Studimi / Mbrojtja nga imuniteti natyror e njëjtë me vaksinën anti-COVID

Shëndetësia

Studimi / Mbrojtja nga imuniteti natyror e njëjtë me vaksinën anti-COVID

Më: 28 prill 2021 Në ora: 18:36
Ilustrim

Që në fillim të pandemisë, Izraeli spikati për mënyrën sesi zgjodhi t’i përgjigjej pandemisë, duke izoluar kategoritë me risk, siç ishin të moshuarit. Por, strategjia e ndjekur në menaxhimin e situatës deri edhe te kryerja masive e vaksinimeve ka bërë që ky vend të çlirohet nga COVID-19, duke iu rikthyer normalitetit.

Studimi

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga pandemia dhe kur vaksinat janë me pikatore e me plot hije dyshimi, pikëpyetja që shtrohet është: a na mbron imuniteti natyror? Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka ndarë lajmin e mirë që imuniteti natyror ofron të njëjtën mbrojtje sikundër vaksinat anti-COVID. Çka do të thotë se ata që e kanë kaluar sëmundjen janë po aq të mbrojtur sa ata që kanë marrë dy doza vaksine. Në këtë përfundim ka dalë studimi i kryer nga dy universitete në Izrael.

“Lajme të mira mbi imunitetin natyror dhe efikasitetin e vaksinës ‘Pfizer’ anti-SARS-CoV-2. Shteti që kryeson botën në garën e vaksinimit është pa dyshim shteti i Izraelit, i cili përdor vetëm vaksinën ‘Pfizer’! Gjithashtu, shteti i Izraelit është i pari shtet që krahasoi efikasitetin e vaksinimit të popullatës me efikasitetin e infektimit natyror nga SARS-CoV-2. Universitetet prestigjioze të Izralit, Universiteti i Tel-Avivit dhe Universiteti Hebre i Jerusalemit, sapo publikuan shifrat e para të krahasimit ndërmjet vaksinës dhe infektimit natyror për sa i përket efikasitetit të mbrojtjes nga SARS-CoV-2. Dhe nuk bëhet fjalë për një kampion! Është studiuar e tërë popullata mbi 16 vjeç, nga ku ka rezultuar se mbrojtja e ofruar nga infeksioni i mëparshëm nga Sars-Cov-2 është e ngjashme me mbrojtjen e ofruar nga vaksina ‘Pfizer’”, ka shkruar doktori në rrjetet sociale. Pjesë e studimit ishin rreth 6.3 milionë persona, nga të cilët rreth 5.7 milionë ishin ose persona që e kishin kaluar koronavirusin, ose të vaksinuar dhe rreth 667 mijë të tjerë nuk ishin vaksinuar dhe as nuk kishin kryer tampon.

Mbrojtja

Të dhënat treguan që efikasiteti për mbrojtjen nga infeksioni në çdo moshë ishte 92.8% në radhët e të vaksinuarve dhe 94.8% tek ata që e kishin kaluar koronavirusin. Por, të njëjtën nivel apo shkallë mbrojtjeje sikundër vaksina ka imuniteti natyror edhe sa i takon shtrimeve në spital, komplikacioneve, duke pasur parasysh këtu rastet e rënda apo edhe vdekjet. Për t’u ndalur konkretisht, vaksina në masën 94.2% parandalon shtrimet në spital, ndërsa imuniteti natyror është vlerësuar me 94.1%. Çka do të thotë se rreziku i shtrimit në spital është më i ulët se 6%. Sa u takon rasteve të rënda, apo parandalimit të komplikacioneve mbrojtja nga vaksina është vlerësuar 94.4%, ndërsa nga imuniteti natyror mbrojtja është edhe më e lartë 96.4%.

Thënë ndryshe, rreziku për shfaqjen e komplikacioneve është minimal. Së fundmi, efikasiteti për të parandaluar humbjen e jetës është vlerësuar 93.7% te të vaksinuarit. Ndërsa për ata që e kanë kaluar sëmundjen, nuk përllogaritet dot pasi ka ndodhur gjithsej 1 vdekje e vetme. “Si përfundim autorët shkruajnë se, vaksinimi është shumë efektiv për parandalimin e infektimit dhe të pasojave nga COVID-19. I njëjti efektivitet u vu re edhe te personat që e kishin kaluar më parë COVID-19”, vë në dukje Alimehmeti. Por, rezultatet në optikën e studiuesve vënë në pikëpyetje nevojën e vaksinimit të personave të infektuar më parë.

Imuniteti natyror zgjat 12 muaj

Imuniteti natyror zgjat 12 muaj. Duke iu referuar një studimi të realizuar në Danimarkë, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka vënë më herët në dukje se individët që e kanë kaluar COVID-19, kanë mundësi të jenë të mbrojtur nga ri-infektimi deri në 12 muaj, ndoshta edhe më gjatë, pas fillimit të simptomave. “Sa më shumë kalon koha nga shfaqja e SARS-CoV2 në popullatë, aq më të gjata në kohë bëhen studimet mbi imunitetin natyror te personat që e kanë kaluar infeksionin. Rishtazi, një studim i kryer në ishujt Faroe (territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës) ndoqi në nivel të popullatës të gjithë personat që e kaluan COVID-19 gjatë valës së parë dhe të dytë.

Gjetja kryesore? Përgjigja natyrore e antitrupave Anti-Sars-Cov 2 zgjat 12 muaj. Pas 7 muajve, antitrupat vazhdojnë bien, por ritmi i rënies ngadalësohet duke qëndruar relativisht të qëndrueshëm në periudhën 7 deri 12-mujore pas infektimit. Autorët dalin në përfundimin se rezultatet tona tregojnë se individët që e kanë kaluar COVID-19 kanë mundësi të jenë të mbrojtur nga ri-infektimi deri në 12 muaj pas fillimit të simptomave dhe ndoshta edhe më gjatë”, ka shkruar doktori në rrjetet sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat