Kosova Lindore të vihet nën misionin paqësor të OKB-së - Bota Sot
Kosova Lindore të vihet nën misionin paqësor të OKB-së

Opinione

Kosova Lindore të vihet nën misionin paqësor të OKB-së

Nga: Prof.Dr. Mehdi HYSENI Më: 20 janar 2013 Në ora: 18:55

Përmendorja e UÇPBM-së nuk është "një copë guri", por një copë abetare, një copë komb, një copë dhe, një copë flamur dhe një copë atdhe e Shqipërisë etnike!

-Po të kishin pasur një koce mend “gjelat e detit” të Kosovës, që tani, pas nëntë vitesh, kanë filluar të “kakarisin”, kinse për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, që janë të ndërlidhura ngushtë me Përmendoren e UÇPBM-së. -Ata, së pari, për ta arritur objektivin e tyre historiko-politik, kombëtar dhe shtetëror, do të duhej që në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), të sanksionin edhe territorin e Anamoravës së rrudhosur nga Serbia kolonialiste (Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën). Një gabim i këtillë fatal politik dhe juridiko-kushtetues nga ana e Prishtinës, bëri që shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, të braktisën dhe të lihen nën Serbinë kolonialiste (1878-2013).
Patjetër, do të duhej që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të përfshiheshin në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), në vend të dispozitës antihistorike, antiligjore dhe antikushtetuese se gjoja "Kosova nuk do të bashkohet me asnjë vend fqinjë".
Kjo është dashur të bëhej me çdo kusht, tani, çdo gjë është vonë dhe, krejtësisht retorikë gjoja se Prishtina dhe Tirana, do ta ndihmojnë Anamoravën, ashtu sikurse Shqipëria (ndoshta) që e “ndihmoi” Kosovën (1989-1999), duke e lënë me të “dy këmbët në baltën e gjallë” të flakës dhe të zjarrit të terrorit, të agresionit dhe të gjenocidit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999).
Zgjidhja e çështjes së përmendores së UÇPBM-së ka të bëjë me zgjidhjen e statusit politik dhe autonom të shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës. Mirëpo, në këtë pikëvështrim as Prishtina e as Tirana, nuk mund të ndihmojnë shumë, pavarësisht nga deklaratat zyrtare të autoriteteve qeveritare të Tiranës dhe të Prishtinës mbase që tw dyja kanë “shkarë deri në fyt” në dialogun e Kosovës me Serbinë për statusin politik të serbëve në Veriun e Kosovës.
Në këtë vështrim mund të ndihmojë vetëm Amerika, BE-ja dhe NATO-ja, askush tjetër.
Përmendorja e UÇPBM-së nuk është “një copë guri”, por simbol, që rikujton historinë e identitetit kombëtar, territorial dhe shtetëror të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.
Kjo është ajo që po i dhemb kryeministrit (slobës së vogël), Ivica Daçiqit dhe qeverisë së tij në Beograd, jo shprehja çoroditëse e “një copë guri”.
Si pasojë e lënies me të “dy këmbët në akull” të vëllezërve tanë në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë si nga ana e Prishtinës, ashtu edhe nga e Tiranës, qeveria e sotme kolonialiste dhe neokolonialiste e kryeministrit Ivica Daciq, i kërcënon shqiptarët e Preshevës, të Bujanoci dhe të Medvegjës, se do ta rrëzojë me forcë përmendoren e UÇPBM-së, po qe se ajo nuk rrënohet nga vetë ndërtuesit e saj shqiptarë.
Nuk është fjala për “një copë guri” , siç deklaroi një gazetar diletant dhe injorant i RTK-së (i cili vërtet në TV, dukej edhe më i ftohtë se guri, pa asnjë pikë gjaku dhe, pa kurrfarë ndjenjash shqiptare), më 15 janar 2013, sepse po të ishte ashtu, qeveria e Serbisë fare nuk do ta problematizonte atë farë “guri”, por kemi të bëjmë me një përmendore historike të luftës së UÇPBM-së, e cila luftoi për mbrojtjen dhe për ruajtjen e vlerave dhe të identitetit të kombit shqiptar në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjë, që historikisht i përkasin Shqipërisë Etnike. Mirëpo, fatkeqësisht UÇPBM-ja nuk pati ndihmën as të Prishtinës e as të Tiranës(!)
Kjo është esenca e problemit politik midis Preshevës, Prishtinës dhe Tiranës, e JO kurrfarë “copë guri”, siç pohoi një gazetaruc i RTK-së, sepse po të ishte ashtu nuk do të pasonin kurrfarë reagimesh kontradiktore në relacionin Beograd – Preshevë – Prishtinë – Tiranë.
Sikur Propozimi im sugjerues i vitit 2003, të merrej në konsideratë nga piramida e politikës qeveritare ( Prishtinë – Tiranë), sot, pas 9 vitesh, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, e as Prishtina dhe Tirana, nuk do të ballafaqoheshin me një problem të tillë, i cili pretendon të shndërrohet në një konflikt të ri të armatosur me Serbinë, po qe se nuk ndërhyjnë faktorët ndërkombëtarë (Amerika, NATO-ja, OKB-ja dhe BE-ja) në zgjidhjen e tij me rrugë dhe me mjete paqësore në favor të mbrojtjes tw së drejtës historike dhe të vetëvendosjes së shqiptarëve mbi territorin e tyre etnik, që historikisht i përjetë Shqipërisë Etnike, jo Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale (1878-2013).
Ky koment sugjerues Preshevës, Prishtinës, Tiranës dhe OKB-së, që Anamorava e rrudhosur e Shqipërisë Etnike (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), të vihej nën mandatin mbikëqyrës juridiko-politike ndërkombëtar, është shkruar dhe publikuar qysh në vitin 2003. Mirëpo, fatkeqësisht as Prishtina e as Tirana, nuk janë “kërleshur” për këtë problem jetik të fatit të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe në Medvegjë.
Si pasojë e një papërgjegjësie dhe një margjinalizimi të tillë absurd të shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës nga ana e boshtit Tiranë – Prishtinë, qeveria e Serbisë me në krye Ivica Daciq, ka paralajmëruar “beteja të reja” nëse në mënyrë paqësore nuk rrëzohet përmendorja e UÇPBM-së nga vetë shqiptarët.
Sipas doktrinës dhe standardeve më të reja të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe së këndejmi edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, parandalimi i konflikteve të armatosura ndërkombëtare, është imperativ moral, humanitar dhe obligim juridik ligjor ndërkombëtar.

Të parandalohet ndërmarrja e ofensivave ushtarake-policore nga Serbia

Sipas doktrinës dhe standardeve më të reja të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe së këndejmi edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, parandalimi i konflikteve të armatosura ndërkombëtare, është imperativ moral, humanitar dhe obligim juridik ligjor ndërkombëtar. Në këtë frymë, është konceptuar lënda, dhe objektivat e diplomacisë preventive ndërkombëtare, që parashikojnë masat preventive politike, ekonomike dhe humanitare, me qëllim të shpëtimit të jetëve të njerëzve të pafajshëm, të interesave ekonomike si të vendeve të involvuara drejtpërdrejt në konfliktet e armatosura, ashtu edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Sipas strategëve dhe teoricienëve të diplomacisë preventive, ndërmarrja e masave parandaluese të diplomacisë preventive, është në interes të dyfishtë si të aktorëve të involvuar në konflikt (për t’iu shmangur me çdo kusht çmimit shumë të lartë të “financimit” të konfliktit si në kohë lufte, ashtu edhe pas përfundimit të saj, në kohë paqeje, gjatë procesit të rindërtimit), ashtu edhe të bashkësisë ndërkombëtare, që të mos iu ekspozohet çmimeve shumë të larta financiare dhe investuese, por të ruajë kredibilitetin e saj ndërkombëtar, duke ndërhyrë me kohë në pezullimin e konflikteve të armatosura kudo qoftë në botë.

Gjithashtu, edhe riaktualizimi i konfliktit të armatosur serb në Luginën e Preshevës mbi popullatën civile shqiptare, dhe mbi pjesëtarët e UÇPBM-së, më 8 shkurt 2003, duhet të jetë objekt shqyrtimi urgjent, në radhë të parë për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, sepse qeveria e Serbisë, e drejtuar nga kryeministri i saj, Zoran Gjingjiq, dhe nënkryetari i saj, Nebojsha Çoviq, sipas modelit të ish-regjimit policor-ushtarak e paramilitar të ish-diktatorit Slobodan Milosheviq, kanë aktivizuar, dhe vënë në veprim forcat banditeske serbe në territorin etnik shqiptar të fshatrave dhe të qyteteve të Luginës së Preshevës. Si pasojë e ushtrimit të formave dhe “skemave” më drastike të pushtimit dhe të sundimit kolonial klasik serb, siç janë: (i) terrori vertikal, (ii) procesi i terrorit, (iii) regjimi i terrorit dhe (iv) terrori gjenocid mbi të drejtat legjitime dhe legale të shqiptarëve, dhe të institucioneve të tyre demokratike, ekonomike, politike dhe kombëtare shtetërore, të cilat reflektojnë drejtpërdrejt dhe tërthorazi në prishjen e paqes dhe të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, nevojitet që me procedurë urgjente të aprovojë Rezolutën speciale për të parandaluar konfliktin e armatosur në Luginën e Preshevës. Miratimi i një Rezolute të këtillë, do të legalizonte ligjërisht që Lugina e Preshevës të vihej nën administrimin e drejtpërdrejtë të Misionit Paqësor të kaskave blu të OKB-së, sikurse në rastin e Kosovës, më 12 qershor 1999. Kjo do të ishte një nga masat më të justifikueshme morale dhe humanitare të drejtësisë dhe të rendit juridik ndërkombëtar jo vetëm ndaj kufizimit të ushtrimit të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, por edhe në zgjidhjen e drejtë dhe të favorshme të këtij konflikti në interes të dy palëve të konfrontuara, si rrjedhim i logjikës së shfrenuar të kolonializmit dhe militarizmit serbomadh kundër qenies shqiptare, dhe territorit të saj etnik.
Për të penguar edhe një pastrim etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i cili (duke rikujtuar kontinuitetin e hidhur të politikës gjenocide serbomadhe ndaj shqiptarëve të kësaj ane, që nga viti 1876 e deri më 2003) ka filluar paralelisht me spastrimin etnik të vëllezërve të tyre në Kosovë 1989-1999), me çdo kusht, nevojitet të aktivizohet që tani Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të nxjerrë Rezolutën përkatëse për të shpëtuar me kohë popullin shqiptar të pafajshëm nga reprezaljet dhe gjenocidi i aparatit shtetëror serbomadh të Beogradit, të drejtuar nga tandemi Zoran Gjingjiq (kryeministër), dhe Nebojsha Çoviq (zëvendësministër) të Qeverisë së Serbisë.
Në potez diplomacia preventive paqësore e boshtit Preshevë-Prishtinë-Tiranë-Nju-Jork-Uashington-Bruksel!
Duke mbajtur parasysh faktin se, e gjithë teknologjia e metodave dhe e formave të ushtrimit të dhunës dhe të terrorit të qeverisë së Serbisë kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës, janë të dënueshme sipas Nenit 2 të Konventës së Gjenevës kundër krimit të gjenocidit(1948), autoritetet e qeverisë multietnike të Prishtinës dhe ato të Qeverisë së Tiranës, nevojitet që me procedurë të shkurtër të bashkërendojnë aktivitetin e tyre politik, në mënyrë që të ndërtojnë strategjinë e përbashkët për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Repriza e zhvillimit të ngjarjeve të fundme (7-8 shkurt,2003, kur pjesëtarët e ekspeditave të sigurimit dhe të xhandarmerisë policore serbe, kanë përdhosur flamurin kombëtar shqiptar mbi varrin e dëshmorit të UÇPBM-së, Ridvan Qazimi, viktimë kjo, po e të njëjtave reparteve ndëshkimore të forcave serbe, ditën e arritjes së Marrëveshjes paqësore të Luginës së Preshevës) në këtë rajon, u dikton si zyrtarëve të Qeverisë së Prishtinës, ashtu edhe atyre të Qeverisë së Tiranës, që problemin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ta fusin si prioritet në agjendën e politikës së jashtme të Shqipërisë. Duke qenë se Kosova ende nuk është e përfaqësuar në organizmat e bashkësisë ndërkombëtare, diplomacia dhe politika e jashtme të Shqipërisë, nevojitet që përmes ambasadorit të tyre, i cili është i akredituar në misionin diplomatik në kuadrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, të parashtrojë urgjentisht çështjen shqiptare të Luginës së Preshevës për shqyrtim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Prandaj, për të prishur statu-quo-në e politikës kolonialiste serbe të Beogradit në territorin shqiptar të Luginës së Preshevës, politika zyrtare e Qeverisë së Tiranës është në potez, që të sensibilizojë sponsorimin e Projektrezolutës në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Një vendim të këtillë, politika e jashtme e Shqipërisë, duhet ta ketë marrë sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që të parandalojë me kohë ndërmarrjen e ofensivave ushtarake-policore të regjimit serb kundër shqiptarëve, që kanë për qëllim kryesor spastrimin e etnik të territorit të Luginës së Preshevës.

Serbia duhet të revidojë në tërësi strategjinë e saj ndaj shqiptarëve

Duhet ta kemi të qartë të gjithë, se pa lëvizjen e politikës së jashtme të shtetit shqiptar si në relacionet e drejtpërdrejta me Beogradin (duke qenë se Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira dhe të ngrohta diplomatike me Beogradin, edhe pse, deri tani asnjë problem i shqiptarëve nuk është zgjidhur në favor të tyre, për shkak të bllokadave dhe të shantazheve të diplomacisë fishkëlluese koloniale të Serbisë ndaj shqiptarëve si në Kosovë, ashtu edhe në Anamoravë), ashtu edhe me partnerët e saj në bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, nuk mund të ketë asnjë formë zgjidhjeje të pranueshme për statusin e shqiptarëve në rajonin e Luginës së Preshevës. Tani për tani, e vetmja zgjidhje optimale e çështjes së Luginës së Preshevës (në interes të dy palëve konfrontuese), është vënia e saj nën mandatin e drejtpërdrejtë të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Arritja e këtij opsioni paqësor, mund të vijë në shprehje të plotë vetëm po qe se qeveria e Serbisë, e Kosovës dhe e Tiranës, do të angazhoheshin seriozisht për zgjidhjen e këtij problemi të nxehtë në kuadrin e Kombeve të Bashkuara. Ndryshe, çdo opsion tjetër, do të çojë në provokimin e një lufte të re me përmasa ballkanike.
Të gjitha argumentet valide janë në anën e politikës së jashtme të Shqipërisë, sepse në Luginën e Preshevës, të gjitha format dhe aksionet terroriste, që po kryhen mbi popullatën civile shqiptare, janë “produkte” të propagandës dhe të politikës së aparteidit të Qeverisë së Republikës së Serbisë, e jo kurrsesi të subjekteve politike shqiptare, ose të ish-UÇPBM-së, siç po akuzohen këto nga titullarët, ekzekutuesit dhe improtuesit e drejtpërdrejtë të të gjitha formave të terrorizmit shtetëror serbo+maqedon.

Për t’i shkallmuar akuzat dhe formulimet e këtilla me “pezhorativin terrorizëm” shqiptar në kurriz të shqiptarëve, të cilët de facto dhe de jure janë viktima, e në asnjë mënyrë kryerës dhe urdhërdhënës të tij, politika shqiptare në trekëndëshin Preshevë-Prishtinë-Tiranë, duhet të hidhet në ofensive, që me asnjë kusht të mos pranojë “amputimet” e huaja të bagazhit terrorist serbo-maqedon, sepse këta janë vetë eksportuesit, dhe bartësit kryesorë të tij, jo vetëm në territorin etnik shqiptar të kolonizuar, por edhe në rajonet e tjera të shteteve fqinje si në Kroaci, në Bosnjë dhe në Shqipëri etj.

Për të evituar kolerën e terrorizmit kolonial, të organizuar shtetëror serbomaqedon në Anamoravë, politika shtetërore shqiptare, nevojitet që përmes formave institucionale, të sanksionuara në kartën e OKB-së dhe në të drejtën ndërkombëtare, të marrë hapa seriozë, dhe vendime konkrete si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke insistuar që të vërë në lëvizje mekanizmat meritorë të diplomacisë preventive, të cilët veprojnë në mënyrë të efektshme, sipas terapisë së përshkruar juridike ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara. Në këtë kontekst, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka për detyrë që, t’ i përcaktojë medikamentet, dhe dozën përkatëse për shërimin me sukses të sëmundjes kronike të kolonializmit serb në trupin e huaj shqiptar. Mirëpo, për t’u arritur një imperativ i këtillë efektiv i recetës paqeruajtëse të diplomacisë preventive të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi. A. Annan, është e domosdoshme që paraprakisht politika e njësuar shqiptare, ta ketë caktuar diagnozën e saktë të “sëmundjes” së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilën në mënyrë alarmuese, duhet t’ia dërgojnë (me shenjën urgjent) për verifikim askujt tjetër veçse Këshillit të Sigurimit, i cili pa dyshim, do të vepronte në përputhje me nenin 2, paragrafi 3 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit parashikohet që, të gjitha konfliktet ndërkombëtare të zgjidhën me mjete paqësore, në mënyrë që të mos rrezikohet drejtësia, paqja dhe siguria ndërkombëtare.

Bazën e qëndrueshme juridike të aplikimit të nenit 2 paragrafët 3 dhe 7 të Kartës së OKB-së, e përbëjnë veprimet terroriste, plaçkitja dhe asgjësimi i pasurisë, dëbimi me dhunë i popullatës civile shqiptare nga ana e forcave policore e paramilitare të pushtetit legjitim serb të Beogradit, në mënyrë që të kryejnë pastrimin etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Krijimi i gjendjes së këtillë (pavarësisht se në rastin konkret kemi të bëjmë me konflikt të karakterit të brendshëm) në Luginën e Preshevës sipas së drejtës ndërkombëtare, karakterizohet si krim ndërkombëtar, gjë që kjo sheshit vë në dukje faktin se rrezikon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Pavarësisht nga ekzagjerimi dhe sofistikimi i problemit faktik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga fushata e mjeteve propagandistike të regjimit serb të Beogradit si para opinionit të brendshëm, dhe atij ndërkombëtar, që ka për qëllim ta fajësojë palën shqiptare për “terrorizëm”, dhe se gjoja po “provokon luftë kundër Serbisë”, qarqet “demokratike e liberale” të regjimit serb, duhet të lirohen njëherë e përgjithmonë nga ambiciet e sundimit kolonial të shqiptarëve, si dhe të tokave të tyre etnike, sepse ka perënduar koha e sistemeve të aleancave të shenjta ruso-frënge-serbe, si dhe paradokset e ekuilibrit të forcës, dhe të diplomacisë shqetësuese të Oto Von Bizmarkut për korrigjimin e “padrejtësive të bëra” ndaj sllavëve të Jugut të Ballkanit. Gjithashtu, Serbia fqinje, duhet të revidojë në tërësi strategjinë e saj ndaj shqiptarëve në Ballkan, sepse pas shembjes së Murit të Berlinit(1989), dhe të Perandorisë famëkeqe-Bashkimit Sovjetik, ka filluar plotësisht një etapë e re në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kanë ndryshuar polet e gravitetit të forcave politike si në kuptimin rajonal, evropian, ashtu edhe në atë botëror. Pa dyshim, këto ndryshime rrënjësore në sfondin e marrëdhënieve ekonomike, politike dhe gjeopolitike ndërkombëtare, kanë ndikuar pozitivisht te shqiptarët në Ballkan, sepse përherë të parë në historinë e tyre, kanë përjashtuar dialektikën shekullore të armiqve të përhershëm të shqiptarëve. Tashti, shqiptarët, sikurse edhe popujt e tjerë në botë, nuk kanë më vetëm armiq të përhershëm, por kanë edhe miq të fortë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbështetin politikën dhe strategjinë paqësore të shqiptarëve në Ballkan.

Po ashtu, parapëlqehet që Serbia, të shkurorëzohet njëherë e përgjithmonë nga aplikimi i strategjisë nazifashiste, të ashtuquajtur “Lebensraum” në kurriz të shqiptarëve në Ballkan, sepse shqiptarët tanimë e kanë humbur statusin e “monedhës së kusurit” në saje të luftës çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së kundër okupatorit gjenocidal serbo+sllav, dhe tani janë bërë faktor respektues, dhe me peshë relevante si në kuptimin strategjiko-politik, ashtu edhe në atë ushtarak e diplomatik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...