“Me peshë, por vital” është mit për sa i përket shëndetit të zemrës

Shëndetësia

“Me peshë, por vital” është mit për sa i përket shëndetit të zemrës

Më: 22 janar 2021 Në ora: 20:50
Foto ilustrim

Efektet negative të grumbullimit të yndyrave trupore mbi shëndetin e zemrës nuk mund të mënjanohen nëpërmjet vazhdimit të një mënyre më aktive të jetesës, ka treguar të premten një studim i ri.

Studimet e mëhershme kishin sugjeruar se të qenët fizikisht aktiv mund t’i zbusë efektet negative të mbipeshës tek shëndeti i zemrës, por kështu nuk është në të vërtetë, ka bërë të ditur studimi i publikuar në “European Journal of Preventive Cardiology”, një revistë kjo e shoqërisë evropiane të kardiologjisë (ESC).

“Një person nuk mund të jetë ‘me peshë, por i shëndetshëm’. Kjo ishte analiza e parë mbarëbotërore që ka treguar se të qenët rregullisht aktiv nuk ka gjasa që t’i eliminojë efektet e dëmshme shëndetësore të shkaktuara nga shtresimi i yndyrave trupore”, ka thënë autori i studimit, Alejandro Lucia, profesor i fiziologjisë së ushtrimeve trupore në Universitetin Evropian të Madridit. “Gjetjet tona e përgënjeshtrojnë nocionin se mënyra e jetesës me aktivitete fizike mund t’i eliminojë tërësisht efektet e dëmshme të mbipeshës dhe obezitetit”.

Studimi i mëhershëm kishte ofruar disa dëshmi se personat, të cilët ishin “me mbipeshë, por aktivë” mund të kenë shëndet të ngjashëm kardiovaskular me ata që janë “të hollë por joaktivë”, mirëpo Lucia ka thënë se kjo ishte një pasojë e padëshiruar.

“Kjo gjë ka çuar drejt propozimeve kundërthënëse për politikat shëndetësore që e prioritetizojnë aktivitetin fizik dhe fitnesin mbi humbjen e peshës”, ka thënë ai. “Studimi ynë synon që t’i qartësojë lidhjet midis aktivitetit, peshës trupore dhe shëndetit të zemrës”.

Studiuesit kanë përdorur të dhënat nga 537.662 të rritur të punësuar, të siguruar nga një kompani e parandalimit të rreziqeve shëndetësore në Spanjë. Mosha e pjesëmarrësve të përfshirë ishte 42-vjeçare.

Ata ishin selektuar në grupe, sipas nivelit të aktivitetit dhe peshës trupore. 42 për qind e pjesëmarrësve kishin pesë normale trupore; 41 për qind ishin me mbipeshë dhe 18 për qind ishin obezë.

Kësisoj, studiuesit e mbikëqyrën shëndetin e tyre kardiovaskular, duke i kategorizuar ata sipas predispozitave për diabet, kolesterol të lartë dhe shtypje të lartë të gjakut, të gjithë këta faktorë të rëndësishëm rrezikshmërie për sulm në zemër.

Pas hulumtimit të ndërlidhjeve midis këtyre faktorëve dhe nivelit të aktivitetit, studiuesit kanë konstatuar se çdo nivel i aktivitetit ka treguar se është më pak e mundur që një individ të ketë ndonjërin prej këtyre tre faktorëve të rrezikut krahasuar me individët që nuk ushtrojnë. Ndërkaq rreziku nga shtypja e lartë e gjakut dhe diabeti bien me shtimin e nivelit të aktivitetit.

“Kjo tregon se gjithsecili, pavarësisht peshës trupore, duhet të jetë aktiv fizikisht për ta mbrojtur shëndetin”, ka thënë Lucia.

Sidoqoftë, studimi ka shpërfaqur rrezikun më të madh kardiovaskular mes pjesëmarrësve me mbipeshë dhe obezitet, krahasuar me atë të personave me peshë normale trupore, pavarësisht se sa ushtrime fizike bëjnë.

Pjesëmarrësit obezë dhe aktivë kishin dyfish më shumë të ngjarë që të kishin kolesterol të lartë, katër herë më shumë gjasa që të preken nga diabeti dhe pesë herë më shumë gjasa që të vuajnë nga shtypja e lartë e gjakut në krahasim me pjesëmarrësit që kishin peshë normale trupore por nuk ishin aktivë.

“Ushtrimet nuk duket se janë kompensim për ndikimet negative të peshës së tepruar”, ka thënë Lucia. “Studimi përfshin mbikëqyrjen e përgjithshme, si mes burrave ashtu edhe grave”.

Lucia ka nënvizuar se është “barabar e rëndësishme” që të luftohen si obeziteti ashtu edhe joaktiviteti.

“Humbja e peshës duhet të mbetet si cak prioritar për përcaktimin e politikave shëndetësore, bashkë me promovimin e mënyrës më aktive të jetesës”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat