Urgjentisht të mblidhet Kuvendi dhe me Rezolutë ta shpallë të papranueshme marrëveshjen e djeshme

Opinione

Urgjentisht të mblidhet Kuvendi dhe me Rezolutë ta shpallë të papranueshme marrëveshjen e djeshme

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 5 shtator 2020 Në ora: 11:01
Kuvendi i Kosovës

Se, marrëveshja e nënshkruar dje në Shtëpinë e Bardhë në Washington D. C. midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin amerikan, është në funksion të fushatës parazgjedhore të presidentit D. Trump, dhe  këtë fakt e kanë të qartë gjithë ata të cilët sado pak e njeh politikën amerikane!

Por, presidenti Donald Trump me nënshkrimin trilateral të marrëveshjes së djeshme në Shtëpinë e Bardhë; SHBA-Kosovë-Serbi, sipas përmbajtjes së saj prej 16 pikash, në rend të parë dhe para se gjithash, regjimin e Serbisë hegjemoniste e ka amnistuar plotësisht nga gjenocidi dhe gjitha krimet e bëra në Kosovë në fund të shekullit të kaluar (1990-99), sepse në tekst të marrëveshjes nuk përfshihet fare kërkim-falja e Serbisë ndaj shqiptarëve për krimet dhe dëmet që ajo ia ka shkaktuar Kosovës në luftën e fundit.

Askund në preambulë si dhe në tekst të marrëveshjes nuk figuron emri “Republika e Kosovës”, duke lënë të kuptohet se ajo është “pjesë” e Serbisë, ku shënohet vetëm emri Kosovë, ndërsa në kllapa menjëherë shkruhet (Prishtinë), pastaj askund nuk përmenden  krimet monstruoze si dhe dëmet e luftës që regjimi i Millosheviçit ia ka bërë Kosovës, ndërsa për kthimin e afër 1700 trupave të shqiptarëve të vrarë dhe të hudhur në lumin Danub e të varrosur në varreza masive nëpër Serbi, flitet vetëm shkarazi.

Po ashtu, në këtë marrëveshje flitet ekstra dhe në detaje për ndërtimi i hekurudhës dhe autostradës Nish-Prishtinë e deri në portin e Shëngjinit në bregdetin e Shqipërisë, të cilat linja dhe rrugë i mundësojnë Serbisë dalje në detin Adriatik, aspiratë kjo shekullore dhe hegjemoniste e saj për t’i pushtuar ujërat e ngrohta të detit shqiptar!

Madje, me këtë marrëveshje Kosova detyrohet t’i bashkohet Mini-shengenit, e që kjo në praktikë nënkupton pranim të dominimit politik dhe ekonomik të Serbisë në rajon si dhe anulim të pavarësisë së Kosovës, kurse ndarja e liqenit të Ujmanit nënkupton favor të madh ekonomik për Serbinë, ndërsa dhënia e statusit eksterritorial kishave serbe, nënkupton copëtim të serishëm të territorit të Kosovës në kibucë të tipit izraelit si dhe uzurpim të plotë të monumenteve historike kishtare të shqiptarëve në Kosovë.

Më pas, përfshirja në tekstin e marrëveshjes të organizatës shiite libaneze të “Hizbullahut”, pikë kjo e cila nuk ka asgjë të përbashkët me ekonominë e rajonit, por as me sigurinë e Republikë së Kosovës, sepse Kosova nuk rrezikohet fare nga kjo organizatë.

Vënia e moratoriumit nga ana e qeverisë së Kosovës për shtruarjen e kërkesave për anëtarësim të saj në organizatat ndërkombëtare për një vit, nënkupton shumë qartë ngrirje të statusit të pavarësisë së Kosovës për t’i dhënë kohë Serbisë, ndërsa njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit në mënyrën dhe vendin ku ajo u shpall, ngërthen në vete shumë pyetje dhe dilema, përgjigja në të cilat nuk është aq e thjeshtë, sidomos trajtimi i Kosovës në këtë marrëveshje si vend mysliman është i papranueshëm, por edhe vendosja e ambasadës tonë në Jerusalem e jo në Tel-Aviv, duhet të refuzohet, kur dihet fare mirë se OKB-ja nuk e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, si dhe shumë çështje tjera të cilat fund e krye shkojnë në favor të Serbisë dhe në dëm të pariparueshëm për shtetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës..!?

Prandaj, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëse kanë sado pak sens politik dhe ndjenja kombëtare, duhet urgjentisht të mblidhen në seancë të jashtëzakonshme dhe me Rezolutë të veçantë ta shpallin të papranueshme marrëveshjen e djeshme të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, po qese duan ta shpëtojnë nga zhbërja shtetin dhe sovranitetin e Kosovës, pavarësia e të cilit me këtë marrëveshje është vënë seriozisht në pikëpyetje..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat