Protesta për shkarkimin e Albin Kurtit, ky është reagimi i ekspertit amerikan - porosia e tij për kryeministrin

Politika

Protesta për shkarkimin e Albin Kurtit, ky është reagimi i ekspertit amerikan - porosia e tij për kryeministrin

Nga: A.Zh Më: 18 korrik 2021 Në ora: 08:33
Alon Ben-Meir, Albin Kurti

Helmimi nga uji i mbi 1500 qytetarëve në Deçan dhe tiketa në vlerën e 5 eurove për regjistrimin e veturave, ka nxitur reagime të ashpra të partive opozitare. Ato kanë kërkuar protesta për shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili gjendet jashtë vendit.

Bajram Gecaj, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka akuzuar kryeministrin Kurti se po “sorollatet nëpër resorë luksozë pa qarë kokë për qytetarët e helmuar”.

“Kurti ik! Partitë në pushtet, opozita, shoqëria civile, si dhe qytetarët e vendit, të organizojnë një protestë të përbashkët gjithë-popullore para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkohej shkarkimi i Albin Kurtit, i cili, edhe pse deklarohet politikan i majtë, megjithatë, ai po sorollatet nëpër resorë luksozë pa qarë kokë për qytetarët e helmuar”, ka shkruar Gecaj në një postim në Facebook.

Por, “marrëzi” po e quan fajësimin e drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Kurti për helmimin në Deçan, profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit, Alon Ben-Meir.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është e zakonshme që opozita të ndërmarr hapa për të minuar punën e qeverisë.

“Nuk është e pazakontë që partitë e opozitës do të marrin ndonjë gjë për të minuar qeverinë. Shumë incidente të tilla mund të ndodhin kudo dhe në çdo rrethanë”, ka thënë Ben-Meir.

Ai ka porositur Kurtin që pas kthimit nga vizitat jashtë vendit, të hetojë se çka ka ndodhur në Deçan dhe të parandalojë përsëritjen e një incidenti të tillë.

“Është përgjegjësi e qartë e autoriteteve lokale për të siguruar që furnizimi me ujë është i pastër dhe i pijshëm. Por të sugjerosh që Kurti të fajësohet drejtpërdrejt për të është marrëzi në rastin më të mirë. Sidoqoftë, ai mund të kthehet nga Greqia të hetojë më tej se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e këtij lloji të incidentit”, është shprehur profesori amerikan./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat