Një grua me dy varre

Opinione

Një grua me dy varre

Nga: Isa Zymberi Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 10:51
Autori Isa Zymberi

Kam një lutje prej toke deri në qiell për analistë, gazetarë analistë, avokatë, specialistë të gjithfarshëm, moderatorë, opinionistë, ish-prokurorë, e sidomos gazetarë investigativ, t'i lini spekulimet, diskutimet, opinionet, telegjykimet rreth rastit tepër të rëndë të Liridona (Murselit) Ademajt - gruas me dy varre.

Simbolika e dy varreve flet më me forcë se të gjithë të mësipërmit së bashku.

Reagimet me protesta dhe forma të tjera janë tepër të mirëpritura sepse, përveç që shprehin indinjatë, përçojnë porosi. Këtu përfshihen edhe reagimet individuale, por këto duhet të jenë të tipit të reagimit të parlamentarit suedez lidhur me rastin. Le të merret ky reagim si leksion se si duhet të sillemi në rastet që janë tashmë në dorë të drejtësisë.

Thonë se gëzimi duhet të ndahet me të tjerët, kurse pikëllimi të përballohet vetë. Të lihen, pra, dy familjet me gjak të përzier përmes martesash, si dhe familjet e dy të tjerëve që pretendohet se janë përzier në vrasje, të përballen vetë me këtë rast të rëndë - familja Ademaj me dhimbjen për bien e tyre, familja Murseli me peshën e varrit të zbrazët, kurse dy familjet e tjera me peshën e turpit të pashlyeshëm të pjesëmarrjes në vrasje apo rolit të përzierjes në vrasjen e Liridonës, të kurdisur nga bashkëshorti, siç pretendohet nga organet e drejtësisë, nga i cili, në situatën e paraqitur të përballjes me 'plaçkitësit' , normalisht do të pritej të flijohej vetë ai për të shpëtuar dy djemtë e tij dhe nënën e tyre.

Dhimbja në këtë rast godet me përmasa të ndryshme, por gjithsesi prek edhe familjet e atyre prej të cilave dalin fjalët, të perifrazuara këtu, 'ta kisha ditë që këtë e ka ba djali jem, do ta kisha vra me dorën teme,' ose, 'n'e pastë vra im bir, mos koftë djali jem'.

Le të merren këto familje me dhimbjen dhe rrethanat e tyre, por është e natyrshme që, në këtë situatë, të bashkëndjejmë me familjen e Liridonës, ndërkaq, krahas të gjitha këtyre, le të vazhdojë procedura ligjore.

Roli i të përmendurve në fillim të këtij shkrimi duhet të përqendrohet tërësisht në përcjelljen me kujdes të punës së policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit.

Perceptimi i shqiptarëve në të dy anët e kufirit për institucionet e tyre shtetërore, përfshirë edhe institucionet e drejtësisë, është se ato karakterizohen nga një bankrot i thellë moral e profesional. Korruptohen policë e prokurorë, manipulohen prova, blihen dëshmitarë e gjyqtarë. Këto krijojnë keqmenaxhimin e drejtësisë dhe shkaktojnë kthimin te vetëgjyqësia apo, në rastin e ne shqiptarëve, te Kanuni shekullor i pashkruar, i cili shpesh përjetohet si plotësim i drejtësisë së munguar.

Vetëm para një shekulli e ca, shqiptarët konsideroheshin një popull ku nuk kishte ligj e drejtësi. U desh që një angleze, e cila ia doli të futej thellë në jetën dhe traditat e shqiptarëve, dhe në sajë të punës së saj të shpallej Mbretreshë e Malësisë, t'i tregonte botës se e kundërta ishte e vërtetë, se te shqiptarët kishte gjetur ligje më të rrepta sesa në cilindo shtet modern. Fjala ishte për atë që njihet si Kanuni i Lekës, i cili, në forma të ndryshme, del kudo që janë shqiptarët, dhe mund të ndodhë që ai të ketë dalë nga ndonjë Lekë i mëhershëm se vetë Lekë Dukagjini.

Kuptohet se Kanuni në kohët tona duhet të shpallet i tejkaluar dhe të mos aplikohet në asnjë rrethanë si plotësues apo përmirësues i drejtësisë.

Megjithatë, Kanuni përmban margaritarë që, të seleksionuar mirë, duhet të vazhdojnë të mbeten pjesë e traditës dhe të aplikohen në jetën e përditshme.

Edhe pse synojmë rendin demokratik, nuk është mirë që me aq lehtësi po i kopjojmë mënyrat e kryerjes së krimeve makabre që fatkeqësisht ndodhin përditë në vendet demokratike.

Nuk është konsideruar shqiptar ai që 'gjuan gurin dhe fsheh dorën'.

Ndër shqiptarët, si dhe ndër popujt e tjerë, janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen krime, por shqiptari që i ka thënë vetës shqiptar, nuk është fshehur nga krimi, e ka pranuar atë, dhe bashkë me familjen e farefisin e ngushtë, apo dhe më të gjërë, kanë qenë të gatshëm të përballen me pasojat. Edhe kur familja nga e cila është kryer krimi ka qenë shumë më e fortë sesa familja që ka pësuar, ajo patjetër, 'për ta çuar nderin në vend', është mbyllur dhe ka kërkuar besë kohë pas kohe; kryesi i krimit është lejuar të marrë pjesë në varrim madje dhe ta hajë drekën e mortit - mbase kjo ka qenë njëfarë shpërlarjeje nga urrejtja - pastaj ka vazhduar procedura e paraparë me Kanun.

Sot, në të dyja anët e kufirit, ka me qindra e qindra vrasje të pazgjidhura sepse 'hidhet guri e fshihet dora'.

Duke u khtyer në traditë, do t'ia mësonim edhe botës demokratike një margaritarë të traditës sonë edhe pse ai del nga një Kanun yni i vjetër, shumë i vjetër, dhe i tejkaluar.

Po ashtu, duke injoruar disa pikëpamje të Kanunit rreth rolit të gruas në familje e shoqëri, mund të përfillen aspekte të Kanunit të cilat e përjashtojnë femrën nga krimi. Në asnjë rrethanë krimi nuk është guxuar të kryhet në prani të një femre, e lëre më të ushtrohet mbi një femër. Vrasja e gruas ka peshuar sa dy gjaqe, kurse kryesi i vrasjes ka mbetur i leçitur përjetësisht. Figura e gruas ka qenë e shenjtë, natyrisht me kusht që kjo të mos keqpërdoret. E kur ndodh kjo, të merren institucionet e drejtësisë me këtë çështje.

Shoqëria civile, përfshirë dhe shoqatat që merren me të drejtat e grave, mbase do të mund të luanin një rol edhe në aspektet e përmendura më sipër që lidhen me mosfshehjen e krimit dhe me vendin e merituar të nderimit për gruan.

Të apostrofuarit në fillim të këtij shkrimi bëjnë mirë të mos vrapojnë si hiena te familjet në pikëllim apo tek ato që kanë pasur fatin e zi që anëtarë të tyre pretendohet të jenë përfshirë në një krim të paimagjinueshëm për të marrë deklarata e intërvista, të cilat mund t'i kontaminojnë provat me të cilat duhet të mirren organet e drejtësisë duke e dëmtuar kështu seriozisht rrjedhën normale të drejtësisë qoftë dhe kur është nën çdo nivel.

Në fund, një pyetje:

A ia vlen të ruhet varri i zbrazët i Liridonës si pronë e patjetërsueshme e saj, kur përjetë të mos pushojnë eshtrat e askujt dhe të mbetet simbol i mos përsëritjes kurrë një krim si ky, ndërsa për varrin e dytë të Liridonës të përkujdeset familja Ademaj si të dojë ajo vetë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat