Çfarë të thoni: Na tregoni diçka që nuk e ke përmendur në CV

Ndryshe

Çfarë të thoni: Na tregoni diçka që nuk e ke përmendur në CV

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 07:39
Ilustrim

Kur intervistoheni për punën e re, intervistuesit zakonisht duan që të kuptojnë gjëra përtej atyre që keni shkruar në CV. Këto informata mund t’i marrin përmes pyetjeve të ndryshme, por pyetja më e drejtpërdrejtë për këtë është kur rekruterët thonë “Na trego për diçka që nuk e ke në CV!”.

Ajo se çfarë do të zgjedhin nga moria e gjërave që mund t’i tregoni, tregon shumë për juve. Po ashtu kjo është një pyetje që zakonisht vjen pas “Na trego diçka për veten!”. CV është dokument që numëron fakte, por është intervista e punës ajo që e mundëson njohjen e personit pas historisë së punës. Në bazë të kësaj vlerësoheni nëse jeni përshtatje e mirë për kompaninë ose jo, (kjo shkon përtej detyrave të pozitës).

Si të përgjigjeni?

Ndani një pikë të fortë që nuk e keni në CV: Para çdo interviste, specifikoni pikat e forta kryesore që dëshironi të përcillni gjatë intervistës suaj! Kjo lloj pyetje është një mundësi e shkëlqyer që t’i tregoni të mirat tuaja që nuk keni pasur mundësi t’i tregoni në CV.

Për shembull, të folur në publik mund të jetë kërkesë e rëndësishme për punën për të cilën keni aplikuar. Mund edhe të mos keni pasur mundësinë të flisni para grupeve në punët e kaluara, por mund ta përmendi që keni bërë prezantime interesante dhe të rëndësishme në universitet, apo për punë vullnetare. Ose në fund të fundit mund të thoni që jeni gati të bëni gjithçka për zgjidhjen e problemeve.

Ndani një forcë të paprekshme: Pasuritë subjektive si cilësitë personale janë më të vështira për t'u përfshirë në CV, si etika juaj e punës ose besnikëria.

Shpjegoni pse e doni punën: Punëdhënësit shpesh janë më të interesuar për motivimin tuaj për të marrë përsipër punët e caktuara, sesa për njohuritë dhe aftësitë që keni. Kështu që tregoni arsyen se përse kjo punë është kaq tërheqëse për ju!

Ndani diçka personale: Në përgjigjen e kësaj pyetjeje mund të keni mundësinë për të ndarë me intervistuesit edhe ndonjë hobi apo interes me të cilin merreni. Përgjigje të tilla reflektojnë pozitivisht mbi karakterin tuaj, ose edhe të ndikojë që të mbaheni mend në mesin e të gjithë kandidatëve të tjerë.

Shembull: Në pozitën time të mëparshme si menaxher, zbulova se kompania po shpenzonte shumë për gjëra që askush nuk i përdorte. Gjatë kësaj kohe i rishikova porositë e mëparshme dhe gjeta se cilat produkte përdoren më së shpeshti dhe më pas negociova një kontratë më të favorshme me shitësin që i bulonte furnizimet tona. Më pas ndryshova sistemin tonë të porositjes për t’i zvogëluar gjërat që nuk përdoreshin. Kështu, kompania jonë kurseu një shumë të madhe gjatë vitit.

Pse funksionon: Çdo punëdhënës dëshiron që të mos ketë shpenzime të kota që dërgojnë në humbje. Përgjigja tregon se kandidati ka vullnet t’i fillojë gjërat vetë, të jetë negociator i fortë dhe i zgjuar.

Çfarë të mos thuhet?

Pavarësisht që mund të duket si pyetje e hapur e që mund të thuhet çfarëdo që ju vjen në mendje, janë disa gjëra që duhet të shmangen:

Bisedë për një kohë të gjatë: Përgatitja paraprake për këtë përgjigje ju ndihmon që t’i mblidhni mendimet. Mbani përgjigjen e qartë dhe të organizuar sa më shumë që të jetë e mundur! Përgjigja nuk duhet t’i ngjajë monologut, por ta respektojë kohën e rekruterëve.

Recitimi i CV-së tuaj: Vetë pyetja bëhet që të merren detaje shtesë nga dokumentet e aplikimit, kështu që shmanguni përsëritjes së tyre! Mos u ndalni në fazat e hershme të karrierës, të cilat mund të mos jenë të rëndësishme për pozitën që keni tash!

Ndarja e tepërt: Është mirë të flasësh për pasione, por duhet ta keni parasysh që punëdhënësi është më i interesuar për punën tuaj. Qëndroni larg përgjigjeve shumë personale, ose të tregoni ndonjë interes që ju reflekton shumë të dobët si kandidat!

Gjëra negative: Si me çdo pyetje tjetër edhe me këtë jini optimistë! Shmangni gjërat negative për ish-shefat, bashkëpunëtorët ose punëdhënësit! Në të kundërtën punëdhënësit do të mendojnë që një ditë do të trajtoheni njëjtë. Askush nuk dëshiron që të flitet për ta pas shpinës.

Sjellje jo profesionale: Pavarësisht që kjo mund të tingëllojë si një pyetje më e lirshme, nuk është ftesë për të qenë jo profesionalë. Kujdes gjuhën, sjelljen dhe historitë që ndani! /Akademi Pune

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat