Këshilla nëse shkoni për ski

Life style

Këshilla nëse shkoni për ski

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 19:49
Foto ilustrim

Sporti i skive është ndoshta ai me më shumë rrezikshmëri nga të gjitha sportet e tjera popullore. Përveç kësaj, është një sport që kërkon përgatitje të veçantë fizike, si dhe pajisje specifike.

Për këtë arsye, duhet të jeni shumë të informuar dhe të përgatitur përpara se të zbrisni në pistë:

Merrni syze dhe krem:

Është koha për të shkuar në pistat e skive. Mos harroni se lartësia dhe dëbora e freskët mund të dyfishojnë ekspozimin ndaj rrezatimit ultravioletë, kështu që vendosni syzet dhe kremin mbrojtës.

Mos blini veshje për fëmijët:

Në komplekset ku bëhen ski, jepen me qira veshje të posaçme, kështu që mos i blini. Fëmijët rriten, kostumin apo këpucët e skive do t`ju duhet t`i zëvendësoni me të tjera, kështu që pse të shpenzoni kot?

Zgjidhni një trainer:

Pasi të bini disa herë në borë, të vriteni dhe të qeshni me të madhe, do të mësoni të përshkoni sadopak pistë, edhe vetë, falë praktikës. Por nëse

merrni një trainer për t`ju mësuar disa sekrete, skitë do bëhen akoma më argëtuese. Përveç kësaj, trainerët i njohin mirë zonat përreth dhe do t`ju shërbejnë si guidë për të shijuar bukuritë natyrore të atij lokaliteti.

Konsultohu në internet:

Interneti është bërë “shpëtimtar” për shumë prej nesh. Sa herë kemi ndonjë problem dhe duam të gjejmë një zgjidhje të shpejtë e praktike, mjafton një klikim. Kjo vlen dhe për skitë. Online gjeni informacione të dobishme dhe përpos kësaj, ka site që ofrojnë leksione që nuk duhen nënvlerësuar.

Kujdes formën fizike:

Zakonisht, gjimnastika para skive bazohet në ushtrime përmes të cilave trupi fiton shkathtësi, reflekse dhe fuqi. Përpara se të filloni të skijoni, është e këshillueshme të bëni nxemjen (ushtrimet e nxehjes së trupit); këto ushtrime duhet të zgjasin të paktën 10 deri në 15 minuta. Është mirë që skinë ta vazhdoni gradualisht. Nëse parashikoni të qëndroni disa ditë në mal për të bërë ski, mirë është t`i merrni gjërat gradualisht, duke e rritur aktivitetin me kalimin e ditëve. Bëni fillimisht vetëm gjysmë dite ski, pastaj rriteni angazhimin e përditshëm gradualisht.

Ha mëngjes:

Mos harroni të hani një mëngjes të mirë, për të marrë sasitë e nevojshme të energjisë që do t`ju duhet për të përballuar ditën në dëborë. Duhet të evitoni ngrënien e tepërt gjatë pushimit të drekës, sepse rëndon organizmin dhe zvogëlon tretjen dhe aktivitetin muskular.

Veshja është e rëndësishme:

Të vishesh mirë do të thotë të evitosh hipoterminë muskulare dhe zvogëlimin e aftësive motorrike.

Kujdes me pistën:

Në komplekset e skive ka disa lloje pistash: jeshile, e përshtatshme për fillestarët, blu, pistë disi më impenjative, e kuqe, me shkallë të lartë vështirësie dhe e fundit, vjen pista e zezë, e cila është ekstreme. Pistat jeshile dhe blu mjaftojnë për t`u argëtuar, kështu që mos bëni heroin. Mund të kaloni në pistat e kuqe të moderuara, pasi të keni fituar më tepër përvojë dhe siguri në vetvete.

Për kë nuk këshillohen skitë?

Për të skijuar nuk ka kufizime moshe. Edhe fëmijët mund të skijojnë, mjafton të kenë mbushur katër vjeç. Sporti i skive nuk është i këshillueshëm për kë vuan nga sëmundjet kardiovaskulare apo pulmonare, si bronkiti kronik, pasi ky sport zhvillohet në kushte klimaterike jo të favorshme për këto sëmundje. Nuk mund të bëjnë ski as personat që vuajnë nga sëmundje të sistemit muskulo-skeletor apo gratë shtatzëna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat