Pse njerëzit i shpërndajnë teoritë konspirative, edhe kur e dinë që s'janë të vërteta?

Life style

Pse njerëzit i shpërndajnë teoritë konspirative, edhe kur e dinë që s'janë të vërteta?

Më: 25 shtator 2021 Në ora: 16:50
Foto ilustrim

Mediat sociale shpesh i konfrontojnë përdoruesit me zgjedhje të vështira: Ndarjen e përmbajtjeve të paverifikuara që do të gjeneronin angazhim social, ose ndarjen e përmbajtjes për të cilën ata e dinë se ka më shumë gjasa të jetë e vërtetë, por ka më pak gjasa të "pëlqehet". Thënë ndryshe, vendimi për të shpërndarë teoritë konspirative në rrjete sociale, për shumë njerëz pasqyron një kompromis të llogaritur.

Përhapja e teorive konspirative ka kufizuar ndjeshëm aftësinë tonë për t'u marrë me krizat, nga trajtimi i ndryshimeve klimatike në luftimin e pandemisë së Covid-19. Më shumë se 70 milionë amerikanë që kanë të drejtë për një vaksinë kanë zgjedhur të mos marrin një dhe afërsisht gjysma e këtyre njerëzve kanë besime të keqinformuara, siç është besimi se qeveria po përdor injeksione vaksine për të futur mikroçipa te njerëzit.

Përtej besimeve

Një grup studiuesish ka filluar të punojë me të kuptuarit se pse njerëzit besojnë në teoritë konspirative. Kjo punë kërkimore ka zbuluar se njerëzit që ndjejnë se u mungon kontrolli mbi ngjarjet dhe nuk e pëlqejnë pasigurinë dhe paqartësinë, kanë më shumë gjasa të besojnë në teoritë konspirative.

Shumë pyetje mbeten, megjithatë, në lidhje me arsyen pse njerëzit i shpërndajnë këto teori. Edhe pse puna e hershme supozonte se njerëzit në mediat sociale ndajnë përmbajtje që ata besojnë, hulumtimi i ri zbulon se njerëzit shpesh janë të gatshëm të publikojnë teori konspirative, që ata e dinë se janë të rreme. Në fakt, nga kërkimet u zbulua se 40% e pjesëmarrësve pranuan se do të ishin të gatshëm të ndanin teori që ata e dinë se janë të pavërteta.

Pse?

Rezulton se shumë njerëz kanë si synim të publikojnë informacionet ose ato lloje postime që do të rrisë më shumë angazhimin social (social engagement), një tregues i rëndësishëm statistikor i rrjeteve sociale. U zbulua se kur shpërblimet sociale, si "likes" (pëlqimet) apo komentet, ishin të larta, shumë njerëz ishin të gatshëm të shpërndanin lajme të rreme.

Teoritë konspirative, në krahasim me faktet, shkaktojnë zgjim më të lartë emocional. Kjo i bën ato më tërheqëse për të rritur aktivitetin e profilit. Merrni parasysh shembullin e mëposhtëm: Një zgjedhje midis ripostimit të dy postimeve. Një postim raporton se princeshë Diana vdiq në një aksident me makinë. Postimi tjetër raporton se familja mbretërore komplotoi fshehurazi për të vrarë atë dhe të dashurin e saj. Një postim ka më shumë gjasa të jetë i vërteti, por tjetri është shumë më tërheqës dhe do të tërheqë më shumë vëmendje e do të shkaktojë më shumë reagime.

Në një nga eksperimentet tona, ne ndryshuam motivet për përmbajtjen që njerëzit ndanë. Në një kusht, ne i paguam pjesëmarrësve një bonus për ndarjen e informacionit që do të gjeneronte më shumë "pëlqime". Në një tjetër, ne stimuluam postime që do të gjeneronin më shumë komente. Në të tretën, ne i paguam pjesëmarrësit një bonus për ndarjen e informacionit të saktë.

Sidoqoftë, një pjesë tjetër e studimit, rezultoi se njerëzit në përgjithësi, ndonëse "preferojnë" konspiracionin, arrijnë ta ndajnë faktin nga trillimi, por sikurse e dimë, fatkeqësisht, ky nuk është gjithnjë rasti.

Studimi gjithashtu zbuloi se njerëzit janë të gatshëm të ndajnë lajme të rreme edhe pa stimuj monetarë.

Të marra së bashku, gjetjet identifikojnë motivet sociale si një shtytës të rëndësishëm të vendimit për të ndarë teoritë konspirative. Duke parashikuar vëmendje dhe angazhim më të madh, individët mund të zgjedhin të ndajnë postime që ata e dinë se janë të pavërteta. Në fund të fundit, duke ndarë keqinformata, njerëzit mund të ndryshojnë besimet e tyre dhe ato të të tjerëve. Thënë këto, mos besoni gjithçka që shihni në internet pa bërë verifikimet tuaja bazuara në fakte shkencore. Sot, shumë njerëz mund të bëjnë gjithçka për ca pëlqime më shumë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat