Meshkujt mendojnë se janë më të zgjuar se që janë në të vërtetë?

Life style

Meshkujt mendojnë se janë më të zgjuar se që janë në të vërtetë?

Më: 25 mars 2022 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Kur u kërkohet të vlerësojnë inteligjencën e tyre, shumica e njerëzve do të thonë se janë mbi mesataren, megjithëse kjo është statistikisht e pamundur.

Është një paragjykim normal, i shëndetshëm që vihet re edhe kur individët pyeten se sa të ndershëm janë, sa mirë drejtojnë makinën e kështu me radhë.

Modeli është aq i zakonshëm sa është bërë i njohur si “efekti mbi mesataren”, transmeton KP.

Një studim i publikuar së fundmi shqyrtoi se sa në mënyrë të qëndrueshme burrat dhe gratë e vlerësojnë inteligjencën e tyre. Studimi gjithashtu tërhoqi vëmendjen për vetëbesimin e përgjithshëm dhe tiparet tradicionale të karakterit mashkullor dhe femëror, shkruan Neuroscience News.

Studimi tregoi se treguesi më i fortë i mbivlerësimit të IQ-së është gjinia biologjike, e ndjekur nga gjinia psikologjike. Dikush që ka lindur burrë dhe/ose posedon tipare të forta të personalitetit mashkullor lidhet me një imazh të mbivlerësuar të inteligjencës së tij.

Arroganca mashkullore dhe modestia femërore

Pavarësisht tendencës së përgjithshme për të mbivlerësuar inteligjencën e vet, ka ende dallime midis individëve. Disa njerëz dyshojnë në intelektin e tyre, ndërsa të tjerë e mbivlerësojnë shumë talentin. Megjithatë, meshkujt në përgjithësi mendojnë se janë shumë më të zgjuar se sa janë në të vërtetë, ndërsa femrat e gjykojnë veten shumë më modeste.

Rezultatet e studimit korrespondojnë me rezultatet e studimeve të tjera të ngjashme. Psikologu Adrian Furnham e quajti këtë fenomen “problemi i arrogancës mashkullore dhe modestisë femërore” dhe është vërejtur në shumë kultura në mbarë botën.

Pse burrat e shohin veten shumë më të zgjuar, ndërsa gratë rregullisht e nënvlerësojnë inteligjencën e tyre?

Nuk ka dallime gjinore në IQ

Psikologët dhe ata që studiojnë inteligjencën pajtohen njëzëri: nuk ka dallim midis burrave dhe grave në rezultatet e testeve të IQ. Nuk ka “gjini më të zgjuar”. Megjithatë, ky paragjykim doli të ishte i gabuar vetëm kur shkencëtarët krijuan kritere objektive për vlerësimin e inteligjencës.

Gjatë gjithë historisë, gratë janë menduar të jenë intelektualisht inferiore, sepse kanë kafka pak më të vogla. Me të njëjtën logjikë, inteligjenca e elefantëve do të ishte pa masë më e madhe se ajo e njerëzve! Më e madhe nuk është edhe më mirë kur bëhet fjalë për madhësinë e trurit.

Stereotipet gjinore kanë ndryshuar shumë gjatë shekullit të kaluar. Sot, kur pyeten në mënyrë eksplicite, shumica e njerëzve do të thonë se burrat dhe gratë janë njësoj inteligjentë. Pranimi i hapur i stereotipeve gjinore për inteligjencën është i rrallë në shumicën e vendeve.

Por ka një ndryshim të madh në besimet e nënkuptuara rreth gjinisë dhe intelektit. Pranimi indirekt dhe i fshehtë i stereotipeve gjinore është ende i përhapur.

Në një studim klasik psikologjik, studiuesit u kërkuan prindërve të vlerësonin inteligjencën e fëmijëve të tyre. Nënat dhe baballarët i konsideronin djemtë e tyre shumë më inteligjentë se vajzat, dhe ky hulumtim dha të njëjtat rezultate në kultura të ndryshme në mbarë botën.

Pritjet e prindërve mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një imazhi të inteligjencës së vet te fëmijët dhe në bazë të tyre mund të parashikohet edhe suksesi i mëvonshëm akademik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat