Ecja e duhur i forcon të pasmet në mënyrë më efektive sesa ushtrimet klasike. Zbuloni se si një ecje e përditshme mund ta ndryshojë trupin tuaj
Të mësuarit për të ecur siç duhet mund të ndikojë më shumë në formësimin e të pasmeve sesa orët e kaluara në palestër. Sipas ekspertes së qëndrimit, Josefina Kutscher, gjithçka varet nga një gjë: pozicionimi i saktë i legenit.
Ecja drejt një të pasme të fortë dhe të ngritur
Sezoni i rrobave të banjës, fustaneve, fundeve dhe pantallonave të shkurtra po afron, dhe bashkë me të po rritet vëmendja ndaj pjesëve të trupit që shpesh i harrojmë – të pasmet.
Në vend që të numërojmë seri të mbledhjeve dhe “urave të vitheve”, Kutscher sugjeron që së pari të kontrollojmë mënyrën se si ecim: “Ndryshimi i qëndrimit dhe ecja e duhur mund të aktivizojë muskulin që është projektuar gjenetikisht të jetë më i forti në trupin tonë – gluteusin.”
Pra, përpara se të lodheni nga ushtrimet, sigurohuni që po përdorni lëvizjen tuaj të përditshme, ecjen, si një mjet për të forcuar këtë grup kyç muskujsh, transmeton Telegrafi.
Si e forcon ecja të pasmen tuaj
Mund të tingëllojë shumë e thjeshtë për të qenë e vërtetë, por sipas Kutscher, çdo hap është një mundësi për të aktivizuar muskujt e vitheve. Fatkeqësisht, shumica prej nesh e humbasin këtë mundësi.
“Njerëzit, në mënyrë të pavetëdijshme, e shtyjnë legenin përpara kur qëndrojnë në këmbë ose ecin. Kjo i lë muskujt e vitheve pasivë, ndërsa grupet e tjera muskulore marrin përsipër lëvizjen. Kjo mund të çojë në lëndime dhe në një efekt të dobët fizik”, shpjegon ajo.
Kur legeni është vazhdimisht “i tërhequr”, të pasmet tuaja nuk kanë mundësi të bëjnë atë për të cilën janë krijuar, të jenë motori i lëvizjes dhe stabilizuesi i trupit tuaj.
“Kur fillova të ecja siç duhet, të pasmet e mia u ngritën natyrshëm. Ndalova së shkuari në palestër dhe së bëri ushtrime për vithet. Vetëm ecja bëri ndryshimin”, konstaton Kutscher.
Pozicioni i duhur i legenit: çelësi i një të pasme të fortë
Çështja nuk është sasia e ushtrimeve, por aktivizimi efektiv i muskujve të vitheve gjatë lëvizjeve të përditshme dhe kjo fillon me legenin.
“Kur legeni është i pozicionuar siç duhet, muskujt e vitheve janë në një pozicion mekanikisht ideal dhe aktivizohen me çdo hap.”
Mendojeni trupin tuaj si një kullë: nëse themeli (legeni) është jashtë ekuilibrit, e gjithë struktura humbet stabilitetin. Pozicioni i duhur do të thotë që legeni nuk është as i anuar përpara dhe as i tërhequr pas, por ndodhet në një pozicion neutral.
Rezultati? Ecja shndërrohet në një stërvitje natyrale që forcon vithet më mirë sesa shumë programe intensive ushtrimesh.
Katër përfitime të mëdha të ecjes me qëndrim të duhur
1. Rrit forcën fizike dhe qëndrueshmërinë. Kur muskujt e vitheve janë aktivë, ata marrin rolin e lëvizësve kryesorë. Kjo zvogëlon lodhjen dhe e bën më të lehtë çdo aktivitet tjetër, si vrapimi, ngjitja apo ecjet e gjata.
2. Përmirëson stabilitetin dhe ekuilibrin. Me kalimin e viteve, rreziku i rënieve rritet. Kutscher thekson se duke forcuar vithet përmes ecjes së duhur, mund të zvogëlohet ndjeshëm ky rrezik, pasi vithet ofrojnë stabilitet dhe ekuilibër për trupin.
3. Ndihmon në humbjen e peshës. Një gluteus aktiv rrit masën muskulore, e cila nga ana tjetër rrit metabolizmin bazal, numrin e kalorive që trupi djeg në qetësi. Kjo ndihmon në një humbje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme të peshës.
4. Parandalon dhimbjet dhe lëndimet. Një gluteus i fortë ndihmon në lehtësimin e ngarkesës nga shpina dhe muskujt e tjerë. Kjo zvogëlon rrezikun e dhimbjeve në pjesën e poshtme të shpinës, në gjunjë dhe në ije. Ecja e duhur përmirëson shëndetin e shtyllës kurrizore dhe të kyçeve.
Më pak galiç, më shumë ecje!
Nuk keni më nevojë të kaloni orë të tëra në palestër për të pasur vithe të forta dhe funksionale. Mjafton të ecni çdo ditë, por në mënyrën e duhur.
Këshilla e fundit: Kur ecni, kontrolloni qëndrimin tuaj. Relaksoni shpatullat, ngrini gjoksin dhe drejtojeni legenin. Mos e detyroni lëvizjen, lëreni trupin të funksionojë natyrshëm, por me vetëdije.
Ecja me qëndrim të saktë nuk është vetëm një zgjidhje estetike, është një investim afatgjatë për shëndetin, vitalitetin dhe energjinë tuaj.