​21 vjet nga masakra e Lubotenit

Shkupi

​21 vjet nga masakra e Lubotenit

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 07:22
Foto ilustrim

Sot mbushen 21 vjet nga masakra e Lubotenit, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë dhjetë civilë shqiptarë në këtë fshat të Shkupit.

Në mëngjesin e 12 gushtit 2001, u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore - ushtarake në Luboten ku vranë fëmijën 6-vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Muratin, Muharrem Ramadanin, Memet Memetin, Rami Jusufin, Xhelal Bajramin, Kadri Jasharin, Bajram Jasharin, Sulejman Bajramin dhe Atulla Qailin.

Në këtë aksion u dogjën 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe u keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 vjetëve burg.

Nga ana tjetër, Tarçullovski, por edhe Boshkovski, nga ana e shtetit konsiderohen dhe nderohen si heronj kombëtarë të konfliktit të vitit 2001.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat