Sejdiu thumbon Haradinajn: Kancelarja Merkel u detyrua ta takojë një kryeministër të një qeverie skandaloze

Politika

Sejdiu thumbon Haradinajn: Kancelarja Merkel u detyrua ta takojë një kryeministër të një qeverie skandaloze

Nga: V.R Më: 6 qershor 2019 Në ora: 17:51
Korab Sejdiu

Korab Sejdiu, deputet i pavarur në Kuvendin, për “Bota sot”, e konsideron si të rëndësishme vizitën e Kryeministrit Haradinaj në Gjermani dhe takimin me Kancelaren Angela Merkel.


Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Sejdiu ka thënë se është mirë që Gjermania po merr rol më aktiv lidhur me të ardhmen e Kosovës, me paralelizëm të plotë me mbështetjen që Kosova ka prej SHBA-së.


”Është për t’u përshëndetur fakti se Gjermania po merr rol më aktiv lidhur me të ardhmen e Kosovës, natyrisht, në paralelizëm të plotë me mbështetjen që Kosova gëzon nga SHBA-të.  Kjo mbështetje po shfaqet edhe me faktin se Kancelarja e këtij shteti ka ndarë kohën e saj të vlefshme për të pritur KM Haradinaj, dhe për të koordinuar hapat e radhës, veçanërisht para takimit në Paris”, tha Sejdiu.


Por, si rezultat i fatkeqësive politike në Kosovë, sipas Sejdiut, Kancelarja Merkel detyrohet të takojë një kryeministër të një qeverie skandaloze, sepse krerët e tjerë institucional i kemi edhe më të padëshirueshëm – pra detyrohet të zgjedhë të keqen më të vogël.  


“Prandaj, rezultatet e kësaj vizite, dhe pozitës së Kosovës në botë në përgjithësi, do të ishin shumë më pozitive për Kosovën sikur ajo të përfaqësohej nga një kryeministër me integritet të panjollosur personal dhe politik.  Mbetet të përpiqemi që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt, para se të bëhet tepër vonë”, tha ai.


Sejdiu, shtoi se është e qartë që kohëve të fundit, pozicioni i Gjermanisë ka ndryshuar për të mirë lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.  
“Kjo është një shenjë pozitive, por nuk mund të merret si diçka definitive, pasi që liberalizimi mbetet sfidë e madhe për ne, kryesisht si rezultat i hipokrizisë evropiane dhe qëndrimeve kundër liberalizimit të disa vendeve kyçe në BE, por edhe zaptimit të shtetit tonë nga krimi, që po përdoret pastaj si pretekst nga të gjithë ata që nuk na e dëshirojnë të mirën”, tha deputeti Sejdiu.


Megjithatë, Sejdiu, shtoi se është e domosdoshme që të ndodh rrëzimi i qeverisë Haradinaj. 


“Ka qenë mirë që kjo qeveri të mos formohej fare qysh në fillim.  Prandaj, çdo ditë që kalohet pa e rrëzuar këtë qeveri, është edhe një goditje fatale ndaj të ardhmes së vendit tonë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat