Eksperti amerikan: BE-ja mund të ketë vendosur për liberalizimin e vizave, ja pse dëshiron ta nxisë Kurtin

Politika

Eksperti amerikan: BE-ja mund të ketë vendosur për liberalizimin e vizave, ja pse dëshiron ta nxisë Kurtin

Nga: A.ZH Më: 22 qershor 2022 Në ora: 22:46
Albin Kurti dhe Ursula von Leyen

Bashkimi Evropian mund të ketë marrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kështu është shprehur profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Ai ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën është më shumë se një thashetheme, marrë parasysh deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për këtë çështje.

Image
Alon Ben-Meir

“Ka mundësi që BE-ja të ketë marrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Fakti që presidenti serb Aleksandar Vuçiq ankohet se Kosova nuk i ka përmbushur detyrimet e saj dhe nuk duhet t'i jepet ky privilegj në këtë moment, sugjeron se ndoshta liberalizimi i vizave është më shumë se një thashetheme”, është shprehur profesori për Ballkanin.

Sipas tij, BE-ja mund të nxisë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, për më shumë bashkëpunim me Serbinë, në këmbim të liberalizimit të vizave.

“Megjithatë, do të thosha se perspektiva mund të jetë në favor të Kosovës, vetëm sepse BE-ja dëshiron t'i japë kryeministrit Kurti disa nxitje për të qenë më bashkëpunues në marrëdhëniet me Serbinë. Në përgjithësi, është e mundur që Kosova më në fund të marrë atë që ka kërkuar për disa vite, megjithëse ka ende disa dyshime të vazhdueshme”, ka theksuar Ben-Meir për “Bota sot”.

Mundësi për vendimin pozitiv për Kosovën, po shihet takimi i radhës i Këshillit Evropian, që do të mbahet më 23-24 qershor në Bruksel.

Në këtë takim pritet të diskutohet për perspektivën e  anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, derisa Ukrainës dhe Moldavisë do t’u ndahet statusi i kandidatit.

Edhe pse liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është formalisht në agjendën e takimit, nuk përjashtohet mundësia që kjo çështje të zhbllokohet.

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe këtë e ka konfirmuar Komisioni Evropian që nga viti 2018./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat