Eksperti i Sigurisë flet për arrestimin e Gjuriqit, kështu e komenton veprimin e Policisë

Politika

Eksperti i Sigurisë flet për arrestimin e Gjuriqit, kështu e komenton veprimin e Policisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 mars 2018 Në ora: 22:38
Arrestimi i Marko Gjuriq

Shefi i ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, është deportuar për në Serbi, pas marrjes në pyetje nga Policia e Kosovës.

Gjuriq është arrestuar në orët pasdites, pasi që nuk ka respektuar ndalesën e Kosovës për të hyrë në Mitrovicë.

Në momentin kur ai u nxorr nga automjeti, dhjetëra qytetarë u mblodhën para stacionit policor.

Ekspertët e sigurisë, veprimin e Policisë e konsiderojnë profesional arrestimin e tij.

Arrestimi i Gjuriqit është bërë nga ROSO, ndërkaq mediat serbe kanë publikuar edhe momentin kur është bërë arrestimi i tij në takimin e tij me serbët,  duke debatuar mbi dialogun e brendshëm për Kosovën.

Në pamjet e arrestimit, shihet se Policia ka shpërndarë edhe shok-bomba për të larguar turmën.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, në një prononcim për “Bota sot” ka treguar se janë ndërmarrë masat e sigurisë, për të eliminuar në tërësi ose në minimum dëmet anësore.

Kajtazi e konsideron të rëndësishme vendosmërinë e shtetit të Kosovës për të zbatuar ligjet.

Image
Fadil Kajtazi

“Policia e Kosovës ka zbatuar një urdhër në mënyrën më të mirë profesionale. Janë marrë të gjitha masat e sigurisë për njësitë intervenuese si dhe masat për të eliminuar në tërësi ose në minimum dëmet anësore që mund të ndodhin në raste të tilla.  E rëndësishme është vendosmëria e shtetit të Kosovës për të zbatuar ligjet dhe po ashtu shumë e rëndësishme për imazhin e Kosovës është zbatimi i ligjeve nga policia në këtë rast pa diskriminuar qytetarë mbi baza etnike dhe pa shkelur liritë dhe të drejtat e tyre”, ka pohuar Kajtazi për “Bota sot”.

Në anën tjetër, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas arrestimit ka bërë thirrje për qetësi.

Thaçi ka shtuar se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.

Kurse, ambasadori amerikan Greg Delawie është shprehur i shqetësuar për ngjarjet në Mitrovicë.

“Shumë i shqetësuar nga ngjarjet e sotme në Mitrovicë. Nuk ka alternativë për dialogun”, tha Delawie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat