Të gjithë sytë te posti i presidentit!

Politika

Të gjithë sytë te posti i presidentit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 dhjetor 2020 Në ora: 11:02
Foto ilustrim

Janë bërë më shumë se një muaj, që nga arrestimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe debatet se kush do ta marrë postin e të parit të vendit ende po vazhdojnë.

Lidhje Demokratike e Kosovës është deklaruar se nuk ka interes për këtë post, mirëpo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Demokratike e Kosovë (PDK) po insistojnë dhe nuk po lëshojnë pe në këtë çështje.

Mirëpo, pasi që arritën një kompromis për miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, duket se është shfaqur një shenjë se këto subjekte edhe mund të arrijnë një dakordim për postin e presidentit.

Kjo pasi, njohës të çështjeve politike kanë aluduar se PDK-ja votën për Rimëkëmbje Ekonomike e dha në këmbim të postit të presidentit.

Ndonëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka hequr dorë nga posti për president dhe pothuajse, çdo ditë po deklarohen deputetë dhe anëtar të AAK-së për kandidimin e Ramush Haradinaj për President të Kosovës.

Njohës të çështjeve politike për “Bota sot”, folën për mundësinë e zgjedhjes së presidentit dhe kandidatët potencial për të marrë këtë post.

Bytyçi: Mos zgjedhja e presidentit ndikon në dialogun Kosovë - Serbi

Lidhur me këtë çështje, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” deklaroi se mos miratimi i këtij ligji ishte shenjë se kjo qeveria po shkonte drejtë fundit.

Image
Enver Bytyçi

“Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ishte bllokuar prej kohësh, sepse Kuvendi i Kosovës nuk siguronte kuorumin për votim. Nuk shkonin në sallë as deputetët e Vetëndosjes, as ata të Listës Srpska, as të PDK-së e madje nuk shkonin gjithashtu deputetë të LDK-së, AAK-së dhe Nismas. Dështimi i disa seancave parlamentare për ta miratuar atë ligj ishte shenjë e padiskutueshme se qeveria po rrënohej dhe po shkonte drejt fundit të saj”, tha Bytyçi.

Profesori përmendi edhe presionin politik ndaj LDK-së për postin e presidentit, ku partitë politike synonin përfitime politike. Afrimin e PDK-së ndaj LDK-së, Bytyçi e cilësoi si veprim të kujdesshëm, duke e lidhur me seancën e votimit të Qeverisë Hoti. Ai përmendi edhe ndikimin e Thaçit në votimim e qeverisë aktuale.

“Lidhja Demokratike e kuptoi se të gjitha palët po bënin presion për përfitime politike, që lidhen me postin e presidentit dhe filloi të afrohej me Partinë Demokratike. Ky afrim është në vazhdën e kompromiseve politike jo parimore të këtyre dy subjekteve në të kaluarën. Por sido qoftë mendoj se u bë pak me kujdes. Kujdes u tregua që në votimin e qeverisë Hoti. Aso kohe PDK nuk votoi pro kësaj qeverie, megjithëse themeluesi i saj, Thaçi, ishte kumbara dhe krijuesi i kësaj qeverie. Por Thaçi preferoi të shkojë për t’u lutur në një të natës për votën e një deputeti të AAK-së dhe nuk pranoi që t’u thoshte deputetëve të partisë së tij të votonin qeverinë Hoti. Ai e kishte më të lehtë të urdhëronte një, dy ose tre deputetë të PDK-së për ta votuar Hotin, sa të bënte disa km rrugë në mesnatë”, theksoi profesori.

Tutje, Bytyçi radhiti dy nga arsyet kryesore se pse PDK votoi këtë ligj. Njëra nga arsyet e përmendura është se PDK e sheh të rrezikshme për fatin e saj politik të shkojë tani në zgjedhje të reja dhe për pasojë dëshiron ta zgjasë sa më shumë jetën e kësaj qeverie.

“Pardje PDK e votoi ligjin e LDK-së dhe qeverisë së Abdullah Hotit. Kjo ndodhi për njërën nga këto dy arsye: Ose Isa Mustafa i ka premtuar zotit Hoxhaj postin e presidentit të vendit, ose PDK e sheh të rrezikshme për fatin e saj politik të shkojë tani në zgjedhje të reja dhe për pasojë dëshiron ta zgjasë sa më shumë jetën e kësaj qeverie.

Në secilin prej këtyre rasteve qeverisë së infektuar me Covid-19 po i jepet ende oksigjen për ta mbajtur në jetë”, nënvizoi Bytyçi.

Mirëpo, ai tha se bashkëpunimi i njëanshëm i LDK-së me PDK-në, duke e përjashtuar AAK-në, çon në një konflikt politik. Që në këtë mënyrë rrezikohet edhe votimi për postin e presidentit, për të cilin nevojiten 2/3 e votave të Kuvendit.

“Por një vendim i njëanshëm i dy ose tri partive politike për emrin e presidentit e shoh të pamundshëm, sepse kjo do të çonte në një konflikt politik të paparë. Nëse LDK dhe PDK vendosin njëanshëm për presidentin, përveç Vetëvendosjes do të largohej nga parlamenti edhe AAK dhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike. Edhe nëse Lista Srpska do bëhej pjesë e votimit, prapë se prapë pjesëmarrja në votim nuk do të mbërrinte në 2/3 e kuvendit. Gjykata Kushtetuese ka vendosur se nëse mungon pjesëmarrja në votim e 2/3-ave, atëherë votimi është i paligjshëm”, u shpreh Bytyçi.

Dështimi i votimit të presidentit, sipas Bytyçit do të ndikonte direkt në dialogun me Serbinë. Sepse qeveria e Beogradit do t’i thotë partnerëve ndërkombëtarë se “shqiptarët në Kosovë janë të paaftë të vetëqeverisen e të krijojnë institucionet e shtetit të pavarur”.

“Kësisoj LDK dhe PDK jo vetëm nuk do të merrnin postin e presidentit, por me këtë akt të paracaktuar për dështim ato do të ndihmonin pozicionin e Serbisë në dialog, sepse qeveria e Beogradit do të ketë një shans tjetër për t’u thënë partnerëve ndërkombëtarë se “shqiptarët në Kosovë janë të paaftë të vetëqeverisen e të krijojnë institucionet e shtetit të pavarur”. Për pasojë do të reklamohej pas 107 vitesh lakmia e ish-kryeministrit serb. Nikolla Pashiq, kur u thoshte kancelarive të botës se “Shqiptarët nuk do të jenë të aftë të ndërtojnë dhe drejtojnë shtet për një shekull, prandaj ju duhet të na i lini neve që t’i edukojmë”!

Bytyçi tha se Mustafa dhe Hoxhaj mund të provojnë të bashkë qeverisin, mirëpo mund të rikthejnë skemat serbe të propagandës anti-shqiptare të vitit 1913. Ai bëri edhe thirrje që nga aleatët e Vuçiqit, më saktësisht Lista Srbe të mos pranojë vota.

“Nëse Isa Mustafa dhe Enver Hoxhaj duan të rikthejnë skemat serbe të propagandës anti-shqiptare të vitit 1913, atëherë le të bëjnë një provë bashkëqeverisje në tentativë që të vendosin për presidentin e ri. Ndryshe çeshtja e presidentit duhet të hiqet nga rendi i ditës në pazaret e radhës politike dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja, së paku deri nga shkurti i vitit të ardhshëm. Duhet një qeverisje legjitime e votuar nga qytetarët e Kosovës që të jetë e aftë të zgjedhë institucionet e reja të vendit, përfshirë dhe atë të presidentit, bazuar në vullnetin e sovranit. Ndoshta Kosova e ka marrë mësimin që të mos i votojë më aleatët e Listës Srpska, më saktë dhe më qartë, aleatët e Aleksandër Vuçiç”, përfundoi profesor Bytyçi.

Ahmeti: Pas miratimit të Ligjit për Rimëkëmbje, fshihet posti i presidentit

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot”, kompromisin e PDK-së me partitë në pushtet e cilësoi si pazar politik, brenda të cilit fshihet posti i presidentit.

Image
Hidajet Ahmeti

“Kompromisi i partive politike për miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ka shpërfaqur vazhdimësinë e logjikës së pazareve politike, e cila na ka përcjell që nga mbas lufta. Pozitë e “opozitë”, përveç Vetëvendosjes u bënë bashkë për siç pohonin ata për hir të “interesave” qytetare, por brenda këtij pazari potencialisht fshihet edhe pozita e presidentit”, deklaroi Ahmeti.

Miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike e pa sit ë domosdoshëm Ahmeti, pasi sipas tij dështimi i miratimit të këtij ligji do ta zvogëlonte fuqinë politike të partive në pushtet dhe vendi eventualisht do shkonte në zgjedhje të parakohshme.

“Gjykoj se, këto veprim të tyre i kanë domosdoshme, pasi zgjedhjet për këto parti do të jenë një goditje e jashtëzakonshme, e cila do ta ndryshon realitetin politik në Kosovë duke minuar fuqinë politike të partive që kanë udhëhequr që nga paslufta”, tha Ahmeti.

Ai në vazhdim e quajti lojë politike mbështetjen e PDK-së për Rimëkëmbjen Ekonomike e vlerësoi si lojë politike, me qëllim që partitë udhëheqëse ta ruajnë pushtetin e tyre.

“Mendoj se, kjo lojë politike po zhvillohet për ta ruajtur gjendjen ekzistuese të tyre, pasi pushteti për ta korrespodon më lirinë dhe vazhdimin e degradimit institucional. Natyra e veprimit të tyre politik bazohet në Makiavelizëm politik, pasi për ruajtjen dhe mbajtjen e pushtetet çfarëdo mënyre që veprojnë e arsyetojnë me logjikën manipulative”, u shpreh Ahmeti.

Në fund, ai tha se vazhdimi i pushtetit është shpëtimi i tyre, ndërsa humbja e tyre është shkuarja në zgjedhj. Ahmeti tha se duhet të ndodhë një vetëdijesim në baza racionale e koncepuale për ndëshikimin e subjekteve politike.

“Prandaj, shpëtimi i tyre lidhet me vazhdimin e pushtetit, kurse shkuarja në zgjedhje është humbje e kësaj lirie . Është shumë e logjikshme dhe racionale qe vetëdijesimi nuk ndodhë vetvetiu dhe brenda një nate, këtij vetëdijesimi duhet t’i prijnë të gjithë mekanizmat e shoqërisë, e në veçanti mekanizmat e shoqërisë civile. Me rritjen e shkallës së vetëdijesimit, rrjedhimisht ndëshkimi ndodhë në baza racionale e konceptuale”, përfundoi Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat