Kosova mori garanci të fuqishme nga ShBA për asociacionin - Fjala përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese

Politika

Kosova mori garanci të fuqishme nga ShBA për asociacionin - Fjala përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 nëntor 2023 Në ora: 10:02
Albin Kurti, Jeffrey Hovenier dhe Aleksandar Vuçiq

Kosova nuk do t’i shpëtojë themelimit të asociacionit. 

Mes zhurmës dhe kritikave rreth asaj që kryeministri i Kosovës shprehi gatishmërinë për ta nënshkruar më 26 tetor, të enjten qytetarët e Kosovës u siguruan se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive e po ashtu nuk do të krijojë nivel shtesë të pushtetit.  

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.  

“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.  

Ai gjithashtu ka folur edhe për pranimin e këtij draft statuti nga Kosova, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm ta pranojë.  

Batusha: Priremi që në parim t’i besojmë partnerëve tanë, sidomos SHBA-ve  

Deputeti i VV-së, Agon Batusha, në një përgjigje për “Bota sot” deklaron se, duhet t’i besojmë partnerëve tanë, por çfarëdo propozimi që cenon germën dhe frymën e Kushtetutës, kjo është e papranueshme.  

Image
Agon Batusha

“Natyrisht, priremi që në parim t’i besojmë partnerëve tanë, sidomos SHBA-ve, por kur ai draft të jetë në duart e deputetëve atëherë do e kemi më të lehte komentimin e tij.   

Qëndrojmë në bindjet tona se çfarëdo propozimi që cenon germën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës, cenon funksionimin e shtetit dhe që rrezikon tërësinë e shtetit, ka qenë dhe mbetet e papranueshme”, deklaron deputeti.  

Rugova: Ky draft statut pa dyshim është më i avancuar  

I të njëjtit mendim është edhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova, thotë se ky draft statut duhet të jetë më i avancuar dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.  

Image
Naser Rugova

“Së pari formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Ky draft statut pa dyshim është më i avancuar dhe në përputhje të plotë me rendin kushtetues të Kosovës dhe ligjet e shtetit tonë”, thotë ai.   

Më tej, Rugova thotë se SHBA-ve duhet t’i besojmë në plotni dhe të jemi në koordinim me qeverinë amerikane.  

“Nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk prek organizimin shtetëror dhe administrativ të Republikës së Kosovës. Vlerësoj se duhet t’i besojmë në plotni partnerit tonë strategjik SHBA-ve dhe duhet të jemi në koordinim të plotë me qeverinë amerikane”, përfundon ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat