Shkarkim apo?! Grupi Parlamentar Demokrat zgjedh kryetarin e ri, ikën Rudina Hajdari

Shqipëria

Shkarkim apo?! Grupi Parlamentar Demokrat zgjedh kryetarin e ri, ikën Rudina Hajdari

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 16:36
Grupi Parlamentar Demokrat

Grupi Parlamentar Demokrat do të ketë një kryetar të ri në vend të Rudina Hajdarit.

Ende nuk është bërë e qartë, nëse ish-deputetja e PD-së është shkarkuar nga ana e tyre, apo ajo ka dhënë dorëheqjen.

Grupi i Opozitës së re Parlamentare, i formuar nga deputetë që morën mandatin pas dorëzimit të mandateve nga deputetëve të opozitës, në radhët e të cilëve bënin pjesë edhe Myslym Murrizi dhe Rudina Hajdari, fillimisht zgjidhi kryetare këtë të fundit.

Por sot, në vend të saj është emëruar Korab Lita, siç tha vetë deputeti në fjalë , në një postim në Facebook. Ai nuk e përmendi fare emrin e Rudina Hajdarit, teksa lajmëroi se do të jetë kryetari i ri i grupit parlamentar "Demokrat", çka nënkupton shkarkimin e saj.

“Grupi Parlamentar Demokrat, në mbledhjen e tij të fundit, në funksion të organizimit të brendshëm bëri ndryshim në drejtimin e grupit. Personalisht, dua t’ju dërgoj një falënderim kolegeve të mi të Grupit Parlamentar për vlerësimin dhe besimin që më dhanë për të drejtuar Grupin Parlamentar Demokrat”, shkroi Lita në mesazhin e tij në Facebook, ku shfaqen edhe deputetë të tjerë, krahas tyre edhe Myslym Murrizi.

“Detyra që më është besuar si Kryetar i Grupit Parlamentar Demokrat unë e shoh si një përgjegjësi e aspak privilegj, sidomos në këtë situatë politike e institucionale ku ndodhet vendi ynë. Nëpërmjet jush dua të siguroj kolegët, dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që të gjithë bashkë do jemi në lartësinë e duhur për të justifikuar besimin e dhënë”, tha Lita.

Shkresa për zëvendësim mësohet se është dërguar në zyrën e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, ndërsa emërimi i tij pritet të shpallet zyrtarisht në seancën e ardhshme plenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat