Deklarata “bombë”: Haradinaj e ka ditur që Thaçi do të përfundonte në Hagë, ky është qëllimi i Vetëvendosjes

Politika

Deklarata “bombë”: Haradinaj e ka ditur që Thaçi do të përfundonte në Hagë, ky është qëllimi i Vetëvendosjes

Nga: G.B Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 09:19
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Posti i presidentit mund ta vendosë fatin e qeverisë.

Për shkak të këtij posti mund të bie qeveria dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Së fundmi edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri nga AAK, ka deklaruar se fati i koalicioni varet nga posti i presidentit.

Kjo, pasi lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, insiston që ta marrë ai këtë post, në të kundërtën, largohet nga koalicioni.

E për këtë post ambicie kanë edhe LDK e PDK.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Haradinaj e shprehu ambicien e tij për këtë post, që kur Thaçi u intervistua nga Specialja dhe kjo ishte një paralajmërim për të, që i ka ditët e numëruara.

"Kanë kaluar disa muaj që Ramush Haradinaj ka shpreh ambicien e tij për të marrë postin e presidentit të Republikës së Kosovës. Kjo ambicie e tij u shpall që kur Hashim Thaçi vazhdonte të ishte në detyrë, edhe pse ishte intervistuar katër ditë në Hagë dhe e dinte fort mirë se shpejt do të përfundonte në qelinë që sot e ka zënë. Fakti që Haradinaj shpalli kandidaturën që atëherë ishte një paralajmërim për Thaçin, për t'i thënë atij se i ke ditët e numëruara. Ky efekt ishte pozitiv. Por a mund të bëhet Haradinaj president?", ka thënë ai.

Bytyçi thotë se është shumë e vështirë arritja e një konsensusi politik për postin e presidentit dhe se LDK nuk është e gatshme ta votojë Haradinajn, andaj AAK do të largohet nga koalicioni për këtë arsye dhe më pas rrëzohet qeveria.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

"Unë e shoh shumë të vështirë një konsensus politik për këtë qëllim. Madje as partneri kryesor i koalicionit, Lidhja Demokratike, nuk është e gatshme ta votojë zotin Haradinaj Për pasojë ajo që thotë zëvendës-kryeministri Tahiraj është e saktë. AAK do ta lëshojë koalicionin dhe një koalicion kaq i brishtë, kur nuk bën kuorumin e votave për paketën e ndihmës në rastin e Pandemisë, nëse AAK largohet, rrëzon qeverinë. Qeveria rrëzohet me largimin e Haradinajt dhe AAK-së, sepse asnjë parti tjetër nuk është e gatshme të hyjë në koalicion me Lidhjen Demokratike. Madje as partia si motër e saj, Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën Isa Mustafa ka kaluar vite mjalti", është shprehur profesori.

Ai shton se konsensusi mund të arrihet me ndërhyrje, sikur që u bë Jahjaga presidente.

"Konsensusi për presidentin mund të gjendet vetëm nëse vjen një ndërhyrje, si ajo që erdhi para dhjetë vitesh kur Ahtifete Jahjaga u bë presidente. Në këtë rast mund të dakordohen të gjitha partitë politike, ose shumica e tyre për emrin e presidentit të vendit. Në të kundërt politikanët që unë njoh në Prishtinë nuk kanë mundësi dhe aftësi të dialogojnë dhe të gjejnë konsensus midis tyre në këtë çështje. Mundësitë shterohen po të kemi parasysh faktin se urrejtja dhe konflikti është thelluar nga pazaret politike të vitit që po mbyllet", ka vlerësuar Enver Bytyçi.

Më tej, ai thotë se VV nuk do të votonte asnjë president pasi dëshiron zgjedhje, AAK nuk voton askënd përpos Haradinajt, ndërsa LDK e PDK luftojnë mes tyre për këtë post.

"P.sh Vetëvendosja nuk gjen asnjë arsye të votojë një president tjetër, madje ajo nuk do ta votonte edhe një president nga radhët e saj, sepse qëllimi dhe interesi i saj është shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Po ashtu AAK nuk voton asnjë kandidaturë tjetër përveçse Haradinajt. LDK dhe PDK luftojnë ndërmjet tyre se kush do ta kishte presidentin e vendit. Teorikisht mund të merrte PDK postin e kryeministrit në një koalicion qeverisës me LDK-në dhe kjo e fundit të merrte atë të presidentit dhe nga kjo Isa Mustafa do të joshej për ta marrë ai vetë postin e kreut të shtetit. Por Partia Demokratike e Kosovës e njeh faktin se një koalicion qeverisës me LDK-në është shumë i përkohshëm dhe në vend që ajo të vejë vetullat, do të nxirrte sytë, pra do ta thellonte humbjen nëse shkohej në zgjedhje të parakohshme. Prandaj Enver Hoxhaj nuk rriskon. Aq më tepër që ai vetë nuk do të kishte asnjë benefit nga një koalicion i tillë", ka theksuar profesori.

Andaj, sipas tij dihet fati i koalicionit i cili mund të vazhdojë për disa javë e ndonjë muaj, por që sa më shumë që afrohet afati i mbarimit të mandatit të presidentes në detyrë, zonjës Osmani, aq më emergjente bëhet thirrja e zgjedhjeve të reja.

"Kësisoj duket qartë se fati i koalicionit është i lidhur me zgjedhjen e presidentit. Mund që ky koalicion të shtyhet edhe për disa javë e shumta ndonjë muaj, me shpresën se do arrihet një zgjidhje. Por sa më shumë afron afati i mbarimit të mandatit të presidentes në detyrë, zonjës Osmani, aq më emergjente bëhet thirrja e zgjedhjeve të reja. Presidenti edhe në rastet e mëparshme ka pasur shumë shanse të bëhet shkak i shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Por në ato raste janë përcaktuar gjërat që me formimin e koalicioneve qeverisëse, të cilat u prishën bie fjala, sapo Thaçi pati marrë atë që priste, karrigen e kreut të shtetit", ka deklaruar Bytyçi.

Ai thekson se kriza mund të zgjidhet me zgjedhje të reja dhe se posti i presidentit mund të shkaktojë krizë, derisa shton se më e mira do të ishte që presidenti të zgjedhej nga votat e qytetarëve.

"Vetëm zgjedhjet e reja mund ta zgjidhin krizën, nëse qytetarët do të votonin qartazi për një grupim politik, të cilin e duan në qeverisje. Nëse votat do të shpërndahen sipas kësaj skeme si sot, edhe pas zgjedhjeve do të jetë shumë e vështirë të realizohej konsensusi për presidentin e vendit. Kjo do të thotë se posti i presidentit të Republikës mund të bëhet shkak i një krize permanente politike e qeverisëse. Prandaj për mua do të ishte e domosdoshme që presidenti i Republikës të zgjidhej direkt nga sovrani, nga qytetarët e Kosovës. Kjo nuk do të thotë që Kosova të shndërrohet në një republikë presidenciale ose semipresidenciale. Ajo është dhe duhet të mbetet një Republikë Parlamentare. Thjesht zgjedhja duhet bërë me votim të përgjithshëm, me qëllim që të evitohen krizat e vazhdueshme për shkak të (mos)konsensusit për presidentit", ka përfunduar Enver Bytyçi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat