“Një fuqi e madhe do të kërkojë tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova”, eksperti amerikan i kundërpërgjigjet Vuçiqit

Politika

“Një fuqi e madhe do të kërkojë tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova”, eksperti amerikan i kundërpërgjigjet Vuçiqit

Nga: A.Zhushi Më: 15 maj 2021 Në ora: 20:22
Alon Ben-Meir

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova.

Ai nuk ka treguar se për cilin vend bëhet fjalë, por ka thënë se informacionet i ka nga “burime zyrtare”.

“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiq të enjten.

Por, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në këtë moment, sipas profesorit dhe ekspertit amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut Alon Ben-Meir.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Meir ka thënë se tërheqja e ndonjë prej fuqive mund të mos ketë efekt të rëndësishëm në përgjegjësinë dhe funksionin e forcës. Kjo pasi, sipas tij, ky vend nuk do të mund t’i bindë palët e tjera anëtare që të tërhiqen nga Kosova kolektivisht.

“Megjithëse një nga fuqitë mund të tërheqë forcat e saj nga KFOR-i dhe UNMIK-u, fakti mbetet se secila prej këtyre forcave përbëhet nga shumë vende, dhe një tërheqje e vetme mund të mos ketë një efekt të rëndësishëm në përgjegjësinë dhe funksionin e forcës. Një vend i tillë mund të tërheqë forcat e veta, por nuk do të jetë në gjendje të bindë palët anëtare që të tërheqin KFOR-in ose UNMIK-un kolektivisht”, ka thënë Ben-Meir.

Eksperti ka treguar se pse nuk mund të ndodhë një tërheqje e tillë tani.

“Unë dyshoj se një tërheqje e tillë do të ndodhë në këtë moment, duke pasur parasysh rritjen e nacionalizmit dhe ngadalësimin e procesit të integrimit midis disa prej shteteve të Ballkanit dhe BE-së”, ka shtuar për “Bota sot” Alon Ben-Meir.

Edhe sipas ekspertit të njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, KFOR nuk do të largohet nga Kosova.

"Dihet se nuk ka forca të UNMIK-ut në Kosovë. Vetëm NATO mund të vendos për tërheqjen e KFOR-it. Ata nuk kanë nevojë për rinovimin e mandatit të tyre. Çdokush mund të kërkojë gjithçka. Nuk mendoj se do të ndodhë", ka deklaruar ai për "Bota sot".

Të premten zëdhënësja e UNMIK-ut Sanam Dolatshahi, ka thënë se ndryshimet në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) kërkojnë vendimin e Këshillit të Sigurimit.

“Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) përcakton mandatin e prezencës civile ndërkombëtare dhe atë të sigurisë në Kosovë, dhe, si e tillë, çdo rregullim i Misionit kërkon një vendim të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Dolatshahi./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat