​Tetë të arrestuar për bixhoz, fajde e pastrim parash në Shkup

Shkupi

​Tetë të arrestuar për bixhoz, fajde e pastrim parash në Shkup

Më: 12 dhjetor 2025 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Njësiti për Krim të Organizuar dhe Serioz nën udhëheqjen e prokurorit ka realizuar një aksion në disa lokacione të Shkupit, gjatë të cilit janë arrestuar tetë persona.

Gjatë bastisjeve, janë gjetur sasi e madhe e rekuizitave për lojëra të fatit, letra dhe çipa bixhozi, tavolina profesionale për poker dhe pajisje të tjera, sasi e konsiderueshme e parave në denarë dhe euro, automjete dhe drogë. Në njërin prej lokacioneve janë kapur në flagrancë 14 persona duke luajtur bixhoz.

“Në hetimin e parë janë përfshirë gjashtë persona. Të dyshuarit kanë siguruar lojtarë dhe kanë caktuar terminë për lojërat “Omaha”, “Poker”, “Rreth” dhe “Briç”. Lojërat janë realizuar në ditë të caktuara, me numër të caktuar të lojtarëve dhe rregullave të caktuara për sasinë e parave. Grupi ka ndërmjetësuar arkën për pagesat e lojtarëve dhe për shpenzimet e klubit. Janë angazhuar edhe persona për rregullimin e tavolinave, por edhe persona që kanë ndarë letrat e bixhozit apo të ashtuquajtur “dealer”,njoftoi Prokuroria, transmeton KosovaPress.

Prokuroria paralelisht ka hapur dhe hetimin e dytë, në të cilin është i përfshirë njëri prej personave të hetimit të parë dhe dy persona të tjerë.

“Ata dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 7.5 milionë denarë apo mbi 120 mijë euro, të cilat i kanë lëshuar në qarkullim nëpërmjet marrjes dhe dhënies së parave të përfituara me fajde. Paratë i kanë futur nëpër llogaritë e tyre, kanë pranuar para nga llogaritë e personave të tretë dhe i kanë përdorur për blerjen e pronave të patundshme, pagesave të obligimeve për kreditë dhe për jetesë luksoze. Për këtë, dy të dyshuarit do të ndiqen për veprën penale “Fajde” dhe “Pastrim parash”, theksuan nga Prokuroria.

Prokuroria njoftoi se do të kërkojnë nga gjykata paraburgim për shtatë persona, ndërsa për njërin arrest shtëpiak, raporton Alsat.mk.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat