“Spanja po përgatit kthesën historike në raportin me Kosovën”/ Eksperti amerikan tregon a po shqyrtohet njohja

Politika

“Spanja po përgatit kthesën historike në raportin me Kosovën”/ Eksperti amerikan tregon a po shqyrtohet njohja

Nga: A.ZH Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 21:01
Gazeta spanjolle ka shkruar se qeveria e Pedro Sanchezit po përgatit një kthesë për qëndrimin e saj ndaj Kosovës

Burime diplomatike kanë thënë për gazetën spanjolle “The Objective” se qeveria e Pedro Sanchezit po përgatit një kthesë për qëndrimin e saj ndaj Kosovës, që do të nënkuptojë njohjen e parë “de facto” të pavarësisë së Kosovës.

Sipas këtij mediumi, Spanja mund të hapë një zyrë tregtare apo kulturore në Prishtinë.

Gazeta thotë se një veprim i tillë do të bëhet duke ndjekur modelin e Franco-s me BRSS-në, pra pa nënkuptuar njohjen e plotë.

E hapja e kësaj zyre në Prishtinë, sipas profesorit dhe ekspertit amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, do të thotë se Spanja po shqyrton njohjen e Kosovës në një moment në të ardhmen.

Sipas Ben-Meirit, reagimi i palëve të tjera të interesuara si Spanja, duhet vlerësuar.

Image
Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben-Meir

“Hapja e një zyre tregtare apo kulturore është në thelb fillimi i një dialogu dhe gjithashtu vlerësim i reagimit të palëve të tjera të interesuara/të lidhura veçanërisht nga Serbia, me të cilën Spanja ka marrëdhënie të mira. Për më tepër, kur një vend hap një zyrë të tillë sinjalizon se vendi po shqyrton njohjen në një moment në të ardhmen. Varësisht se si evoluon marrëdhënia”, ka thënë profesori për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, pas raportimit të “The Objective” se Spanja po përgatitet ta njoh pavarësinë e Republikës së Kosovës, ministri i jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, në një organizim të OSBE-së dje ka takuar ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Albares. Selakoviq ka thënë se është mirënjohës ndaj Spanjës për siç ka thënë ai “përkrahjen për integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë”.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, që së bashku me Greqinë, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë - nuk e njohin pavarësinë e Kosovës./Botasot

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat