Cili është qëllimi i vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Serbi?

Opinione

Cili është qëllimi i vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Serbi?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 17 korrik 2024 Në ora: 20:59
Rexhep Elezaj
Është vështirë të dihet shkaku i paralajmërimit të papritur të vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz pas nesër në Beograd, për të cilën vizitë duket të mos ketë qenë i informuar me kohë as vetë Beogradi zyrtar, kjo siç u kuptua nga deklarata e sotme e presidentit serb me gazetarë në Londër, i cili sikur e pranoi se vizitën e z. Scholz nuk e ka pritur që të ndodhë këto ditë.

Mbase, kjo tregon, se kemi të bëjmë me një vizitë “urgjente” të tij në Serbi, e cila nuk ka qenë e paraparë të realizohet në muajt e verës, por e cila vjen, sipas të gjitha gjasave, me kërkesë të palës gjermane, në mos nga vetë kancelari Scholz, meqë siç duket kemi të bëjmë me një krizë të madhe të mungesës së Litiumit në tregun evropian, në veçanti atë gjerman, kur dihet se kjo lëndë e parë natyrore nuk importohet më nga Rusia për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj saj, të vendosura për shkak të agresionit rus në Ukrainë, duke u detyruar që të gjejnë burime të reja për blerjen e tij, e të cilin siç duket Serbia e posedon mjaftueshëm.

Fakti që në këtë vizitë bashkë me kancelarin Scholz vijnë edhe përfaqësues tjerë të BE-së, si kryetari i Komisionit Evropian, Maroš Šefčovič, pastaj udhëheqësit kryesorë të Bankës evropiane për zhvillim dhe rinovim, të bankës zhvillimore italiane, si dhe shefi kryesor i Mercedes-Benz-it, flet qartë për një aksion të koordinuar në nivel evropian, që për qëllim ka intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, para së gjithash, për shkaqe politike në raport me ndikimin rus në Ballkanin perëndimorë, por edhe për nënshkrimin e një Memorandumi të mirëkuptimit rreth shfrytëzimit të përbashkët të lëndëve të para industriale, në rend të parë të litiumit, duke vendosur një kornizë të përgjithshme të bashkëpunimit ekonomik të BE-së me Serbinë.

Natyrisht, se Beogradi zyrtar një ofertë të këtillë nuk do ta refuzon në asnjë rast, sepse janë të vetëdijshëm se pa investitorë të huaj nuk mund të zhvillohen si shtet, e cila, Serbia, madje edhe deri më tani ka arritur të thithë miliarda investime nga jashtë, në rend të parë nga Gjermania, Franca, SHBA-të, Turqia, etj., fakte këto të cilat i dinë të gjithë në Kosovë.

Pra, nga prodhimi i litiumit dhe shitjes së tij në tregun evropian, ekonomia e Serbisë do të përfitojë miliarda euro, siç do të prodhojë edhe automjete elektrike, fabrikë për prodhimin e baterive, etj., që nënkupton përfitime marramendëse për Serbinë nga ky bashkëpunim.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së ministres së jashtme të Kosovës, “se me këtë vizitë të kancelarit O. Scholz në Beograd, “mund të dërgohet përsëri një mesazhi i gabuar përmes një vizite të tillë. Burimet e litiumit i japin një rol të veçantë Serbisë. Nëse bëhet ky hap atëherë ju siguroj që Serbia ka për t’u ndjerë shumë e inkurajuar për të sulmuar, jo vetëm Kosovën”.., jam i bindur se kjo deklaratë nuk është reale dhe as në kohën e duhur, ngase ta vlerësosh një vizitë të një lideri evropian, siç është Olaf Scholz, kancelar i shtetit më të fuqishëm në Evropë, Gjermanisë, se kjo vizitë do ta inkurajojë regjimin e Serbisë që ta sulmon ushtarakisht Kosovën, dhe jo vetëm, është naivitet i madh politik me të cilin i bëhet dëm i madh marrëdhënieve të Kosovës me Gjermaninë mike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat