“Kurti është nën presion për këtë çështje”/ Eksperti amerikan kritikon BE-në, tregon a duhet të vendoset reciprociteti

Politika

“Kurti është nën presion për këtë çështje”/ Eksperti amerikan kritikon BE-në, tregon a duhet të vendoset reciprociteti

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 maj 2021 Në ora: 08:35
Alon Ben-Meir

Partitë opozitare në Kosovë kanë kritikuar ashpër Kryeministrin Albin Kurti, i cili nuk po i imponon reciprocitet Serbisë.

Ato e kanë akuzuar Kurtin se ka mashtruar elektoratin me këtë kauzë, për të ardhur në pushtet. Por, në seancën e mbajtur të enjten në Kuvendin e Kosovës, kryeministri ka thënë se ai nuk ka hequr dorë nga vendosja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se për këtë janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme.

“Serbia bën përgjithësisht barriera sporadike ndaj mallrave të Kosovës, por ka gjithashtu edhe barriera sistemike. Për të zbatuar reciprocitetin për të cilin ne jemi zotuar, kemi nevojë që t’iu bëjmë ballë suksesshëm edhe barrierave sporadike edhe atyre sistemike kjo nënkupton që neve na duhet kohë për t’u përgatitur që ta zbatojmë të plotë reciprocitetin. Është e domosdoshme që ne të përgatitemi që të mos dështojmë në zbatim”, ka thënë Kurti.

Se duhet të vendoset masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, e thotë edhe eksperti dhe profesori amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut Alon Ben-Meir.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se gjithmonë ishte që çdo çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të trajtohet në baza të barabarta dhe kjo duhet të vlejë edhe për tregtinë mes dy vendeve.

“Gjithmonë kam mbrojtur qëndrimin se çdo negociatë për çdo çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë më e mira në baza të barabarta. Kjo duhet të zbatohet gjithashtu për tregtinë, tarifat dhe çdo transaksion tjetër tregtar”, ka deklaruar Ben-Meir.

Ai ka thënë se kryeministri Kurti gjendet nën presionin e Bashkimit Evropian për të mos kundërshtuar pozicionin e Serbisë. Ai ka kritikuar BE-në se përmes kësaj qasjeje, do t’i jap Serbisë epërsinë ndaj Kosovës.

“Ndjenja ime është se Kurti është nën presionin e BE-së për të mos kundërshtuar pozicionin serb. Nëse është kështu, unë sigurisht nuk jam dakord, sepse kjo lloj qasjeje do t'i japë Serbisë epërsinë dhe do ta bëjë edhe më të vështirë procesin e zbutjes së mosmarrëveshjeve të tyre”, ka theksuar për Alon Ben-Meir për “Bota sot”.

Partitë opozitare e cilësuan çështjen e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë si një mashtrim elektoral./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat