Letër dashamirëse grupit të intelektualëve nga diaspora shqiptare për Maqedoni - Bota Sot
Letër dashamirëse grupit të intelektualëve nga diaspora shqiptare për Maqedoni

Opinione

Letër dashamirëse grupit të intelektualëve nga diaspora shqiptare për Maqedoni

Nga: Sulejman Mehazi Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 12:39
Sulejman Mehazi

Të nderuar intelektualë, 

përfaqësues nga diaspora shqiptare, këtë letër s'ua dërgojmë për diç tjetër se ua kemi inatin e ju xhelozojmë, se s'jeni të aftë e të zotit, se nuk keni merita intelektuale e kombëtare, por vetëm për një qëllim, letrën ua dërgojmë për shkak paqartësisë suaj udhëheqëse. Lidhja e Diasporës Shqiptare për Maqedoni ju ka emëruar juve si udhëheqës së çështjeve politike për shqiptarët e Maqedonisë, atëherë pse ju miq me emër e  mbiemër nuk na tregoni se kush është udhëheqës e kryetar i kësaj Lidhje të Diasporës Shqiptare për Maqedoni, anëtarët e kryesisë së kësaj Lidhje të Diasporës, pastaj ku është qendra e selia e kësaj Lidhje, vula dhe nënshkrimi i kryetarit të kësaj organizate? Mos vallë jeni të vetëshpallurit grup intelektualësh?

Po ju bëjmë një pyetje të thjeshtë?, si është e mundur pa një farë ftese të mblidhen mbi 300,000 njerëz për Rita Orën në Prishtinë, e për ju as dhjetë, pse? E dini pse, për shkak qëllimeve tuaja udhëheqëse. Mos vallë për Diasporën Shqiptare vetëm ju jeni intelektualë e të tjerë s'ka? A s'është nënçmim i Diasporës Shqiptare për intelektualët tjerë? Nëse Lidhja e Diasporës Shqiptare ju kanë emëruar juve si udhëheqës politikë të shqiptarëve në Maqedoni, atëherë gabim e kanë, që në start keni dështuar ju dhe Lidhja e Diasporës Shqiptare. Ata të Diasporës  le të zgjedhin intelektualët e vet atje, e jo këtu në Maqedoni. Vet shqiptarët e Maqedonisë mund të zgjedhin udhëheqësit e tyre, për shkak se jetojnë në këtë vend, e jo ata të Diasporës që jetojnë larg e shumë më mirë se ne. Habitemi dhe me ju të nderuar, sa interesant jeni, ju ka zgjedhur diaspora si grup intelektualësh të mençur e të urtë, e në anën tjetër bëheni të ashpër, kërkoni me anë të protestave, mitingjeve e tubimeve  t'ju përkrahë popullata shqiptare që jeton në Maqedoni. Nuk mbrohet populli duke dalë në rrugë, po ndryshe. Apo mos doni ta sprovoni popullatën se a ju përkrahë. Prandaj s'keni të drejtë të hidhëroheni pse s'ju përmbanë popullata shqiptare për shkak se s'ju  kanë zgjedhur vendasit shqiptarë të Maqedonisë, por shqiptarët e largët të diasporës. Kot miq, mos u lodhni e këmbëngulni me zortë që t'ju përkrahin,  jo vetëm që do mbeteni të vetmuar, por edhe të pikëlluar, vetëm sovrani afër nesh vendos kush do t'i udhëheq, e jo diaspora e largët.

P.S.

Miq të nderuar, s'jemi kundër grupit të intelektualëve, janë personalitete të njohura publike, të nderuar e të vyer, por kundër manipulimeve të Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoni, jetojnë e punojnë jashtë Maqedonisë, manipulojnë e mashtrojnë popullatën shqiptare së bashku me intelektualët e lartëpermendur brenda Maqedonisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test