Eksperti amerikan nxjerr listën: Kurti dhe Vuçiq t’i përfshijnë në agjendë këta hapa për takimin e tyre

Politika

Eksperti amerikan nxjerr listën: Kurti dhe Vuçiq t’i përfshijnë në agjendë këta hapa për takimin e tyre

Nga: A.Zh Më: 6 shtator 2021 Në ora: 12:49
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Negociatorët kryesorë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel më 7 dhe 8 shtator.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të takohen të mërkurën në kuadër të dialogut.

Takimi në fjalë, sipas profesorit dhe ekspertit amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit, Alon Ben-Meir, mund të prodhojë rezultate. Por, kusht për këtë mbetet që palët të negociojnë në mirëbesim.

“BE ka qenë gjatë gjithë kohës lojtari kryesor që u përqendrua në lehtësimin e një dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Takimi i pritshëm midis përfaqësuesve të te dy vendeve në Bruksel më 7 dhe 8 shtator mund të prodhojë disa rezultate, me kusht, natyrisht, që të dyja palët të negociojnë në mirëbesim”, ka thënë ai për gazetën “Bota sot”.

Ben-Meir ka përmendur gjashtë hapa që sipas tij, duhet t’i përfshijnë në agjendën e tyre kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, për takimin e tyre më vonë në shtator. Ai këtu përmend se Serbia duhet të njohë përfundimisht Kosovën dhe të ndalë fushatën kundër njohjes së Kosovës.

“Që dialogu i ri të prodhojë disa rezultate domethënëse, këta hapa duhet të përfshihen në agjendë që Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Kurti të marrin parasysh me kujdes në takimin e tyre më vonë në shtator. Së pari, siç kam thënë herë pas here, të gjitha çështjet konfliktuale duhet të negociohen në kontekstin e njohjes përfundimtare të pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe ndalimin, njëherë e përgjithmonë, të fushatës së Beogradit për të bindur vendet e tjera që të tërheqin njohjen e tyre të Kosovës”, ka potencuar profesori amerikan.

Ai më tej ka përmendur edhe vrasjen e 1,600 shqiptarëve gjatë luftës, duke thënë se Serbia pos tyre, duhet të jap llogari edhe për të zhdukurit. Ben-Meir, si hap ka përmendur edhe ndalesën për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi.

“Së dyti, është koha që Serbia të japë llogari për afro 1,600 shqiptarët e Kosovës që vdiqën gjatë luftës. Qeveria serbe e di se ku janë shumica e këtyre personave të zhdukur dhe duhet të qetësojë çështjen më torturuese që ka ndjekur familjet e të zhdukurve për më shumë se 20 vjet. Së treti, duke pasur parasysh se në rrethanat aktuale Serbia nuk ka të ngjarë të njohë Kosovën, si fqinjë ata duhet të binden që të bashkëpunojnë në çdo fushë të përpjekjeve përderisa nuk bëhet shkëmbim territorial i përcaktuar nga përkatësia etnike”, ka thënë ai.

Eksperti ka propozuar që BE të shpërblejë vendin që është i gatshëm të kompromiset e nevojshme për të arritur njohjen reciproke, ose të vonojë procesin e integrimit në BE për vendin që refuzon një gjë të tillë.

Hap tjetër sipas tij, duhet të jetë krijimi i një komiteti të përbashkët për të monitoruar progresin dhe për të bërë rekomandime në baza të rregullta për të përshpejtuar normalizimin.

“Së katërti, është kritike që lehtësuesit e BE-së të parandalojnë lidhjen ose kushtëzimin e zgjidhjes së çdo çështjeje konfliktuale me një tjetër. Zgjidhjet e hapura për problemet, për shembull, shpërndarja e ujit, tregtia, tarifat për mallrat e importuara nëse ka, duhet të ndërlidhen për të lejuar një proces më të qetë të normalizimit. Së pesti, të dyja palët duhet të bien dakord për të krijuar një komitet të përbashkët për të monitoruar progresin dhe për të bërë rekomandime në baza të rregullta për të përshpejtuar normalizimin. Së fundi, BE-ja duhet të përdorë një metodë karota dhe shkopinj duke shpërblyer vendin i cili është i gatshëm të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur njohjen reciproke, ose duke vonuar procesin e integrimit në BE për vendin që refuzon në mënyrë të paarsyeshme të bashkëpunojë”, ka theksuar Alon Ben-Meir.

Ndryshe, të martën, të dy delegacionet kanë planifikuar të zhvillojnë bisedime dypalëshe me ndërmjetësin Miroslav Lajçak dhe përfaqësues tjerë të BE-së./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat