Deri në sa persona mund të marrin pjesë në një panel intervistimi?

Life style

Deri në sa persona mund të marrin pjesë në një panel intervistimi?

Më: 17 janar 2022 Në ora: 08:17
Foto ilustrim

Nëse trembeni nga intervistat një me një, e keni edhe një mundësi e që janë intervista me panel, ku do të mund të flasësh dhe të shikohesh me shumë rekruterë në të njëjtën kohë. Këtë lloj të intervistimit shumë kompani e shohin si mundësi të mirë për t’i parë kandidatët se si punojnë nën presion të madh.

Me përgatitjen e duhur, mund të vini në intervistë të punës të gatshëm si asnjëherë më parë. Prandaj, me këshillat nga Akademi Pune do të jeni në gjendje ta mbërrini këtë nivel kur jeni përpara një paneli intervistuesish.

Si mbahen intervistat me panel?

Intervistat në panel janë intervista në të cilat disa intervistues mund të jenë të pranishëm. Zakonisht intervistat përbëhen prej dy deri në pesë intervistues, por në disa raste edhe më shumë. Kjo vjen varësisht prej preferencave të kompanisë, por pa marrë parasysh se sa është numri i tyre, është gjithmonë një udhëheqës i intervistës, por padyshim që të gjithë aty janë të rëndësishëm.

Për punëdhënësin janë disa përparësi nga intervistat në panel, por më e rëndësishmja është që duke qenë se ka më shumë pjesëtarë, do të jetë më e lehtë të vendoset nëse kandidati është më i përshtatshëm për pozitën dhe kompaninë. Më shumë mendime janë më të sigurta.

Ndërsa, për të intervistuerin ka po ashtu përparësi, sepse duke pasur pyetje prej pikëpamjeve të ndryshme, e kanë më të lehtë që ta tregojnë veten, për aftësitë që kanë, por edhe të japin shpjegime për çështje të ndryshme.

Cilat industri dhe pozita i përdorin intervistat në panel?

Në disa industri është e domosdoshme kjo mënyrë e intervistimit. Industritë dhe sektorët më të shpeshtë që i përdorin intervistat në panel janë:

Institucionet akademike

Organizatat e mëdha jo fitimprurëse

Pozitat ekzekutive

Organizatat qeveritare dhe agjencitë që kanë të bëjnë me këtë

Pyetjet më të zakonshme të intervistave në panel

Shumë kompani po largohen nga pyetjet standarde të intervistave të punës, në drejtim të atyre që e tregojnë më shumë mënyrën se si kandidatët mendojnë. Por gjithsesi, edhe pyetjet e intervistave janë të ngjashme me ato me vetëm një rekruter.

Pyetjet e sjelljes: Këto intervista përfshijnë: menaxhimin e konflikteve, zgjidhjen e problemeve, udhëheqjen etj. Zakonisht ka më shumë empati në intervistat në panel. Prandaj, kur të mbani intervista prisni pyetje të tilla si:

Na trego një kohë kur keni qenë në presion të madh për ta përfunduar një detyrë, si e ke menaxhuar!

Na përshkruaj një kohë kur keni qenë në tension të madh me klientin ose ndonjë nga kolegët, si e ke menaxhaur!

Si do t’ju përshkruanin kolegët?

Përshkruani ndonjë momentin ose ngjarje që ju ka bërë ta shihni ndryshe botën!

Na trego se çfarë ke bërë që të përgatitesh për këtë pozitë!

Nëse do ta kishit mundësinë për t’u bërë superhero, kë do ta kishit zgjedhur dhe pse?

Si të përgatiteni për intervistat në panel?

Kur të përgatiteni për intervistat në panel, shkoni në hapat e njëjtë, si kur përgatiteni për intervistat me një rekruterë. Por, gjithsesi duhet ta keni parasysh se çfarë mund të prisni nga këto intervista. Pra, përpara se të shkoni në intervistë, mos harroni që t’i përcillni këta hapa:

Hulumtoni për kompaninë!

Analizoni përshkrimin e punës!

Përgatitni pyetje që mund t’i bëni

Përgatitni pyetjet që mund t’jua bëjnë!

Praktikoni!

Këshillat që t’ia dilni mbanë gjatë intervistës

Konsideroni intervistat e punës në panel, sikur po mbani mbledhje biznesi! Bëhuni gati të merrni shënime, por pyesni fillimisht nëse është në rregull që të merrni shënime gjatë takimit! Kjo ju ndihmon që t’i mbani mend intervistuesit sipas emrit.

Qetësohuni

Është e rëndësishme që të jeni të qetë edhe nëse intervista fillon të bëhet e vështirë. Duke e kuptuar se çfarë duan të dinë, ju bën që të jeni më të qetë gjatë kohës, madje edhe në intervistat më stresuese.

Revista “science” këshillon që është thelbësore për kandidatët që të tregojnë vetëbesim gjatë intervistës, me shkundje të dorës, shikim në sy dhe qëndrim të drejtë. Ata thonë që e keni shikuar mjaftueshëm dikë në sy, kur jeni në gjendje ta caktoni ngjyrën e syve të secilit intervistues.

Bëni pyetje të mira

Pyetjet që i bëni tregojnë nivelin e interesimit që keni për kompaninë. Nëse nuk keni pyetje dhe nuk dini se çfarë të pyesni rrezikoni që të lini përshtypje të keqe. Kur të jetë koha që ta bëni pyetjen, drejtohuni te pjesëtari që dëshironi t’ju përgjigjet, e nëse nuk e keni përcaktuar dikë, shikoni secilin anëtarë veç e veç! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat