Vuaj nga ankthi

Life style

Vuaj nga ankthi

Nga: Denata Toçe Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 13:52
Ilustrim

Përshëndetje e nderuar. Jam një vajzë 33 vjeçe, e cila po mundohem prej më shumë se dy vitesh me fobitë dhe ankthin. Nuk po arrij ta largoj nga vetja, edhe pse para një viti me një psikiatër fillova përreth katër muaj mjekime dhe më pas i ndërpremë, por tani ka dy muaj që i jam rikthyer mjekimeve.

Nuk e kuptoj pse ndihem herë pas here e bllokuar dhe sikur s’di të bëj asgjë, apo kam frikë dhe nga ndryshime të cilat mund të jenë dhe fare të vogla. Këto gjëra në fakt më kanë ndjekur prej shumë vitesh, që e vogël, por që atëherë nuk i kuptoja shumë ndërsa tani po. Jam e martuar dhe kam dy fëmijë 5 dhe 8 vjeç, të cilët janë dashuria më e madhe për mua. Nuk e di sa e qartë isha, pasi dhe shumë gjëra nuk i shkruaj dot sepse do ishte shumë gjatë. Ju përqafoj!

Ankthi është një problematikë që shoqëron të paktën 80 për qind të popullsisë së botës adulte. Varet nga intensiteti dhe nga natyra e tij te gjithsecili prej nesh. Frikërat janë të nevojshme për njeriun, sepse e ndihmojnë atë që t’i mbijetojë rreziqeve, të jetë i përgjegjshëm për situata të cilët kërkojnë përballje me rrezikun, por ndonjëherë frika irracionale, si ajo e të panjohurës, të nesërmes, të parashikimit në mendime të asaj që mund t’ju ndodh, e vendosin trurin në alarm, dhe kësisoj edhe fizikun.

Pra, ndaj rrezikut real, trupi jonë përgatitet të luftojë. Kështu zemra rreh më shpejt, rritet energjia për shkak të shtimit të oksigjenit dhe kështu ne reagojmë duke “luftuar” ose duke “ikur.” Të gjitha këto reagime janë natyrale. Por nëse rreziku është jo real, pra i paidentifikuar, vetëm ne mendimet tona me “nëse”, atëherë trupi merr sinjal nga mendja për të reaguar me bllofin.

Pra ne na rreh zemra njësoj dhe reagojmë për t’u përballur me një rrezik që nuk është i pranishëm. Kështu nuk i japim dot një shpjegim dhe më pas kemi frikë jo vetëm nga e panjohura, por edhe frikë se mos kemi frikë. Uuufff, një rreth vicioz që duket sikur nuk ka fund, por në fakt e ka një fund.

Një gjë është e sigurtë, se askush nga ne nuk ka humbur jetën nga përjetimi i ankthit. Mjekimet stabilizojnë pikërisht këto simptoma fizike të cilat bëhen të bezdisshme, por nuk arrijnë të kujdesen për mendimet. Kësisoj do t’ju duhet të konsultoheni me një profesionist nga afër, me një klinicist psikolog. Ndërhyrja BWRT dhe CBT kanë treguar se janë efikase për këto lloj natyre vështirësisë. Uroj të viheni në kontakt dhe të merrni shërbimin e nevojshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat