Tensionet e fundit, eksperti amerikan del me një propozim Rezulotë për Kosovën dhe Serbinë

Politika

Tensionet e fundit, eksperti amerikan del me një propozim Rezulotë për Kosovën dhe Serbinë

Nga: A.ZH Më: 2 gusht 2022 Në ora: 11:27
Alon Ben-Meir, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për të shtyrë urdhrin për reciprocitetin ndaj Serbisë, nuk do ta zgjidhë mosmarrëveshjen.

Ai beson se ndryshimi i targave të veturave dhe marrja e dokumenteve të përkohshme nga qytetarët në të dyja anët e kufirit, do të jenë jetëshkurtër.

“Besoj se çdo marrëveshje që kërkon ndryshimin e targave të veturave që kalojnë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në të dy drejtimet, si dhe kërkesa për marrjen e dokumenteve të përkohshme të udhëtimit nga qytetarët nga të dyja anët kur ata të hyjnë në vendin e njëri-tjetrit, në rastin më të mirë, do të jetë jetëshkurtër, siç e kemi parë tashmë. Vendimi i kryeministrit Kurti për të pezulluar urdhrin e tij nga 1 gushti deri më 1 shtator ofron një fillim të mbarë, por nuk do ta zgjidhë mosmarrëveshjen”, është shprehur Ben-Meir, në një bisedë për gazetën “Bota sot”.

Gjatë këtij afati, sipas tij, “të dyja palët duhet të negociojnë një zgjidhje të qëndrueshme, duke filluar me përfundimin e menjëhershëm të bllokimeve të rrugëve nga shtetasit serbë dhe tërheqjen e policisë së Kosovës nga kufiri”.

Për zgjidhjen e krizës aktuale, eksperti Ben-Meir u ka propozuar Kosovës dhe Serbisë, një rezolutë, e cila sipas tij, plotëson kërkesën e Kurtit për reciprocitet pa krijuar perceptimin se Serbia po e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Për të arritur një zgjidhje të tillë të përhershme pa cenuar të drejtat e perceptuara apo reale politike të njëri-tjetrit, ata duhet të marrin në konsideratë rezolutën e mëposhtme, e cila plotëson kërkesën e Kurtit për reciprocitet pa krijuar perceptimin se Serbia po e njeh pavarësinë e Kosovës.

Një deklaratë e përkohshme duhet të lëshohet nga zëdhënësit e qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës duke deklaruar se:

Pavarësisht nga dallimet tona politike dhe statusi, dhe duke qenë se ne duam të bashkëjetojmë në mënyrë paqësore dhe të bashkëpunojmë në fusha ku të dyja palët mund të përfitojnë, ne biem dakord për sa vijon:

1-Të gjitha makinat që kalojnë kufirin në të dy drejtimet do të mbajnë targën e vendbanimit të tyre përkatës;

2- Asnjëra palë nuk do të kërkojë nga udhëtarët në asnjërën drejtim (kosovarët në Serbi dhe serbët në Kosovë, përfshirë serbët që jetojnë në Kosovë) të marrin dokumente udhëtimi të lëshuara nga pala tjetër;

3- Kjo marrëveshje nuk nënkupton ose sugjeron njohje reciproke të sovranitetit të njëri-tjetrit, por është bërë në frymën e marrëdhënieve fqinjësore dhe është plotësuese me dialogun e lehtësuar të BE-së për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve”, thuhet në propozim rezolutën e Alon Ben-Meir.

Qeveria e Kosovës, ka shtyrë zbatimin e dy vendimeve për dokumentet dhe targat serbe, që çuan në bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës nga serbët lokalë gjatë vikendit.

Sipas kërkesës së SHBA-së, vendimet do të fillojnë të zbatohen nga data 1 shtator./Botasot

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat