Vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mund ta shpëtojnë Kosovën nga kolapsi politik, ekonomik dhe shëndetësor..!

Opinione

Vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mund ta shpëtojnë Kosovën nga kolapsi politik, ekonomik dhe shëndetësor..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 31 korrik 2020 Në ora: 09:46
Rexhep Elezaj

Një gjë është e sigurt, se Kosova tanimë ka hyrë në një kolaps të rënd politik, ekonomik dhe shëndetësor, dhe këtë fakt më së miri e tregon raporti i publikuar dje nga institucionet shëndetësore, se vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 16 persona dhe 258 të tjerë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Pra, Kosova doli në vendin e parë në botë për nga numri i të vdekurve nga Covid-19, gjë që flet bindshëm se Qeveria “Hoti” dhe gjithë ata të cilët e bënë atë kryeministër, janë fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë për gjendjen tepër të rënd në shëndetësinë e Kosovës. Pra, kjo dëshmon katërçipërisht se pushtetarët aktualë kanë dështuar plotësisht në ballafaqim me pandeminë e Koronavirusit, sidomos në mbrojtjen e popullatës nga vdekjet e shkaktuara nga Covid-19-të..!?

Po ashtu, 20 vite pas çlirimit Kosova gjendet në kolaps të thellë politik, për shkak kryekëput të veprimeve antiligjore të uzurpatorëve të meritave të luftës dhe shkeljes së gjakut të dëshmorëve të kombit, ngase ishin të “bindur” se historia e Kosovës fillonte dhe mbaronte me ta, e të cilët siç dihet bënë veprime tejet të dëmshme politike dhe shtetërore, gati sa nuk e kthyen Kosovën nën Serbi, etj., djallëzi këto epilogu i të cilave doli të jetë tragjik dhe i pa kurrfarë rezultati politik për shtet-ndërtimin e më tejmë të Kosovës!

Analizoni ngjarjet e fundit politike se në çfarë mënyre Avdullah Hoti u bë kryeministër si kandidat nga partia e “dytë” fituese në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, i cili së pari e ndihmoi puçin e LDK-së, alias të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit për ta përmbysur qeverinë “Kurti” me qëllim ogurzi për t’u bërë pastaj vetë kryeministër në mënyrë antikushtetuese!

Shikoni se si qeveria “Hoti” po e menaxhon pandeminë e Coronavirusit, i cili qëkur e ka marrë qeverinë në duart e tij, Kosovën e ka mbuluar shëmtia nga vdekjet e përditshme si dhe infektimet e mijëra qytetarëve, duke e zhytur kështu çdo ditë e më thellë vendin në kolaps të tmerrshëm shëndetësor, ku numri i të vdekurve nuk ka të ndalur..!?

Shihni se si A. Hoti në takimin me A. Vuçiçin ka shkuar fare i papërgatitur, njëjtë siç bënte dikur H. Thaçi, pa kurrfarë Platforme dhe agjende për negocim, pa ekip të ekspertëve dhe politikanëve me përvojë, madje edhe ky sikur Ramush Haradinaj kur ishte kryeministër që ia dha kompetencat presidentit për t’i udhëhequr bisedimet me Serbinë, njëjtë edhe Avdullah Hoti ia kaloi kompetencat e tij negociuse kolegut të vet partiak, Skënder Hysenit, si koordinator, edhe pse e dinte se askush tjetër sipas kushtetutës nuk ka të drejt të zhvillojë bisedime me palën serbe përveç kryeministrit..!?

Ndërsa, kolapsi ekonomik e ka shndërruar Kosovën dhe qytetarët e saj një shoqëri amorfe dhe të pashpresë të cilës i ka humbur vullneti për punë dhe jetë, sepse në Kosovë sistemi ekonomik dhe financiar kanë rënë për toke, ku nuk prodhohet gati asgjë për eksport, ku nuk ka asnjë fabrikë që prodhon artikuj industrial për tregjet e jashtme, ku nuk ka kurrfarë eksploatimi të pasurive mbi dhe nëntokësore, ku këmbimi tregtar me disa vende të vogla nuk i plotëson as 2% të nevojave për jetesë të popullatës, dhe ku skamja dhe varfëria ekstreme e popullatës ka arritur mbi 50%..!?

Në fakt, nuk eksportohet asgjë që vendit tonë do t’i sillte ndonjë profit buxhetor, pastaj bujqësia, blegtoria dhe pemëtaria nuk ekzistojnë pothuajse fare, madje edhe ai pak prodhim bujqësor që bëhet në sektorin privat nuk i plotëson as 1% të nevojave për jetesë. Investimet e huaja kapitale në Kosovë janë barazi me zero, për shkak se investitorët e huaj nuk pranojnë të korruptohen nga ana e tenderuesve vendorë, andaj edhe nuk vijnë të investojnë në Kosovë, madje as biznesmenët kosovarë të cilët punojnë në vendet perëndimore, sepse pushteti i korruptuar i Kosovës nuk iu ofron kurrfarë garantësh financiare, etj., fakte këto të cilat ekonominë e Kosovës e kanë shkatërruar të tërën..!?

Prandaj, zgjidhja dhe rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë e thellë ekonomike dhe shoqërore, është mbajtja e zgjedhjeve të menjëhershme dhe të jashtëzakonshme parlamentare, ngase ato janë imperativ mbi çdo detyrë dhe obligim tjetër politik dhe kombëtar, dhe se çdo vonesë në këtë drejtim do të ketë pasoja katastrofale për shtetin dhe të ardhmen tonë evropiane!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat