Dita botërore e alzheimer/ Cilat janë kujtimet e para që humbasin me sëmundjen

Shëndetësia

Dita botërore e alzheimer/ Cilat janë kujtimet e para që humbasin me sëmundjen

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 06:16
Ilustrim

Shtatori është muaji i Alzheimerit dhe data 21 është vendosur si dita botërore e ndërgjegjësimit ndaj të gjithë grupit të sëmundjeve që shkakton demenca. Alzheimer është një lloj demence që prek trurin dhe shkakton humbje të memories. Në të gjithë botën ka 50 milionë persona që jetojnë me këtë sëmundje, një shifër e cila pritet të rritet disa herë me kalimin e viteve.

Ndonëse çfarë dihet më së shumti për Alzherimerin është se prek memorien dhe fshin kujtimet, ekspertët shpjegojnë se në të vërtetë Alzheimer fshin pjesë të ndryshme të memories. Duke e kthyer kështu sëmundjen në një sfidë të vërtetë për të gjithë pacientët. Ku shumica mund të përjetojnë ndjenja faji apo frike për shkak të konfuzionit apo ankthit që humbja e një kujtimi shkakton.

Cilat kujtime fshin Alzheimer?
Një nga pjesët që kjo smëundje prek më shumë është memoria episodike. Që lidhet me njohjen dhe rikujtimin e momenteve nga fëmijëria apo ngjarjeve shumë të rëndësishme në jetën e një personi. Pacientet me Alzheimer zakonisht ankohen se nuk mund të rikujtojnë ngjarje të ndryshme që i kanë jetuar, biseda apo eksperienca të tjera që lidhen ngushtë me jetën e tyre. Kjo pjesë e trurit është edhe ajo që testohet dhe trajtohet më shumë nga studiuesit dhe mjekët në ndihmë të këtyre pacientëve.

Sidoqoftë kjo sëmundje nuk kufizohet vetëm këtu, studime të fundit tregojnë se humbjet ndodhin edhe në memorien semantike. Kjo pjesë lidhet me njohuritë e përgjithshme apo ngjarje të cilat ju mund të mos i keni kaluar si eksperienca personale si dhe detyra të përditshme. Memoria semantike është ndër të parat që preket nga kjo sëmundje, pacientët shfaqin humbje të njohurive të përgjithshme shumë me para se të humbin kujtimet e së shkuarës. Përshembull një pacient në fazat e para të Alzheimerit mund të ketë vështirësi në njohjen e personazheve të famshëm, gjetjen e emrave të rrugëve apo qyteteve.

Fazat e sëmundjes
Alzheimer sipas ekspertëve ka 3 faza të mëdha zhvillimi në trupin e një njeriu. Faza e parë zgjat 2 deri në 4 vite dhe shoqërohet me humbje të vogla të kujtesës të cilat mund të konsiderohen edhe normale. Faza e dytë konsiderohet si e moderuar ose e mesme mund të zgjasë nga 2 deir në 10 vite ku të prekurit kanë vështirësi në orientim dhe përditshmëri. Faza e tretë apo e vonë zgjat 1 deri në 3 vite e cila konsiderohet edhe si forma më e rëndë e Alzheimerit. Pacientët në fazën e fundit nuk kanë mundësi komunikimi apo pavarësie në kryerjen e aktiviteteve minimale jetësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat