Koncili i Dytë i Vatikanit (1962 – 1965)

Religjion

Koncili i Dytë i Vatikanit (1962 – 1965)

Nga: Don Lush Gjergji Më: 13 korrik 2022 Në ora: 12:06
Autori Don Lush Gjergji

Dekreti mbi ekumenizëm “Unitatis Redintegratio” - Rimëkëmbja e Njësisë.

Koncili i Dytë i Vatikanit kishte qëllime dhe synime të qarta ekumenike. Dokumenti mbi ekumenizmin quhet dhe është Dekret, sepse ka fuqi zbatimi për jetën kishtare. Pas shpalljes së këtij Dekreti, janë botuar edhe tre Direktore ekumenike, nga Sekretariati për Bashkimin e të Krishterëve (1967, 1970, 1993).

Një ndër elementet kryesore të Koncilit të Dytë të Vatikanit është edhe bashkimi i të krishterëve (Lexo dhe krahaso: Ratko Periq – Michal Lacko, Dekret o ekumenizmu, KS, Zagreb, 1982, fq. 41 – 42.

Kreu i parë i Dekretit na jep parimet kryesore të ekumenizmit katolik, duke u nisur prej botëkuptimit biblik. Zoti na zbulohet si mirësi, dashuri dhe falje në Jezu Krishtin, i cili me mundime, vdekje dhe ngjallje na ka shëlbuar. Vepra e tij vazhdon edhe sot nëpërmjet Kishës, të përforcuar në Shpirtin Shenjt, i cili është udhëheqësi dhe zbatuesi i bashkimit kishtar. Kisha përparon në kohë dhe në hapësirë, në histori dhe në gjeografi, dhe si e tillë ka elementin hyjnor dhe njerëzor.

Për ruajtje dhe udhëheqje të sigurt të saj Jezusi i ka zgjedhur apostujt dhe pasardhësit e tyre në krye me Shën Pjetrin, Papën dhe kolegjin ipeshkvor.

Marrëdhëniet me vëllezërit e ndarë

Në Kishë gati qysh prej fillimit janë paraqitur disa mosmarrëveshje dhe ndarje të brendshme, e më vonë gjatë shekujve, për fat të zi, edhe shkëputje dhe copëtime të vërteta., “por pa faj të besimtarëve. Kisha Katolike ata i përqafon me nderim vëllazëror dhe me dashuri.” (UR 3)

Krishti ka dashur dhe ka themeluar vetëm një Kishë, mirëpo ajo në kohë është copëtuar nën ndikimin e mëkatit dhe të natyrës njerëzore. Prandaj çdo ndarje – përçarje – copëtim në Kishë është pasojë e mëkatit dhe mëkat.

Para Koncilit Kishat e krishtera sulmonin njëra – tjetrën për ndarje, kurse tani ndarja shqyrtohet si pasojë e mëkatit dhe përgjegjësia është e të gjithëve, edhe pse dihet se Kisha katolike është më besnikja dhe më e afërta themeluesit të Kishës së Krishtit (Khs. Ratko Peric, v. e cit. f. 55).

Besimtarët jo katolikë nuk janë fajtorë për ndarjen e tyre nga Kisha katolike, e disa prej tyre janë në bashkim jo të plotë, të papërsosur me ne, sepse janë të pagëzuar në emër të Jezu Krishtit. Përpos pagëzimit kanë edhe shumë gjëra tjera të përbashkëta: “Shkrimin Shenjt, fenë e përbashkët, shpresën, dashurinë; sakramentet e përbashkëta së paku me Kishën Ortodokse.” (Po aty, f. 57). Këto janë “elementet e Kishës” që gjenden edhe në bashkësitë kishtare jo katolike, diku më shumë e diku më pak, kurse omnis plenitudo (tërë plotësia) është në Kishën katolike këtu në tokë, dhe “ad totam plenitudinem” (kah plotësia e tërësishme), do të arrijmë vetëm në qiell, në amshim.

Numri 4 i Dekretit thekson nevojën e kërkesës së afrimit dhe bashkimit të plotë ndër të krishterë, sipas dëshirës së Krishtit, por edhe duke iu përgjigjur “shenjave të kohës”, sipas thënies së Papës Gjoni XXIII.

Pikësëpari duhet larguar pengesat si p. sh. mallkimin apo ekskomunikimin e ndërsjellët në mes të Kishës katolike dhe Ortodokse (1965). Kjo mund të arrihet vetëm me dialog të çiltër mbi pyetjet dhe çështjet fetare dhe kishtare, si dhe me shqyrtimin e ndërgjegjes mbi besnikërinë ndaj Jezu Krishtit, për t’u përtërirë dhe rilindur në Shpirtin Shenjt. (Po aty, f. 60 – 65).

Pajtimi i vëllezërve të ndarë me Kishën katolike (reconciliatio), sipas veprimit të Shpirtit Shenjt, është detyrë e të gjithëve.

Ekumenizmi katolik i ka dy drejtime: “në një anë duhet të drejtohet kah vëllezërit e ndarë, kurse në anën tjetër kah Kisha e Krishtit si e kanë njohur nëpërmjet apostujve.” (Po aty, v. e cit. f. 67; Khs. Franc Hummer, Ortodoxie un Zweites Vatikanum, Herder., 1966, f. 52 – 58).

Ndoshta në mënyrë përmbledhëse mund të themi me Shën Augustinin kështu: in non neccessariis libertas (në gjëra të parëndësishme liria), in neccessariis unitas (në gjëra të nevojshme bashkimi), in omnibus charitas (në të gjitha dashuria).

Kreu i dytë, numrat 5, 6, 7 të Dekretit flasin për kujdesin e Kishës katolike për ekumenizëm dhe përtëritje, sepse Koncili II i Vatikanit kishte këtë qëllime:

baritore: përtëritjen e brendshme të Kishës katolike;

misionare: ndaj botës dhe kohës së sotme;

ekumenike: ndaj të gjithë të krishterëve.

Papa Pali VI gjatë seksionit të dytë të Koncilit tha haptazi dhe guximshëm, me plot përvujtëri: “Ne kërkojmë falje prej Zotit dhe prej vëllezërve të ndarë, të cilët mund të ndihet të fyer; jemi të gatshëm, sa na përket Neve, t’i falim të gjitha fyerjet ndaj Kishës katolike dhe t’i harrojmë dhembjet gjatë shumë shekujve për shkak të ndarjes dhe përçarjes.” (Në Ratko Periq, v. e cit. f. 81-82).

“Kthimi i zemrës dhe shenjtëria e jetës, së bashku me lutjen private dhe botore për bashkimin e të krishterëve, trajtohen si shpirti i lëvizjes ekumenike dhe me të drejtë të plotë mund të quhet ekumenizmi shpirtërore.” (UR 8).

Përpos kësaj nevojitet njohja e ndërsjellë, sidomos në këto drejtime: mësimi i fesë dhe historisë së krishterë, përshpirtëria dhe liturgjia, përvojat dhe traditat kishtare. (Khs. UR 9).

Numri 10 i Dekretit flet për edukimin dhe informimin ekumenik të meshtarëve, rregulltarëve, rregulltarëve, si dhe të mbarë popullit të krishterë, kuptohet gjithmonë në frymën e afrimit dhe bashkimit, por kurrsesi në dëm të vërtetës apo të teologjisë. (Khs. UR 10, 11).

“Të gjithë të krishterët le të dëshmojnë para mbarë popujve fenë në të Shenjtërueshmen Tri, në mishërimin e Birit të Zotit, Shpërblyesit dhe Zotërisë tonë...” (UR 12).

“Dëshmia dhe shërbimi (myrtyrion dhe diakronia) janë si thelbi i tërë Dekretit...” (Ratko Periq, v. e cit. fq. 103; Mbi Dekretin UR lexo: Jerko Barishiq, Da budu jedno, Crkva u svijetu, Split, 1976, fq. 53 – 60; Nuovo dizionario di telogia, EP, 1977, fq. 364 – 369).

Prishtinë, 12 korrik 2022 Radio Maria – Kosovë

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat