Rusia mbulon Serbinë në lobin kundër Kosovës, kështu duhet të veprojnë SHBA dhe BE për t’i ndaluar

Politika

Rusia mbulon Serbinë në lobin kundër Kosovës, kështu duhet të veprojnë SHBA dhe BE për t’i ndaluar

Nga: A.Morina Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 15:42
Foto ilustrim

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksander Vulin, ka falënderuar sekretarin rus në Këshillin e Sigurimit, Nikolai Patrushev, që Rusia ka penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Ai ka falënderuar zyrtarin rus për pozitën e Rusisë në respekt të sovranitetit të Serbisë, si dhe përpjekjet për parandalimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Interpol.

Edhe pse, shteti serb e ka të ndaluar lobimin kundër anëtarësimeve të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç duket Rusinë po e përdor për ta mbuluar këtë ‘boshllëk’ të saj.

Ndërsa, doktori i shkencës dhe ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, në një prononcim për gazetën “Bota sot” deklaroi se Serbia nuk do të pushoj asnjëherë së lobuari kundër Kosovës dhe gjithmonë Rusinë do ta ketë mbrapa saj.

“Shteti serb kurrë nuk ka pushuar së penguari Kosovën në rrugëtimin e thellimit të shtetndërtimit të saj, ndërsa Rusia gjithnjë i ka qëndruar prapa me mbështetje në të gjitha sferat, e sidomos në fushën e diplomacisë. Serbia nuk arrin të shkëputet nga e kaluara e saj hegjemoniste dhe me këtë përbërje politike aktuale që nuk dallon nga ajo e viteve të 90-ta ende ka apetite territoriale në Ballkanin perëndimor”, tha Voca.

Ai u shpreh se Rusia po e mbështet Serbinë me qëllim që ajo me prezencën e saj të ketë ndikim në Ballkanin Perëndimor. Tutje, Voca tha se Serbia nuk po e respekton marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington dhe do vazhdoj të bëj veprime në dëm të Kosovës.

“Serbia, e rreshtuar kah Rusia, do të vazhdoj të pengoj Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe natyrisht që Rusia do t’i qëndroj prapa. Nga ky këndvështrim, do të thoja që Serbia nuk e përdorë Rusinë, mirëpo kjo e fundit gjen mbështetjen nga Serbia që i ofron prezencë dhe ndikim në Ballkanin Perëndimor. Nisur nga kjo pikëpamje, Rusia natyrisht që e mbështet Serbinë në strategjinë e saj hegjemoniste. Në rastin e Kosovës, duke e ditur që në mënyrë paqësore, Serbia asnjëherë nuk ka respektuar marrëveshjet dhe zotimet si për shembull ajo e 4 Shtatorit në Washington, ajo kurrë nuk është ndalur së vepruari kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare”, theksoi Voca.

Ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris tha se Serbia pa e ndryshuar politikën e saj nuk do të ndal aksionet e saj kundër vendit tonë. Ai tha se shteti serb për të integruar në BE po përdor dy karta, atë të kërkesës dhe dëshirës.

“Edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, pa dyshim që është trajtuar nga shërbimet diplomatike ruse për të penguar Kosovën që të bëhet anëtare e Interpolit. Nuk mund të besohet që Serbia do të ndalë lobimin e saj kundër Kosovës pa ndryshuar qasjen e saj politike. Serbia luan me dy karta kontradiktore, atë të kërkesës dhe dëshirës për tu integruar në BE dhe atë të rreshtimit përkrah Rusisë që ka po ashtu si intencë prezencën dhe influencën e saj në Ballkan”, nënvizoi Voca, përcjell "Bota sot".

Ai përmendi edhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në ndalimin e Serbisë në përdorimin e strategjive ruse në Ballkanin Perëndimore.

“Dhe kjo qasje e shtetit serb nuk do të ndalet përderisa BE dhe Shba nuk do të reagojnë prerazi duke i bërë të qartë Serbisë se nuk mund të ketë edhe aderim në strategjinë ruse për Ballkanin Perëndimor edhe aspirim për tu integruar në BE. Fatkeqësisht, kjo çështje kruciale që ndërlidhet me pozicionin gjeostrategjik të Serbisë e që ka të bëjë po ashtu me afrimin e tërë Ballkanit Perëndimor në BE, nuk është adresuar sa duhet as nga Kosova as nga vendet tjera të Ballkanit perëndimor dhe as nga vet BE”, deklaroi Voca.

Në fund, ai tha se përderisa Rusia i qëndron mbrapa Serbisë do të ketë gjithmonë hapësira për tensionim, konflikte dhe de stabilizim të rajonit.

“Për më tepër, përshpejtimi apo ngadalësimi i vërtetë i afrimit të Ballkanit Perëndimor ndërlidhet drejtpërdrejt me shkëputjen apo jo të njërës apo tjetrës intencë të Shtetit serb, atë të afrimit me Shtetin rus apo atë të thellimit dhe afrimit me BE. Përderisa Serbia do të vazhdoj së përqafuari gjeostrategjinë ruse për Ballkanin Perëndimor, do të kemi gjithnjë hapësirë për tensionim, konflikte dhe de stabilizim të rajonit qoftë përmes një politike serbe hegjemoniste qoftë përmes ngrirjes së proceseve të ndryshme integruese kah perëndimi burimin e së cilës e gjejmë gjithnjë tek ndikimi rus në Ballkan”, përfundoi Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat