Vendet europiane ku propozimi për martesë është një ‘PO’ e garantuar!

Life style

Vendet europiane ku propozimi për martesë është një ‘PO’ e garantuar!

Më: 19 prill 2022 Në ora: 20:13
Foto ilustrim

Propozimi për martesë është një çështje thellësisht personale. Nuk ka dyshim se ajo që dini për gjysmën tuaj tjetër duhet të jetë faktori kryesor që përcakton mënyrën se si zgjidhni ta bëni propozimin.

Disa vajza mund të mos e kenë problem propozimin në mes të njerëzve të tjerë, madje mund edhe të kenë dëshirë të jenë pjesë e një skene të tillë, si në përralla. Ndërsa për të tjerat, thjesht ideja se do të ketë një mori njerëzish që do të bëhen pjesë e vendimit më të madh të jetës së tyre, është një makth i vërtetë.

Megjithatë, propozimi gjatë një udhëtimi po bëhet gjithnjë e më popullor dhe mund të jetë po aq publik sa edhe privat, ashtu si i përshtatet më mirë.

Nëse po mendoni një udhëtim për të bërë propozimin për martesë, kompania e dizenjimit të kostumeve Charles Tyrwhitt ka analizuar mijëra burime të ndryshme të dhënash për të identifikuar vendet më romantike për të bërë propozimin.

Pas shumë kërkimeve në hotele të ndryshme, spa, restorante me yje Michelin dhe në atraksionet kryesore për çiftet në çdo kryeqytet europian, këto janë vendet ku dashuria do të triumfojë.

Saunat e Helsinkit

Ndoshta një zgjedhje paksa befasuese për shumëkënd, kryeqyteti finlandez ndodhet në listën e pesë destinacioneve më të mira për të bërë propozimin për martesë.

Vendi i mrekullive të dimrit përbën një sfond ideal për të dashuruarit. Helsinki ofron shumë më tepër sesa thjesht pamjet me dëborë: ai është një vend me arkitekturë madhështore dhe me ambiente “intriguese” për pije dhe ushqim, sipas Lonely Planet.

Kryeqyteti finlandez fitoi shumë pikë nga atraksionet për çiftet, duke përfshirë saunën ikonike Löyly dhe Kopshtin e bukur Botanik, Kaisaniemi.

Edinburgu ofron panoramë të mrekullueshme për një propozim

Spa-të e shumta të Edinburgut e ndihmuan atë që të ngjitej në vendin e katërt. Edinburgu është një qytet shumë i vizituar dhe i pëlqyer, dhe kujtimet e bukura të këtij qyteti ka të ngjarë të sjellin shumë çifte këtu për propozimin e martesës.

Për dashamirësit e Edinburgut, është e vështirë të mendohet për një skenë më të bukur sesa ulja në gjunjë te Calton Hill, te Deti i Arturit ose te Shkrepat, me një pamje kaq madhështore.

Por nëse nuk dëshironi ta bëni propozimin në një ambient të hapur, atëherë ka shumë hotele dhe restorante të mrekullueshme edhe për një moment intim si ky. Sheraton Grand Hotel and Spa dhe The Kitchen, që shërbejnë produkte të freskëta sezonale, janë dy nga pikat më të preferuara në Edinburg.

Dashuria në Madrid

Për adhuruesit e artit apo të ushqimit, Madridi është një zgjedhje shumë tërheqëse. Dashuria me siguri do të triumfojë në fund të një pasditeje duke u endur nëpër Muzeun e Prados, ose pas një mbrëmjeje duke shijuar tapas ose verë të mirë. Për një vend më piktoresk për të bërë propozimin tuaj, mund të konsideroni Parkun El Retiro – pjesë e listës së trashëgimive botërore të UNESCO-s.

Një propozim piktoresk në Londër

Londra ndoshta nuk është vendi ideal për këdo, por me një numër kaq të madh atraksionesh, nuk është çudi që shumë propozime të bëhen në këtë kryeqytet. Nëse po kërkoni një sfond piktoresk, Londra i ka ato në të gjitha format dhe madhësitë. Duke filluar që nga Syri i Londrës, maja e Shardit, stolat e Hampstead Heath, dhe deri te kopshti i vendosur në lartësi, Sky Garden, Londra ofron vende që i përshtaten çdo çifti.

Parisi, qyteti i dashurisë

Bien sûr, Parisi renditet në vendin e parë. Kot nuk quhet qyteti i dashurisë. Bulevardet e bukura, ushqimi i shijshëm dhe historia e pasur e filmave e bëjnë atë një nga destinacionet më romantike në botë.

Vetëm duhet të keni parasysh se, nëse rezervoni një udhëtim në Paris, mund të ngjallni dyshime te partnerja juaj se jeni duke planifikuar propozimin tradicional romantik në Champs-Élysées. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat