Paralajmërohet zgjerimi i ‘listës së zezë’ - përmenden fakte dhe dëshmi

Politika

Paralajmërohet zgjerimi i ‘listës së zezë’ - përmenden fakte dhe dëshmi

Nga: A.M. Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 20:04
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë ta luftojnë korrupsionin brenda dhe jashtë vendit të tyre. 

Së fundi, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë nga 24 etni në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Ky është një sinjal që SHBA-të po synojnë ta shfarosin korrupsionin dhe t’i dënojnë të përfshirët në këtë rrjet 

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi tha se korrupsioni i ka përfshirë shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor. 

Madje, ai  në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se nëpërmjet pushtetit kanë ndodhur vjedhje të mëdha dhe pasurim i personave të ndryshëm. 

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

“Korrupsioni është një dukuri shumë e ngulitur dhe e thellë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëpërmjet pushtetit kemi një vjedhje dhe pasurim të madh të personave të ndryshëm dhe një dukuri që e ka kapur shtetin kudo në poret e veta”, deklaroi ai. 

Sipas Kelmendit, futja në listë të zezë e personave të korruptuar duhet mirëpritur, pasi kjo gjë e lehtëson luftimin e korrupsionit. 

“Nëpër të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë ka krim dhe korrupsion. Paraqitja dhe futja në listë e kriminelëve të dalluar është shumë domethënëse për të luftuar shtetet krimin dhe korrupsionin. Me listën e tillë më lehtë mund të luftohen njerëzit e korruptuar, ndërsa, se sa dëshiron shteti për t’i luftuar këta, mbetet të shihet”, theksoi njohësi i çështjeve kushtetuese. 

Në fund, ai potencoi se lista e zezë duhet të zgjerohet dhe shtetet përkatëse të marrin masa.  

Kelmendi bëri thirrje që edhe Bashkimi Evropian t’i futë në listë të zezë të gjithë personat e identifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

“Shtetet i njohin krimet dhe kanë të dhëna për korrupsion dhe megjithatë nuk i luftojnë. Lista e zezë iu ndihmon atyre në punë konkrete, kanë fakte më konkrete dhe dëshmi. 

Por, nëse shtetet nuk marrin masa, lista do të zgjerohet edhe ne shtetet tjera dhe gradualisht të emërtuarit nuk mund të futen në SHBA.  

Mendoj se edhe shtetet tjera të UE dhe më gjerë atëherë do të iu ndalohet futja në ato shtete. 

Izolimi do të jetë i ashpër”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat