Mos prit për ‘ditët e veçanta’ për të qenë i lumtur, nga Ambra Hysa

Life style

Mos prit për ‘ditët e veçanta’ për të qenë i lumtur, nga Ambra Hysa

Më: 1 maj 2022 Në ora: 07:27
Ambra Hysa

Është pranverë, edhe shpirtrat kanë nevojë të çelen.

Dielli ngroh me përkëdheli dhe rrugët janë mbushur me njerëz që i kanë hequr palltot e rënda, por teksa vrapojnë ashtu të zhytur në rutinën e ditës, duke nxituar pas punëve ata harrojnë peshën e rëndë që mbajnë ende mbi shpinë. Në një çantë të padukshme kanë dimrin e shpirtit... aty errët, drita është e shkurtër dhe jeta nxiton të plaket. Nuk ka trëndafila atje, as aroma të mira... njerëzit flenë mbi ëndrrat e tyre... prandaj ti “çelu”!

Vish rrobat më të bukura të garderobës tënde, hidh parfumin më të mirë sot, mos prit për "ditët e veçanta", mos prit për festa për të qenë i lumtur, për të gëzuar, për të bërë dolli, mos prit për të festuar jetën tënde.

Ji entuziast për bukurinë e luleve që kanë çelur, për kaltërsinë e qiellit, për freskinë e vesës, për zhurmën e dallgëve të detit, për flladin e erës… Mes një mijë problemeve, ti dëgjo këngën tënde të preferuar dhe relaksohu. Çelu, sepse jeton dhe ky është një privilegj i madh. Për sa kohë je gjallë, je i shëndetshëm, mund të ndryshosh të gjithë rrjedhën e jetës tënde.

Gjithçka nis nga një vendim!

Ta jetosh jetën thellësisht dhe ta ndiesh gëzimin fëmijëror, i cili fshihet më së shumti në gjërat më të vogla. T’i gëzohesh shkëlqimit tënd, pa ia hedhur sytë luleve të tjera.

Lyeji buzët me të kuqe, zgjidh modelin e preferuar të xhinseve, dekoro shtëpinë, merru aromë luleve, vizito gjyshërit, shko në kinema, prije biletën dhe merr avionin, telefonoji asaj, dërgoje atë mesazh që mbrëmjeve e fshin kushedi sa herë, jepi fund asaj marrëdhënieje toksike, fillo palestrën, mbaj një regjim të shëndetshëm ushqimor, ndrysho modelin e flokëve, apliko për atë vendin e punës… Mund të rinisësh gjithmonë nga e para, në biznes, në punë, në bankat e shkollës... mos ki frikë të ëndërrosh, mos ki frikë të guxosh, mos ki frikë të shkruash librin e jetës tënde. Mos ki frikë të çelësh, mos ki frikë të jetosh.

Suksesi, në fund të ditës, është një vendim.

Ne “çelim” pas çdo stuhie, pas çdo nate të gjatë me shi. Si trëndafilat jemi edhe ne për sa kohë të ketë shpresë, sa të jetë pranverë.

Kjo ndjesi e çeljes është një përkëdhelje fine e nostalgjisë së dimrave të zemrës, ndërthurur aq ëmbël me entuziazmin dhe ritmin e pranverës së shumëpritur. Si një buzëqeshje e trëndafiltë pas një mijë lotësh zhgënjimi, refuzojmë të heshtim, por çelim. Na duhet shumë pak në të vërtetë për të harruar dimrin e shpirtit, kur zemra jonë njeh vetëm një stinë.

Jemi qenie me shpirt delikat dhe njëkohësisht të fortë si shkëmbi. Por me pak muzikë të mirë, me ngjyra, me kaltërsi qielli, me harresë dhe me filiza të rinj shprese, ne “çelim".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat