A mund të rregullohen majat e djegura me produkte flokësh?

Lifestyle

A mund të rregullohen majat e djegura me produkte flokësh?

Më: 2 prill 2025 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Majat e djegura janë për flokët ajo që aknet janë për lëkurën -  një shqetësim estetik i bezdisshëm. Në treg mund të gjesh pafund produkte që premtojnë t’i “mbyllin” këto maja të dëmtuara, por a është vërtet e mundur apo thjesht një taktikë marketingu? Ekspertët e flokëve kanë dhënë përgjigjet e tyre.

Çfarë janë majat e djegura?

Nëse i sheh me vëmendje majat e flokëve dhe vëren se janë çarë në dy ose më shumë pjesë, atëherë ke të bësh me maja të djegura. Këto ndodhin kur shtresa mbrojtëse e jashtme e flokut dëmtohet. Pa këtë shtresë mbrojtëse, korteksi i brendshëm ekspozohet dhe flokët dobësohen, duke u çarë në majë.

Ekzistojnë disa lloje të ndryshme të majave të djegura:

• Çarja bazike – kur floku ndahet në formën e një “Y”.

• Çarja në formë pende – kur ka disa çarje përgjatë një fijeje, një shenjë e dëmtimit të madh të kutikulës.

• Çarja në formë peme – kur nga një pikë e vetme dalin disa çarje të vogla, zakonisht nga tharja e tepërt.

• Çarja e nyjëzuar – kur një fije floku formon një nyjë të vogël, gjë që ndodh më shpesh te flokët kaçurrela ose me teksturë.

Çfarë i shkakton majat e djegura?

Shumë faktorë mund të ndikojnë në dëmtimin e shtresës së jashtme të flokut. Një nga fajtorët kryesorë është përdorimi i shpeshtë i nxehtësisë nga pjastrat, tharëset dhe mashat, të cilat jo vetëm që e dobësojnë flokun, por edhe i heqin lagështinë natyrale, duke e bërë të thatë dhe të brishtë.

A mund të “mbyllen” majat e djegura?

Përgjigja e shkurtër: Jo. Majat e djegura janë çarje të fijeve të flokut. Kur ndodh dëmtimi i brendshëm i fijeve të flokut, asnjë produkt nuk mund ta mbyllë atë. Pra, i vetmi trajtim real është një prerje e flokëve. Ekspertët rekomandojnë një prerje çdo 8-12 javë për të parandaluar dëmtimin, ndërsa për ata që përdorin shpesh nxehtësi ose trajtime kimike, një prerje çdo 6-8 javë është më e mira.

Lajmi i mirë është se, edhe pse asnjë produkt nuk mund t’i “ngjitë” majat e ndara, ka disa produkte që ndihmojnë në minimizimin e pamjes së tyre, duke i bërë flokët të duken më të butë dhe më të shëndetshëm. Megjithatë, nëse dëshiron flokë të bukur dhe pa maja të djegura, duhet të kapësh gërshërët!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat