Arsyet përse njerëzit bëhen më gjaknxehtë kur ngrohet koha

Life style

Arsyet përse njerëzit bëhen më gjaknxehtë kur ngrohet koha

Më: 9 maj 2022 Në ora: 00:40
Foto ilustrim

Njerëzit natyrshëm i gëzohen ardhjes së pranverës, për arsye të ndryshme.

Dita është më e gjatë dhe njerëzit kalojnë më shumë kohë me miqtë dhe familjen. Në këtë panoramë nuk ka asgjë të keqe, por psikologët kanë vënë re se me rritjen e temperaturave njerëzit bëhen më agresivë dhe më të dhunshëm.

Sipas tyre, temperaturat e nxehta janë një sfidë e madhe për trurin e njeriut.

Natyrshëm lind pyetja, çfarë ndodh në këtë kohë që i bën njerëzit të humbasin toruan, por edhe mendjen?

Teoritë e psikologëve për këtë reagim të njeriut ndaj temperaturave të nxehta janë të shumta.

Njëra prej tyre bazohet tek fakti se temperaturat e larta dhe pamundësia për tu freskuar rregullisht shkakton parehati dhe shumë stres.

Njeriu e ka në natyrë dëshirën për të pasur kontroll mbi veten, të tjerët, ambientin dhe situatat e ndryshme.

Temperaturat nga ana tjetër janë diçka që njeriu nuk i rregullon dot sipas dëshirës.

Kësisoj, humbja e kontrollit shkakton zemërim, dhe ky i fundit shpërthen ndaj diçkaje ose dikujt tjetër.

Për shembull, nëse keni ngecur në trafik në pikë të vapës, gjasat janë të larta që të bini pre e zemërimit dhe të acaroheni ndaj të tjerëve.

Zemërimi, mund t’ju shtyjë të merrni vendime të nxituara e të papeshuara mirë, pasojat e të cilave më pas shkaktojnë më shumë zemërim.

Faktorë të tjerë që kontribuojnë në përkeqësimin e humorit në stinët e ngrohta janë: mungesa e gjumit si pasojë e vapës dhe dehidratimi.

Ekspertët thonë se njerëzit nuk duhet të marrin asnjë vendim të rëndësishëm për jetën kur moti është i nxehtë, sepse gjasat janë të larta që do të pendohen më vonë.

Nëse bllokoheni në trafik në pikë të vapës, mbani mend që edhe personi para jush që po i bie borisë si i çmendur, po përjeton të njëjtin zemërim, ndaj frenohuni nga çdo reagim i momentit.

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që të hidratoheni sa më shumë.

Pini ujë dhe hani sa më shumë fruta,

Nëse merrni ilaçe për tensionin e gjakut, do ju duhet të pini shumë më shumë ujë dhe lëngje.

Mbi të gjitha, përpiquni të përqendroni energjitë tuaja tek disa aspekte të jetës të cilat janë nën kontrollin tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat