Serbia “kërcënon” me përshkallëzim të situatës në veri, ja çfarë kërkohet nga Kosova

Politika

Serbia “kërcënon” me përshkallëzim të situatës në veri, ja çfarë kërkohet nga Kosova

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 prill 2023 Në ora: 08:09
Foto ilustrim

Situata në veri ka potencial të përshkallëzohet, ka deklaruar udhëheqësi i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç.

Gjersa, pak ditë kanë mbetur deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, ende ka pikëpyetje rreth mbajtjes apo shtyrjes së tyre.

Rreth zgjedhjeve dhe situatës në veri kishte folur udhëheqësi i Partisë së Serbëve të Kosovës, i cili tha se incidentet e shënuar si djegia e veturave, pronave e të tilla, sipas tij do të ndikojnë në mos dalje të qytetarëve në zgjedhje, për shkak të frikës.

Kritikat e Jabllanoviçit

Jabllanoviç ka kritika edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përmend çështjen e qendrave të votimit, të cilat vetëm sot u bënë të ditura.

Situata e sigurisë në veri të Kosovës asnjëherë nuk ka qenë e mirë, në radhë të parë sepse asnjëherë nuk ka qenë stabile në planin afatgjatë. Arsyet për këtë janë të shumta dhe do të duhej shumë kohë për t’i renditur të gjitha. Aktualisht, situata e sigurisë nuk është më e favorshme, sepse serbët u larguan nga institucionet, përfshirë SHPK-në, dhe barrikadat nga dhjetori 2022 treguan se sa potencial ka për përshkallëzim. Shumica dërrmuese e qytetarëve kanë frikë për sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre dhe fatkeqësisht njerëzit po largohen gjithnjë e më shpesh nga veriu i Kosovës pikërisht për shkak të tensioneve të shpeshta. Jemi dëshmitarë se para zgjedhjeve të 23.04 vazhdojnë të ndodhin çdo ditë djegie makinash, pronash dhe incidente të tjera, të cilat vetëm sa e komplikojnë situatën. Mendoj se frika e qytetarëve do të ndikojë shumë në daljen në zgjedhje. Më duhet të theksoj se pjesëtarët e policisë (shqiptarët) që ndodhen në stacionet e veriut, e bëjnë punën e tyre me vështirësi dhe tërësisht profesionalisht. Mirëpo, qëndrimi i qytetarëve ndaj njësisë speciale të PK-së dhe i pjesëtarëve të asaj njësie ndaj qytetarëve është krejtësisht tjetër histori! Ju gjithashtu mund të shihni angazhimin e madh të KFOR-it dhe EULEX-it për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit”, është shprehur ai në një intervistë të hënën.

Analistët politikë deklaratën e z. Jabllanoviç e konsiderojnë si presion ndërkombëtar, ndërsa sipas ekspertëve të sigurisë mbajtja e zgjedhjeve në atë pjesë ka për qëllim krijimin e një ambienti të jetueshëm për të gjithë qytetarët.

“Propagandë për të gëzuar mbështetjen e Vuçiqit”

Analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se Jabllanoviç po përdor propagandën për të gëzuar mbështetjen e Vuçiqit.

Image
Faton Mehmeti

Ai ka kërkuar që deklaratat e tij të dënohen.

Deklarata e Jabllanoviçit është presion ndaj ndërkombëtarëve për mos të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve si dhe kërcënim ndaj institucioneve të Kosovës për t'u tërhequr ndaj vendosmërisë për ushtruar sovranitetin e vendit kudo. Lista Serbe është e keqja më e madhe e serbëve, jo vetëm në veri, por kudo në Kosovë. Kështu që, Jabllnoviçi po përdor propagandën për të gëzuar mbështetjen e Vuçiqit. Deklarata e tij duhet dënuar nga të gjithë, edhe ndërkombëtarët duhet të reagojnë me vendosmëri”, thotë Mehmeti.

Rreth situatës në veri dhe mundësisë së destabilizimit të situatës atje për shkak të zgjedhjeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se nuk ka asnjë informacion.

Ai është shprehur se Serbia përmes propagandës po tenton t'i frikësojë serbët lokalë në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

Mirëpo, ai u ka bërë thirrje të gjithë serbëve të Kosovës në veri që të dalin në zgjedhje.

Halimi: Kosova të mos e lë për asnjë çmim veriun në duart e grupeve kriminale

Image
Armend Halimi

Eksperti i sigurisë, Armend Halimi, thotë se zgjedhjet në atë pjesë synojnë që të krijohet ambienti i jetueshëm dhe minoriteti serb të përfaqësohet nga njerëzit legal që mbrojnë interesat e qytetarëve.

Sipas tij, Kosovës i takon e drejta dhe obligimi të organizojë zgjedhje demokratike.

Mbajtja e zgjedhjeve demokratike në atë pjesë të Republikës së Kosovës ka për qëllim krijimin e një ambient të jetueshëm për të gjithë qytetarët, sidomos atë të minoritetit serb, ngase përmes këtyre, synohet që në përfaqësim të tyre të jenë njerëz legalë që mbrojnë interesat e qytetarëve, e jo sikur orvatet Serbia që krimi i organizuar nën ombrellën e Listës serbe të jetë formë e qeverisjes së asaj pjese nëpërmes metodave të kundërligjshme të kërcënimit dhe ndëshkimit të qytetarëve lojal të shtetit të Kosovës, gjë që krejt kjo fĺet për kundër propagandës së shtetit serb. Andaj, vendit tonë i takon e drejta dhe obligimi njëherit të organizojë zgjedhje demokratike dhe për asnjë çmim mos ta lë atë pjesë të Republikës nën dominimin e grupeve të krimit të organizuar dhe terroriste të cilat i organizon dhe sponzorizon shteti serb”, pohon Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat