Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi më 21 korrik se do të tërhiqet nga gara presidenciale e 5 nëntorit.
Ky vendim i Biden tërheqi vëmendje të madhë në gjithë botën.
Gjatë karrierës mbi 50-vjeçare në politikë, Biden ishte mbi tri dekada senator, dy mandate zëvendës i presidentit Barack Obama, dhe një mandat president.
Si senator, ai ishte mbështetës i zëshëm i veprime ushtarake të NATO-s kundër Serbisë për të ndalur dhunën në Kosovë, si dhe më pas i pavarësisë së Kosovës.
Si nënpresident, ai vizitoi Kosovën dy herë.
E në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci komentoi këtë largim të Bidenit nga kandidatura për zgjedhjet presidenciale.
Fillimisht, ai u shpreh se largimi i tij është goditje e madhe për Kosovën.
“Presidenti Biden ka qenë bashkë me Xhorgj Bush, B. Clinton, Robert Doll, Xhon Mckain dhe Tom Lantosh, që tash 34 vite ka luftuar fuqishëm për Kosovën. Ai është ndër kontribuesit më të mdhenjë për bombardimet e vitit '99 dhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Presidenti Biden është i fundit në plejaden e burrështetasve të mëdhenj amerikanë që bënë historinë më të lavdishme të shqiptarëve. Largimi i tij është goditje e madhe për Kosovën”.
Krahas kësaj, ish-kryeredaktori i Rel tha se nuk pret ndryshime të qëndrimit të Uashingtonit në raport me Kosovën, pavarësisht rezultatit zgjedhor.
“Megjithatë, duhet pasur parasysh që politika amerikane ndaj Kosovës është bipartizane (dy partiake). Rrjedhimisht nuk pres ndryshim radikal të qëndrimit të Uashingtonit në raport me Kosovën. Madje nuk pres ndryshim të madh as në rast të fitores së ish presidentit Trump. Në mandatin e tij të parë Kosova ka marrë një njohje shumë të rëndësishme (Izraeli) dhe vizën për krijimin e Ushtrisë. Kjo është dëshmi që nuk duhet pritur ndryshime të mëdha në politikën amerikane ndaj Kosovës, pavarësisht fituesit në zgjedhjet e ardhshme në SHBA”, përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.