Lobimi për ndarjen e Kosovës/ Eksperti amerikan e zbulon: Dhurata Hoxha mund të ketë qenë nën presionin e këtij politikani

Politika

Lobimi për ndarjen e Kosovës/ Eksperti amerikan e zbulon: Dhurata Hoxha mund të ketë qenë nën presionin e këtij politikani

Nga: A.Zhushi Më: 8 korrik 2021 Në ora: 08:18
Alon Ben-Meir

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar dje se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, dhe katër të pandehurve të tjerë.

Hoxha, ish-shefi i prokurimit i kësaj ministrie, Fitim Mustafa, e tre ish-sekretarët: Demush Shasha, Nuhi Osmani e Kushtrim Cukaj, akuzohen për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ata akuzohen se i kanë paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

E pagesën e lobimit për të promovuar modifikimin e territorit të Kosovës, e konsideron të paligjshme profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit, Alon Ben-Meir.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë çdo ide të modifikimit territorial bazuar në ndarjen etnike.

“Sipas mendimit tim, pagesa e një lobi të huaj për të promovuar modifikimin e territorit në Kosovë është e paligjshme. Kosova së bashku ka kundërshtuar çdo koncesion territorial dhe për më tepër vetë BE hedh poshtë çdo ide të modifikimit territorial bazuar në ndarjen etnike”, është shprehur Ben-Meir.

Eksperti amerikan, aktakuzën ndaj ish-ministres së PDK-së e konsideron “goditje” ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Sipas tij, Hoxha mund të ketë qenë nën presion nga Thaçi, për ta kryer një veprim të tillë të jashtëligjshëm.

“Paraqitja e kësaj aktakuze është sigurisht një goditje për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili padyshim promovoi këtë koncept të rregullimit të territorit. Mund të shtoj se ish-Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha mund të ketë qenë nën presion nga ish-presidenti, në vend që të veprojë vet për të kryer një veprim të tillë të jashtëligjshëm, si dhe jo etik, i cili padyshim minon interesin kombëtar të Kosovës”, ka theksuar Alon Ben-Meir për “Bota sot”.

Ish-ministrja Hoxha ka deklaruar se është e pafajshme dhe se nuk ka bërë asnjë keqpërdorim.

Edhe ish-sekretari në MIE Demush Shasha, ka thënë se “nuk e ka mizën pas veshi”, duke u shprehur i befasuar nga vendimi i prokurorisë, e cila nga të qenit dëshmitar e ka zhvendosur në të qenit i pandehur. Ai ka treguar se kontratën për lobim, e kishte dërguar për interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, për tu siguruar se asnjë veprim i MIE-së të mos ishte në kundërshtim me ligjin./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat