Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga të njëjtit kriminelë serbë të luftës

Politika

Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga të njëjtit kriminelë serbë të luftës

 Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 dhjetor 2019 Në ora: 08:08
Ilustrim/Bota sot

“Do të depozitoj 10 mijë faqe material për krimet e luftës në Kosovë. Këto në ditët në vijim do t’i dorëzohen prokurorëve tanë dhe të shohin se çka mund të bëjnë. Janë dokumente që janë aty, nuk janë trajtuar asnjëherë. Diku 95% e kriminelëve që janë përmendur në këto dokumente veprojnë dhe lëvizin lirshëm”, tha Behgjet Pacolli në një konferencë për media.

Është koha e fundit që Kosova të ndërmarr diçka për të ngritur padi ndaj Serbisë për krimet e luftës.

Përgjatë këtyre viteve, institucionet përkatëse, bashkë me pushtetarët, në vend që të bënin padi kundër Serbisë, ata më shumë u morën me vetveten dhe me interesat e tyre personale e partiake.

Një hap i vonshëm institucional u ndërmor të martën.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se rreth 10 mijë faqe material për krimet e luftës do t’i dorëzojë tek prokurorët.

“Do të depozitoj 10 mijë faqe material për krimet e luftës në Kosovë. Këto në ditët në vijim do t’i dorëzohen prokurorëve tanë dhe të shohin se çka mund të bëjnë. Janë dokumente që janë aty, nuk janë trajtuar asnjëherë. Diku 95% e kriminelëve që janë përmendur në këto dokumente veprojnë dhe lëvizin lirshëm”, tha Pacolli në një konferencë për media.

Ai tha se në bashkëpunim me prokurorët kanë caktuar ditën e depozitimit të këtyre materialeve.

“Detyra historike është të dokumentojmë vrasjet, dhunimet, dëbimet e kryera nga forcat serbe. Lufta e Kosovës kishte rezultuar me vrasjen e shumë njerëzve, dhunimin. Këto dokumente janë përdorur nga Tribunali i Hagës dhe në disa raste jo”, ka thënë Pacolli.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se fakte për t'i dokumentuar krimet që ka kryer Serbia në Kosovë ka pasur mjaftueshëm, por është dashur vetëm t`i paraqes ato dikush me kohë.

Sipas tyre, çdo vakuum që është lënë anash, Serbia e ka shfrytëzuar maksimalisht duke marr kështu guximin që ti mohojë masakrat më barbare e më çnjerëzorë që i ka bërë në Kosovë.

Makolli: Fakte për krimet serbe ka shumë

Sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli ka thënë për “ Bota sot” se edhe pse krimet e luftës nuk vjetërsohen kurrë, megjithatë ne jemi shume vonë në kohë për ngritjen e padisë kundër Serbisë për krime.

Image
Vesel Makolli

Sipas tij, këtë neglizhencë për dokumentimin e shumë krimeve serbe dhe për ngritjen e padisë, pala serbe e ka shfrytëzuar maksimalisht duke bërë edhe fushatë të egër kundër shtetit tonë në çdo vend ku iu ka dhënë mundësia në arenën ndërkombëtare.

“Është për tu habitur, se ma shumë kanë bërë në këtë drejtim personalitetet e ndryshme vendore e ndërkombëtare, si dhe organizatat e ndryshme, me botimin e librave, emisioneve televizive, dokumentareve për masakrat dhe krimet e shumta kundër njerëzimit që i ka bërë solldateska serbe dhe paramilitaret serb, sesa vet shteti i jonë, gjegjësisht organet legjitime të Kosovës të cilat janë të thirrura për zbardhjen e këtyre krimeve ndaj qytetarëve dhe shtetit të tyre, dhe sjelljen para drejtësisë ndërkombëtare të kriminelëve serb, për të gjitha krimet ma monstruoze pas luftës së dytë botërore që janë bërë në mes të civilizimit më të ngritur botëror – Evropës”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm në AKR Vesel Makolli.

Ai konsideron se, fakte për krimet serbe ka shumë, e ato janë të njohura botërisht, madje në çdo cep të Kosovës mund të dokumentohen krimet kundër njerëzimit.

“ Vlen të përmendet vetëm Prekazi, Izbica, Meja e sidomos masakra e Reçakut e cila edhe e solli intervenimin e NATO-s, masakra këto më të mëdha kundër një populli liridashës, pas luftës së dytë botërore. Thënë shkurt të gjithë ne më shumë jemi marr me vetveten dhe me interesat tona personale e partiake, sesa me interesat jetike shtetërore. Madje shumë pak kemi punuar për të sjell sado kudo një satisfaksion të vogël atyre njerëzve që i kanë humbur më të dashurit e tyre, duke i sjell para drejtësisë ndërkombëtarë kriminelet e luftës. Çdo vakuum që e kemi lënë ne, Serbia e ka shfrytëzuar maksimalisht duke marr kështu guximin që t`i mohojë masakrat më barbare e më çnjerëzorë që i ka bërë në Kosovë”, ka thënë Makolli, duke shtuar se nuk kanë qenë të duhura dhe të mjaftueshme, vetëm reagimet publike kundër deklarimeve të liderëve serb.

Sipas tij, duhet filluar urgjentisht që të ngritet zyrtarisht padi kundër kryerësve të këtyre krimeve monstruoze.

“"Fjalët i merr era", dhe harrohen shpejt, andaj organet përgjegjëse shtetërore duhet ti grumbullojnë dhe ti klasifikojnë sa ma parë faktet e shumta që ekzistojnë dhe atë në kohën sa më të shkurtër, dhe zyrtarisht të ngrisin padi kundër kryerësve të krimeve kundër njerëzimit”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm në AKR Vesel Makolli.

Zogaj: Deklaratat kriminale të kriminelëve si Vuçiqi janë ekstaza e dëshpërimit të tyre

Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj, ka pohuar se deklaratat kriminale të kriminelëve si Vuçiqi janë ekstaza e dëshpërimit të tyre, kur binden së kanë dështuar! “Ky është rasti me Vuçiqin dhe disa hardhuca serbe rreth tij”.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, është kërkesë absurde nëse nga kriminelët ordiner, siç është Vuçiqi, presim që të pranojë krimet e veta.

“Prandaj, është krejtësisht normale që ky kriminel deklaron se masakra e Reçakut ishte një inskenim! Sipas meje kjo deklaratë është e pritshme dhe aspak shqetësuese, bile shumë e favorshme për Kosovën sepse, është dëshmi se krimineli Vuçiq ende nuk ka hequr dorë nga të qenit kriminel, dhe si i këtillë duhet të shihet e të trajtohet nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Ndaj kësaj deklarate, nuk kemi pse të reagojmë, por duhet të bashkëpunojmë me kancelaritë ndërkombëtare dhe prej tyre të kërkojmë që ta kuptojnë se Kosova po vazhdon të jetë e kërcënuar nga të njëjtët kriminelë të luftës edhe tash”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Sipas tij, duhet doemos të gjithë të kërkojmë nga Bashkësia Ndërkombëtare që të kuptoj dhe t'ia tregoj vendin Vuçiqit, dhe të gjithë kriminelëve të ngjashëm, sepse paraqesin rrezik permanent për gjendjen e sigurisë në rajon e më gjerë.

“Kur jemi te kjo, është e pafalshme që Kosova nuk ka ngritur padi ndaj Serbisë për krimet që ka bërë në Kosovë. Mbi 12 mijë viktimat shqiptare dhe sulmet 78 ditësh të forcave ndërkombëtare kundër gjenocidit nga ana e makinerisë gjakatare serbe, janë dëshmitë e mjaftueshme për padi ndaj Serbisë, që Kosova nuk e ka bërë me kohë, prandaj kriminelët serb tallen me krimet, ndërkohë që në Gjykatën speciale intervistohen shqiptarët të dyshuar se kanë vra paramilitarë dhe xhelatë serbë që s'kanë lënë gjë të zezë pa bë”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Hertica: Duhet të kërkohet nga Serbia pranimi i krimeve të bëra në Kosovë

Njohësi i rrethanave politike në vend Ali Hertica, ka thënë se do të ishte injorim i identitetit shtetëror dhe kombëtar, do të ishte shkelje mbi gjakun e dëshmorëve dhe viktimave civile të luftës, nëse që në fillim nuk kërkohet nga Serbia pranimi i krimeve të bëra në Kosovë.

Image
Ali Hertica

“Nëse nuk kërkohet kompensimi i dëmeve sipas konventave ndërkombëtare, ne nuk mundë të harrojmë faktin se ekipet e ekspertëve që kanë analizuar dhe kanë evidentuar dëmet e luftës në Kosovë, të kryera nga Serbia, kanë konstatuar një shifër prej rreth 22 miliardë euro. Tani Qytetaret po presin formimin e shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, e të cilat do ta kenë kërkesë urgjente nga faktori ndërkombëtar rifillimin e bisedimeve me Serbinë, kërkojnë që këto bisedime të mos nisin të papërgatitura në detaje, sikur që ka ndodhur deri më tani procesi i zhvilluar nga Hashim Thaçi dhe vartësit e tij, por qeveria Kurti si pikë të parë të bisedimeve ta nxjerr kushtëzimin ndaj Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës, ku për këtë temë që është lënë pas dore tash e dy dekada, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë njohësi i rrethanave politike Ali Hertica.

Sipas tij, Kosova para fillimit të bisedimeve duhet të përgatit një platformë përfundimtare për sa i përket dialogut me Serbinë, dhe mos të shkoj me duar në xhepa siç janë shkuar deri më tani duke buzëqeshur në tavolinat e Brukselit.

“Kjo platformë do të ketë pikë të parë kërkesën për kompensimin e dëmeve të luftës, ngase vetëm kështu do të vlerësohet edhe qëndrimi i Prishtinës për seriozitetin e shtet ndërtimit të pa varur të shkëputur nga Serbia. Këtë duhet të ketë parasysh si ujin dhe bukën në sofër qeveria e Albin Kurtit”, ka deklaruar Hertica.

Ai konsideron se për t’u krijuar një pajtim, dhe për të parë që Serbia me të vërtet dëshiron që të lë prapa vetës politikën e Sllobodan Millosheviqit, ajo duhet të jetë e gatshme që të përgjigjet pozitivisht në këtë faturë të dëmeve të luftës.

“Serbia duhet të jetë e gatshme, që të përgjigjet pozitivisht në këtë faturë të dëmeve të luftës dhe që me ndërmjetësim dhe garantues ndërkombëtar të nënshkruar marrëveshjen për fillimin e llogaridhënies për të gjitha dëmet ekonomike, si në pronën private si në atë publike e shtetërore, por edhe dëmet tjera që i ka shkaktuar Kosovës me luftën e saj shfarosëse. Kosova nuk e ka asnjë arsye pse ta lë anash këtë temë serioze në procesin e fillimit të bisedimeve që pritet të nisin nga qeveria në ardhje, e cila duhet të jetë shumë e përgatitur në këtë fushë.

“Duhet të angazhojë ekipe të ekspertësh për të analizuar edhe njëherë dhe verifikuar se cila duhet të jetë fatura finale e këtyre dëmeve që do të nxirret në tavolinë të bisedimeve me Serbinë si kusht i parë për të ecur tutje”, ka thënë Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat