“Putin po kërkon ta shpëtojë fytyrën”, eksperti nga Amerika tregon rezultatin përfundimtar nga lufta në Ukrainë

Politika

“Putin po kërkon ta shpëtojë fytyrën”, eksperti nga Amerika tregon rezultatin përfundimtar nga lufta në Ukrainë

Nga: A.ZH Më: 1 prill 2022 Në ora: 21:04
Vladimir Putin; foto ilustrim

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka komentuar zhvillimet e deritanishme në Ukrainë, e cila që nga 24 shkurti po përballet me agresorin rus.

Duke folur në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Ben-Meir, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin, i ka bërë gabim llogaritë e tij në lidhje me pushtimin e Ukrainës.

“Është e qartë se Putini ka llogaritur gabim në një sërë frontesh: ai llogariti gabimisht rezistencën shumë të ashpër të ushtrisë ukrainase dhe mijëra qytetarëve që mbajnë armë dhe po luftojnë kundër trupave ruse me trimëri dhe guxim të paparë. Putini e ka llogaritur keq unitetin pothuajse të menjëhershëm të vendeve anëtare të NATO-s në kundërshtimin e tyre të fortë ndaj shkeljes flagrante të ligjit ndërkombëtar nga Putini dhe aq më tepër për pushtimin e një vendi paqësor pa asnjë provokim apo justifikim. Ai llogariti gabimisht shtrirjen e sanksioneve gjymtuese që Perëndimi ishte në gjendje të vendoste shpejt dhe me vendosmëri ndaj Rusisë. Më e keqja, Putini e llogariti gabimisht forcën e ushtrisë së tij dhe korrupsionin endemik në radhët e grupeve, dhe më shumë se çdo gjë tjetër faktin se sa e demoralizuar është ushtria e tij, gjë që ndikoi rëndë në aftësinë e tyre luftarake dhe rezistencën”, ka thënë profesori amerikan.

Sipas tij, të gjithë këta faktorë, e kanë detyruar presidentin rus të ndryshojë strategji.

“Është kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve që e kanë detyruar Putinin të miratojë një strategji të re dhe mund të kufizojë fushatën e tij për të kontrolluar pjesën lindore të vendit, veçanërisht në rajonin e Donbasit”, është shprehur më tej Ben-Meir.

Ai parashikon që Putin do të përpiqet të shpëtojë fytyrën e tij, duke kërkuar një marrëveshjeje të përgjithshme mes të dyja vendeve, në të cilën Ukraina do të duhet të pranojë të mos anëtarësohet në NATO dhe të lejojë Putinin të mbajë kontrollin e tij mbi Krimenë.

“Si pjesë e një zgjidhjeje të përgjithshme të negociuar, Ukraina do të duhet të pranojë të mos anëtarësohet në NATO dhe të lejojë Putinin të mbajë kontrollin e tij mbi Krimenë. Kjo për mendimin tim do t'i sigurojë Putinit një rrugëdalje që të shpëtojë fytyrën. Sigurisht që do të marrë pak kohë, por besoj se ky mund të jetë rezultati përfundimtar”, ka shtuar për “Bota sot” Alon Ben-Meir./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat