Në një vjetorin e shkuarjës në përjetësi të Rilindasit të fundit, Akademik Idriz Ajeti!

Opinione

Në një vjetorin e shkuarjës në përjetësi të Rilindasit të fundit, Akademik Idriz Ajeti!

Haki Latifi Nga Haki Latifi Më 13 shkurt 2020 Në ora: 13:42
Idriz Ajeti

Idriz Ajeti i përket botës shqiptare si një vlerë e rëndësishme që doli në pah në proceset e vështira të mbijetesës e të përparimit tonë të përgjithshëm. Dhe, me plotë kuptimin e fjalës themi se, rrallëkush u ka vënë shpatullat dhe gjoksin burrërisht punëve të mëdha për çështjen kombëtare, për kulturën shqiptare e për gjuhën shqipe si Akademik Idriz Ajeti. Veprimtaria studimore dhe shkencore e profesor Ajetit, është e gjerë, e thellë në thellësi dhe në kohë.

Profesor Idriz Ajeti u lind në fshatin Tupallë të komunës së Medvegjës, më 26 qershor të vitit 1917. Ishte fjalëpak e punëshumë, Ai i ka dhënë dijes e shoqërisë shqiptare një pirg me vepra dhe shembullin e madh të dijetarit të përkushtuar për të vërtetën shkencore, për dritën e diturisë, që shpie drejt lirisë…

Akademik Idriz Ajeti ishte në ballë të veprimtarëve për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Si bashkëpunëtor i afërm i Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugovës, Ai u bë një protagonist i lëvizjes pavarësiste të Kosovës. Ishte një nga autoritetet e mëdha të kësaj lëvizjeje dhe u zgjodh kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës (1998).

Ai e kishte amë shqipen e atë atdheun. Njëherit, konsiderohet si babai i albanologjisë në Kosovë, ku brezat, pa mëdyshje, do të jenë mirënjohës për trashëgiminë e tij në fushën e dijeve albanologjike dhe në afirmimin e rezultateve të tyre jashtë kufijve kombëtarë e ballkanikë. Shembëlltyrë e studiuesit të historisë së shqipes dhe protagonist i shkëlqyeshëm i botës kombëtare në Kosovën moderne.

Njëherit ishte dijetari me kontribut dhe vepër origjinale themelore në gjuhësi dhe personalitet me ndikim në historinë e mendimit shqiptar, një figurë e shquar e shkencës albanolgjike. Vepra shkencore dhe në përgjithësi veprimtaria gjuhësore e Idriz Ajetit dëshmon se ai, bashkë me kohanikë e paskohanikë të tij, është pasues i denjë i rilindësve tanë, kurse vepra e tij, pos rëndësisë së saj shkencore ka edhe vlerë kuptimore e simbolike për rrugëtimin e shqipes në kontekstin kohor e hapësinor brenda shekullit të tij jetësor.

Akadamik Idriz Ajeti, ndërroi jetë në Prishtinë, më 13 shkurt 2019, në moshën 102 vjeçare, duke lënë pas vetes gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare.
Nderimi dhe kujtimi për të do të jenë të përhershëm sa të jetë shqipja.
Profesor, Shpirti dritë Tu bëftë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat