Pjeshkët dhe nektarinat janë dy varietete të së njëjtës specie. Ndryshimet midis këtyre dy varieteteve kanë të bëjnë sidomos me lëkurën (e lëmuar apo me push), me llojin e bërthamës (i lidhur apo jo) dhe me ngjyrën e mishit (i bardhë apo i verdhë). Në përgjithësi nektarina quhen frutat me lëkurë të lëmuar.
Mund të ndodhë që në të njëjtën pemë të ketë pjeshkë dhe nektarina.
Pjeshka e ka origjinën nga Azia dhe janë Kinezët ata që e kanë përmirësuar specien, duke seleksionuar varietete që nxjerrin fruta më të mëdha e më të shijshme. Kina është vendi më i madh prodhues i pjeshkëve në botë.
Këshilla praktike
Pas blerjes. Meqënëse pjeshkët dhe nektarinat vilen ende paksa të pjekura, por ende të forta, atyre u duhen deri disa ditë për t’u pjekur në temperaturën e ambientit përpara se të konsumohen. Kontrolloni çdo ditë gjëndjen e frutave dhe përdorini sapo të jenë zbutur ose i vini në frigorifer.
Në rast urgjent. Për të shpejtuar pjekjen, lërini pjeshkët ose nektarinat në një qese letre (mos i vini asnjëherë në qese plastike).
Efekte shëndetësore
Pjeshkët janë të pasura me antioksidantë, elementë kimikë të cilët mund të ndikojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, kancereve dhe sëmundjeve të ndryshme kronike. Për më tepër, pjeshkët e thara i ruajnë më tepër antioksidantët se pjeshkët e konservave.
Pjeshkët dhe sidomos lëkurat e tyre përmbajnë fibra ushqimore të cilat parandalojnë konstipacionin, ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe në kontrollin e diabetit të tipit 2.
Vitaminat, fibrat ushqimore dhe antioksidantët ndodhen kryesisht në lëkurë. Për të përfituar më shumë nga vlerat e tyre ushqimore, është mirë që pjeshkët dhe nektarinat të konsumohen me gjithë lëkurë.