Prokurorët kanë hequr disa nga akuzat kundër një gruaje australiane të akuzuar për vrasjen e tre të afërmve dhe plagosjen e rëndë të një tjetri përmes një dreke me kërpudha toksike, njofton BBC.
Erin Patterson nuk do të përballet me gjyq për akuzat se kishte tentuar të vriste edhe bashkëshortin e saj, pasi këto akuza janë tërhequr.
Ajo ende përballet me katër akuza: tre akuza për vrasje dhe një për tentativë vrasjeje, përcjell KosovaPress.
50-vjeçarja ka mohuar gjithmonë fajësinë dhe është deklaruar e pafajshme, ndërsa gjyqi i saj do të nisë në Gjykatën e Lartë të Viktorias të mërkurën. Tre persona vdiqën në spital disa ditë pas drekës së korrikut 2023, përfshirë ish-vjehrrin e Patterson, Don Patterson, 70 vjeç, dhe Gail Patterson, 70 vjeç, si dhe motrën e Gail, Heather Wilkinson, 66 vjeç.
Bashkëshorti i Heather, pastori baptist Ian Wilkinson, 68 vjeç, mbijetoi pas javësh trajtimi në spital.
Juria është përzgjedhur dhe po merr udhëzime nga gjyqtari përpara deklaratave hyrëse, që priten të mërkurën.
Gjyqtari Christopher Beale u tha anëtarëve të jurisë se shumica, nëse jo të gjithë, me shumë mundësi kanë qenë të vetëdijshëm për akuzat e mëparshme që lidhen me bashkëshortin e Patterson, por theksoi se Drejtoria e Prokurorisë Publike i kishte tërhequr ato.
"Me fjalë të tjera... duhet t’i hiqni nga mendja këto akuza", tha ai.
Ai gjithashtu i nxiti ata që të peshojnë provat e çështjes në mënyrë të paanshme, duke përdorur arsyen dhe jo emocionet.
Gjyqi po mbahet në një gjykatë të vogël në Moruell, rreth 60 km nga Leongatha, Viktoria, ku prokurorët pretendojnë se është zhvilluar dreka.