Fluori mbi masën e rekomanduar ndikon tek inteligjenca e fëmijëve

Shëndetësia

Fluori mbi masën e rekomanduar ndikon tek inteligjenca e fëmijëve

Më: 22 gusht 2024 Në ora: 06:20
Foto ilustrim

Një raport i qeverisë amerikane del në përfundimin se fluori në ujin e pijshëm, në masën mbi dyfishin e kufirit të rekomanduar, ndikon tek një koeficient më i ulët i zgjuarsisë tek fëmijët. Provimi i inteligjencës njihen shkurtimisht si IQ.

Raporti i bazuar në një analizë të hulumtimeve të publikuara më parë, shënon rastin e parë që një agjenci federale ka përcaktuar “me besim të moderuar” se ekziston një lidhje midis niveleve të larta të ekspozimit ndaj fluorit në ujin e pijshëm dhe IQ më të ulët tek fëmijët.

Ndonëse raporti nuk ishte hartuar vetëm për të vlerësuar efektet shëndetësore të fluorit në ujin e pijshëm, rezultati tregon rrezikun e mundshëm neurologjik nga nivelet e larta të fluorit.

Fluori forcon dhëmbët dhe lufton prishjen e tyre duke zëvendësuar mineralet e humbura, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Shteteve të Bashkuara. Shtimi i niveleve të ulëta të fluorit në ujin e pijshëm është konsideruar prej kohësh si një nga arritjet më të mëdha të shëndetit publik të shekullit të kaluar.

Dr. Ashley Malin është hulumtuese në Universitetin e Floridës e cila ka studiuar ndikimin e niveleve të larta të fluorit tek gratë shtatzëna dhe fëmijët e tyre. Ajo thotë se ky është raporti më rigoroz i këtij lloji.

Raporti i shumëpritur, i publikuar të mërkurën, është hartuar nga Programi Kombëtar i Toksikologjisë, pjesë e Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.

Raporti që përmbledh studimet e kryera në Kanada, Kinë, Indi, Iran, Pakistan dhe Meksikë, del në përfundimin se pirja e ujit që përmban më shumë se 1.5 miligramë fluor për lirët ka lidhje me koeficientin më të ulët të zgjuarsisë tek fëmijët.

Disa nga studimet e shqyrtuara në raport sugjerojë se fëmijët që kishin ekspozime më të larta ndaj fluorit morën 2 deri 5 pikë më pak në provimin e inteligjencës që njihet si IQ.

Zyrtarët federalë të shëndetësisë rekomanduan në vitin 2015 që uji i pijshëm të kishte një nivel prej 0.7 miligramë fluor për litër. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nuk duhet tejkaluar kufiri prej 1.5 miligramë fluorin për litër ujë.

Sipas raportit, rreth 0.6% e popullsisë amerikane ose rreth 1.9 milion njerëz konsumojnë ujë me përmbajtje natyrale fluori në masën prej 1.5 miligramë ose më shumë për një litër uji.

“Gjetjet nga ky raport shtrojnë pyetjet se si mund të mbrohen këta njerëz”, thotë hulumtuesja Ashley Malin me Universitetin e Floridës.

Raporti prej 324 faqesh nuk jep konkluzione në lidhje me rreziqet e niveleve më të ulëta të fluorit, duke thënë se nevojiten më shumë studime. Raporti nuk trajton ndikimin e fluorit të tepër tek të rriturit.

Shoqata Amerikane Dentare, e cila e mbështet fluoridimin e ujit, i ka kritikuar variantet e mëparshme të analizës së re dhe hulumtimet e Dr. Ashley Malin. Shoqata tha se ekspertët e saj ende po shqyrtonin raportin.

Fluori është mineral që ekziston natyrshëm në ujë dhe tokë. Rreth 80 vjet më parë, shkencëtarët gjetën se njerëzit që konsumonin ujë me nivele të larta natyrale fluori, gjithashtu kishin dhëmbë më të shëndetshëm, duke nxitur përpjekjet për përdorimin e mineralit për një shëndet më të mirë dentar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat