Carl Bildt kërkon dorëheqjen e Hashim Thaçit- Gazeta Express manipulon deklaratën e diplomatit të lartë suedez në Twitter! - Bota Sot
Carl Bildt kërkon dorëheqjen e Hashim Thaçit- Gazeta Express manipulon deklaratën e diplomatit të lartë suedez në Twitter!

Opinione

Carl Bildt kërkon dorëheqjen e Hashim Thaçit- Gazeta Express manipulon deklaratën e diplomatit të lartë suedez në Twitter!

Elida Buçpapaj Nga Elida Buçpapaj Më 29 qershor 2020 Në ora: 19:30
Carl Bildt

Gazeta Express në Kosovë manipulon sot shëmtuar një deklaratë të Carl Bildt në Twitter nxitur nga fakti se diplomati i lartë suedez dhe Vessela Tcherneva nën drejtoreshë e Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtëme më 26 qershor i kanë kërkuar publikisht dorëheqjen Hashim Thaçit nga posti i Presidentit të Republikës të Kosovës. Ftesë për dorëheqje nga Shtëpia e Bardhë në mënyrë implicite është edhe anullimi i samitit Kosovë-Serbi.

Në një prononcim tjetër tek gzeromedia.com, Bildt shkon më tutje dhe thotë se nëse vërtetohet pretentimi i Prokurorit, Thaçi rrezikon arrestimin.

Dhe pas këtyre prononcimeve të Carl Bildt, gazeta Express për “hakmarrje” manipulon diplomatin e lartë suedez në mënyrën më të pacipë të mundshme.

Pse them “në mënyrën më të pacipë të mundëshme”?

Sepse Carl Bildt këtë deklaratë e ka bërë në Twitter, çka do të thotë se mund të verifikohet lehtë. Ka shumë anglishtfolës shqiptarë që tashmë kanë hyrë për kuriozitet në rrjetin social dhe kanë konfrontuar se ajo që thotë Express në titull,  nuk përkon absolutisht me të vërtetën që e ka shprehur qartë e pa ekuivoke Diplomati suedez.

Gazeta Express që në titull lajmëron se “Bildt vajton humbjen e serbëve në Betejën e Kosovës”. Është krejt fake ose thjeshtë shpifje titulli i Gazetës Express.

Në ditën kur serbët kujtojnë Betejën e Kosovës të 1389, Vidovdanin që bie më 28 qershor, Carl Bildt shkruan ekzaktësisht kështu në Twitter: “A day of historic battles. Many Serbs are still agitated over their loss in the Kosovo battle, but you would be hard pressed to find any Swede who really cares about the loss at Poltava more than three hundred years later.” Që po të shqipërohet shkon pak e shumë kështu: “Një ditë betejash historike. Shumë serbë janë ende të shqetësuar për humbjen e tyre në Betejën e Kosovës, por ju do t’ju bëjë përshtypje të fortë nëse do të gjeni të paktën një suedez që t’i shkojë mendja të interesohet për humbjen në Poltava më shumë se treqind vjet më vonë. (Në Betejën e Poltavës zhvilluar më 8 korrik 1709  Perandoria Suedeze u mund nga ushtria e Pjetrit të Parë të Rusisë – shpjegimi im EB)

Pra sikur shihet qartë, krejt ndryshe nga sa manipulon Gazeta Express e Kosovës, Carl Bildt nuk vajton, por në mënyrë shumë elegante diplomatike u kujton serbëve të heqin dorë nga mitomania që po mban peng Serbinë, Kosovën dhe rajonin.

Kosova nuk duhet të harrojë kurrë se diplomati i lartë suedez Carl Bildt është një nga mbështetësit e Kosovës në këto mbi dy dekada histori moderne. Ai ka qenë kryeministër i Suedisë dhe Ministër i Jashtëm prej 2006 deri 2014, ku përfshihet edhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur më 4 marsin e 2008 nga Suedia.

Pra me pak fjalë, janë shumë të ulta sulmet me bazë shpifje që vijnë nga Kosova në adresë të Carl Bildt vetëm se ky ka shprehur publikisht qëndrimin e tij se Hashim Thaçit i ka ardhur koha që të japë dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës, aq më tepër kur gjithë Kosova mbarë, përfshi edhe gazetën Express kanë njohuri të plota se si Hashim Thaçi me manipulime e ka uzurpuar këtë post.

Sikur tashmë dihet Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Aktakuza pretendon se ata dhe gjithësej rreth dhjetë persona dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 vetëve. Gjykatësi i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar aktakuzën dhe do të marrë vendim nëse do ta konfirmojë atë.

Në aktakuzën që Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti për shqyrtim Dhomave të Specializuara për Kosovën Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe disa persona të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të personave, përndjekje dhe tortura.

Gjithashtu në njoftimin e prokurorit të specializuar thuhet më tej se “Prokurori i specializuar  e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës Speciale. Besohet se zoti Thaçi dhe zoti Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtënuar drejtësisë.” “Nëpërmjet këtyre veprimeve zoti Thaçi dhe zoti Veseli, kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës.” – thuhet në njoftim.

Tashmë prej kohësh në opinion flitet publikisht për listën që ka përpiluar Gjykata Speciale me emrat e më të fuqishmëve të politikbërjes në Kosovë. Edhe dialogu Kosovë-Serbi është përfolur si një deal i Thaçit me Vuçiç, që Hashimi për t’i shpëtuar Hagës, është treguar i gatshëm të godasë në sovranitetin territorial e shtetëror të Kosovës të mbrojtur nga KFOR dhe NATO – prej 12 qershorit 1999 pas përfundimit të një konflikti gjakatar kur Milosheviçi e humbi luftën.

Me pak fjalë Hashim Thaçi, për t’i shpëtuar Hagës, është treguar i gatshëm të kallë rajonin në flakë, pasi Serbia nuk ka ndryshuar asnjë qasje dhe nuk ka demonstruar asnjë zbutje qendrimesh ndaj Kosovës.

Dhjetëshen e Drenicës me destinacion Gjykatën Speciale e ka marrë nëpër gojë edhe Milaim Zeka. Kam parasysh një deklaratë të tij gati dy vjet më parë tek Televizion7, për “emra të profilit më të lartë të Drenicës që do të ftohen nga Haga”, ku Zeka parashikonte Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Agim Çekun, Azem Sylën… dhe pritej sipas Zekës që në listë të përfshihej edhe Hashim Thaçi.

Por kur dukej se Hashim Thaçi në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë po e përmbyllte me sukses luftën e tij të nëndheshme për t’a hequr emrin e vet nga lista, udhëtimi i tij për në Washington DC anullohet bashkë me takimin. Pikërisht në prag të nisjen, Prokurori Special, i emëruar nga Presidenti Trump dorëzon aktakuzën. Daniel Serwer me të drejtë supozonte se vendimin e Prokurorit Special nga të parët që e ka marrë vesh ka qenë Ambasadori Richard Grenell, i cili nga ana e tij e inkurajoi Hashim Thaçin të respektojë procedurat.

Për mua respektim procedurash do të thotë:

së pari, anullimi “nga Hashim Thaçi” i udhëtimit në Washington DC. E kam futur në parantezë sepse Hashim Thaçit do t’ia kishte ënda shumë që ta bënte këtë udhëtim edhe pas dorëzimit të aktakuzës por Shtëpia e Bardhë ia ka mbyllur derën.

së dyti, Hashim Thaçi duhet të japë dorëheqjen. Sikur veproi Ramush Haradinaj. Sikur ia sugjeron Carl Bildt, Daniel Serwer e shumë personalitete të njohura, sepse funksionimi i drejtësisë kërkon që Hashim Thaçi të zhvishet nga pushteti politik i Presidentit të Republikës.

A nuk duket sikur Hashim Thaçi po vijon luftën e tij për t’ju shmangur drejtësisë ?

Edhe manipulimi që Gazeta Express i bën deklaratës të diplomatit të njohur suedez Carl Bildt duket si “obstruction of truth” – si pengim dhe sabotim i të vërtetës për të manipuluar opinionin publik.

Mjaftoi vetëm që diplomati Carl Bildt të shprehë mendimin për procedurat që duhet të ndjekë Hashim Thaçi dhe deklarata e diplomatit të lartë suedez u kthye në fakenews-in e ditës në mes të ditës!/Voal.ch/

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat