Ndarja e përgjegjësive, siguria emocionale, financat dhe dhuratat, të gjitha këto konsiderohen si elemente thelbësore për të mbajtur një grua të lumtur në një marrëdhënie.
Por një studim i ri nga Universiteti i Mançesterit hedh dritë mbi një tjetër faktor shpesh të nënvlerësuar: seksi.
Hulumtimi i udhëhequr nga Dr. Alexandra Janssen zbulon se frekuenca e marrëdhënieve seksuale është thelbësore për kënaqësinë e grave me lidhjet e tyre romantike. Studimi përfshiu 483 gra heteroseksuale në marrëdhënie të qëndrueshme në Zelandën e Re, dhe rezultatet janë domethënëse:
85% e grave që kryenin marrëdhënie seksuale të paktën një herë në javë u deklaruan të “kënaqura seksualisht”, krahasuar me 66% që kishin marrëdhënie seksuale vetëm një herë në muaj dhe vetëm 17% për ato që kishin marrëdhënie më rrallë.
“Gratë që kryenin marrëdhënie seksuale më pak se një herë në javë kishin dukshëm më pak gjasa të ishin të kënaqura me lidhjen e tyre, gjë që tregon rëndësinë e seksualitetit të rregullt në një marrëdhënie,” tha Dr. Janssen.
Studimi vëren gjithashtu se vlerësimi personal që gratë i japin seksit ndikon në përvojën e tyre. Gratë që e konsideronin seksin si “shumë të rëndësishëm” kishin tendencën të ishin më të lumtura në marrëdhënie. Sipas Dr. Janssen, në disa raste, shpërfillja e rëndësisë së seksit mund të jetë një mekanizëm psikologjik mbrojtës, më shumë sesa mungesë reale interesi për intimitet.
Një tjetër faktor kyç ishte mosha: Gratë në moshën 18-24 vjeç shënuan nivelet më të larta të kënaqësisë seksuale, ndërsa ato mbi 45 vjeç kishin më pak gjasa të ndiheshin të përmbushura në këtë aspekt.
Përtej aspektit emocional, seksi i rregullt sjell edhe përfitime të shumta për shëndetin fizik dhe mendor. Studime të mëparshme kanë treguar se aktiviteti seksual ndikon pozitivisht në humor, imunitet, shëndetin e zemrës dhe jetëgjatësinë. Një studim nga Universiteti i Miçiganit, për shembull, tregoi se gratë seksualisht aktive mes moshës 57-85 vjeç kishin më pak gjasa të vuanin nga presioni i lartë i gjakut. Ndërsa një tjetër hulumtim i kryer në Britani, zbuloi se seksi i rregullt mund të ndihmojë njerëzit të duken deri në 7 vjet më të rinj, falë qarkullimit më të mirë të gjakut dhe reduktimit të stresit.
Në përfundim, studimi vë në dukje se, ndonëse seksi nuk është i vetmi element i rëndësishëm në një marrëdhënie të shëndetshme, frekuenca dhe cilësia e intimitetit luajnë një rol kyç në mirëqenien dhe lumturinë e grave.