë. Nuk dua më sy të trishtë fëmijësh, por dua shpresë për të vazhduar jetën…

Kaq dua, a ma plotëson të lutem?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat